e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Te punosh ne Greqine e euros me paga Ballkani

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Te punosh ne Greqine e euros me paga Ballkani
Paga minimale tashmë do të jetë 586,08 euro. Asistenca e papunësisë bëhet 360 euro

Shtrëngesë edhe më e ashpër ekonomike, përmbysje të thella në marrëdhëniet në punë dhe pagat, si dhe reduktime drastike në sektorin publik, parashikon memorandumi i ri me masat e reja që trojka i konsideron të domosdoshme, me qëllim që të miratojë paketën e re të shpëtimit të Greqisë dhe marrëveshjen për reduktimin e borxhit. Tribuna publikon pjesët kryesore të tekstit që miratuan të mërkurën dhe të enjten liderët politikë grekë, nën trysninë e “ultimatumit” që, po të mos e miratonin, Greqia nuk do ta merrte paketën e dytë të ndihmës e rrjedhimisht, siç paralajmëroi edhe kreu i Eurozonës, Jean Claude Juncker, vendi do të falimentonte në mesin e marsit.

Kohëzgjatja e programit të ri rritet edhe me një vit e do të jetë në fuqi deri më 2015-n, me shpresën se deri atëherë ekonomia greke do të qëndrojë përsëri në këmbët e veta dhe do të fitojë bastin e konkurrueshmërisë e të zhvillimit. Në hyrje të tekstit thuhet se ekonomia greke aktualisht ka tri sfida kryesore: mungesën e konkurrueshmërisë, stabilitetin e financave publike, përballjen e problemeve me të cilat ndeshet sektori bankar.

Trojka thekson se që të kapërcehen këto sfida, duhet të ulen pagat dhe të përshpejtohen reformat strukturore në tregun e punës, të reduktohet volumi i ndërhyrjes së shtetit në ekonominë greke – gjë që duhet të arrihet nëpërmjet privatizimeve, si dhe të forcohet aftësia e qeverisë për zbatimin e politikave përmes reformimit të gjerë të administratës publike. Për ritmin e zhvillimit parashikohet tkurrje e Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm (PPB) në masën 4 - 5% në periudhën 2012 – 2103, ndërsa për deficitin e shkëmbimeve tregtare thuhet se do të nevojitet shumë kohë deri sa të ulet në atë nivel që do të lejojë uljen e qëndrueshme të borxhit publik.

Qeveria greke angazhohet të arrijë suficit buxhetor primar, në masën 4,5% të PPB-së, rreth 10 miliardë euro, deri në vitin 2015. Për masat shtesë, përllogaritet se nevojiten masa me vlerë 1,5% të PPB-së për 2012-n dhe masa shtesë në vlerën 5% të PPB-së, rreth 11 miliardë euro, kështu që të arrihet objektivi për suficit buxhetor primar 4,5% deri në vitin 2015.

Paga dhe asistenca e papunësisë, 100 euro më pak

Sa i përket tregut të punës, rekomandohet reduktimi i kostos së punës në masën 15% deri në vitin 2015. Trojka kërkon që niveli i pagës minimale në Greqi të jetë i njëjtë me nivelin e Spanjës dhe Portugalisë, por edhe të vendeve të Europës Lindore që janë anëtarësuar vitet e fundit në BE.

Në këtë kuadër, u vendos ulja e pagës minimale në masën 22%. Mirëpo, të rinjtë e moshës deri 25 vjeç që hyjnë për herë të parë në tregun e punës dhe rrjedhimisht do të paguhen me pagën minimale, do të marrin akoma më pak. Pasi për këtë kategori, ulja e pagës minimale do të jetë 33%.

Kështu, paga minimale tashmë do të jetë 586,08 euro (të pastra 489,38), ndërsa për të rinjtë, 527,47 (të pastra 440,44 euro).

Por ulja e pagës minimale do të sjellë edhe uljen e asistencës së papunësisë (epidoma anergjias). Pasi vlera e asistencës përllogaritet në 55% të pagës së punëtorit të pakualifikuar, pra pagës minimale. Kështu, me uljen që i bëhet pagës minimale, asistenca e papunësisë nga 461,5 euro që ishte deri tani, do të bëhet 360 euro. Pra kemi një ulje prej 100 eurosh, shumë e konsiderueshme për një familje që jeton në limitin e varfërisë, siç janë shumica e familjeve të të papunëve.