e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Te pasurit dhe politikanet zbrazin bankat, terhoqen ne maj rreth 80 milione euro

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Te pasurit dhe politikanet zbrazin bankat, terhoqen ne maj rreth 80 milione euro

Të dhënat zyrtare tregojnë se sistemi bankar është përballur, në gjysmën e parë të vitit, me një fenomen të pazakontë. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në valutë të individëve ranë nga 343,8 miliardë lekë, që ishin në tetor të 2012-s, në 327,7 miliardë lekë, në fund të qershorit të këtij viti. Rënia është mbi 160 milionë dollarë dhe ka ndodhur në vetëm një grup depozitash, ato të individëve në valutë. Llojet e tjera të depozitave kanë vazhduar të rriten.

Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria është përballur vetëm një herë me një situatë të tillë. Në fund të vitit 2008, kur depozitat e individëve në valutë ranë brenda pak muajsh me rreth 300 milionë dollarë. Por, në atë kohë, shkaku ishte paniku i përhapur nga kriza financiare, që nxiti individët të tërhiqnin kursimet e tyre.

Ndërsa këtë herë, arsyet duken të tjera. Ekspertë të sistemit bankar thonë për “Top Channel” se paratë e tërhequra nuk janë përdorur në tregun e brendshëm. Sipas tyre, kjo do të kishte bërë presion mbi kursin e këmbimit, duke dobësuar euron, çka nuk ka ndodhur.

Në këto kushte, dyshimet më të mëdha janë se paratë kanë dalë jashtë shtetit. Shifrat tregojnë se bëhet fjalë për tërheqje prej 20 milionë eurosh në muaj dhe periudha është ajo e muajve të fundit para zgjedhjeve.

Më konkretisht, në muajin maj, në kulmin e fushatës zgjedhore janë vërejtur tërheqje masive të parave nga depozitat në sistemin bankar shqiptar. Mësohen se janë rreth 80 milionë euro, të cilat mund të jenë përdorur për fushatë, por analistë pranë sektorit bankar dhe burime të sigurta konfidenciale, pohojnë se një pjesë e parave janë tërhequr nga zyrtarët për t’i çuar në vende jashtë Shqipërisë.

Të dhënat konfirmohen nga Banka e Shqipërisë dhe i referohen muajit maj. Kështu, depozitat në sistemin bankar shënuan një rënie me rreth 0.3 për qind me bazë mujore në maj, të udhëhequra nga tkurrja e lartë e kursimeve në valutë, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Një muaj përpara zgjedhjeve, depozitat në valutë shënuan një rënie të fortë, si nga kursimet e korporatave ashtu dhe të individëve, duke regjistruar tkurrjen më të fortë mujore që nga dhjetori 2008, kur depozitat u tërhoqën nga paniku i krizës financiare globale.

Sipas statistikave zyrtare, në total, depozitat në sistemin bankar në muajin maj 2013 arritën në 940.8 miliardë lekë, duke rënë 0.3 për qind në raport me prillin e të njëjtit vit. Në krahasim me fundin e 2012-s, depozitat në total janë rritur vetëm me 1.1 për qind, ritmet më të ulëta të rritjes që nga fundi i vitit 2008. Ritmet e rritjes së depozitave janë ngadalësuar ndjeshëm në gjysmën e dytë të 2012-s dhe në muajt e parë të këtij viti.

Raporti

1 miliard euro para të pista!?

Jo zyrtarisht, nga vetë bankat kanë dalë informacione se lëvizjet janë kryer nga depozitues të mëdhenj. Nën zë, madje, është folur edhe për zyrtarë të pushtetit që, të pasigurt për rezultatin e zgjedhjeve, kanë nxituar t’i fshehin kursimet e tyre jashtë.

Por, a është ky rasti dhe a janë këto parà me prejardhje nga aktivitete të jashtëligjshme? Dyshimet janë të forta. Transferimi i parave, që vijnë nga burime informale, nuk është një fenomen i panjohur për Shqipërinë.

Para pak kohësh, një organizatë me qendër në Uashington publikoi një raport, që tregonte se në 5 vjet, nga 2006 në 2010-n, elita e korruptuar ka nxjerrë rreth 1 miliard euro parà të pista me prejardhje nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal.