Te gjithe kunder 'Haradinaj vrases'
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Drejtuesit e AAK- së, por edhe partive tjera, kanë reaguar ndaj deklaratave të opionistit, Fatos Lubonja, i cili e quajti vrasës Ramush Haradinajn, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit.
Në rrjetet sociale kanë reaguar Burim Ramadani, Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, anëtarët e kryesisë; Ernest Luma e Avni Arifi dhe shumë prej drejtuesve lokalë të kësaj partie. Në Twitter ka reaguar edhe Memli Krasniqi, anëtar i PDK-së dhe ministër aktual i Kulturës. "A ke turp o Fatos Lubonja për deklaratat e sëmura që bën kundër çlirimtareve të Kosovës? Skizofreninë tënde s'mund t'ia mveshësh kombit tënd!", shkruan Krasniqi.
Një reagim ka ardhur edhe nga ,ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku. "Shokuese deklarata e Lubonjës! Pa fjalë!", ka shkruar ajo në Twitter.
Ernest Luma, ndërkaq, shfaqet shumë më i ashpër; ai e fyen publicistin shqiptar duke e quajtur "nëna e viçit".Avni Arifi thotë se Lubonja gjithmonë ka mbajtur qëndrime antishqiptare. Kurse Burim Ramadani shpreh habinë se si mund të akuzohet dikush si vrasës kur ai është shpallur dy herë i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare.
Vlen të theksohet se ende nuk ka një reagim zyrtar nga AAK-ja, në krye të së cilës është ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.
Fatos Lubonja, publicist i njohur shqiptar, në një shkrim për revistën “Sudosteuropa Mittelungen”, e ka cilësuar Ramush Haradinajn një vrasës, që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve. Për këtë arsye, ai ka kritikuar politikanët shqiptarë, duke nisur nga Berisha dhe Rama, pse kanë dalë në mbrojtje dhe kanë përgëzuar Haradinajn për lirimin e tij.
"Njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar dhe vrarë", ka thënë Lubonja.