e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tatepjeta e madhe e Shqiperise se 2011!

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tatepjeta e madhe e Shqiperise se 2011!
Treguesit e ekonomisë reale zerojnë deklarimet pompoze të zyrtarëve. Shqipëria zbret në nivelin e vitit 2006 në disa nga treguesit kryesorë të ekonomisë. Raporti prestigjioz i Bankës Botërore “Doing Business 2012” si dhe studimi i ekonomistit të njohur të kësaj banke Ronald Hood, “zbyth” një sërë treguesish, me të cilët jemi krenuar gjatë tërë vitit që shkoi. Qeveria Shqiptare kërkon ekspertët e Bankës Botërore dhe ka nisur tashmë diskutimet për modalitetet e një huaje jo më pak se 100 milionë dollarë. Por Banka Botërore kërkoi angazhime specifike nga Qeveria “Berisha”, angazhime të diskutuara që në takimin e parë me mysafirët dhe të mbajtura në heshtje nga autoritetet. “Thembra e Akilit” mbetet borxhi publik, që qeveria nuk e ka parë asnjëherë problematik dhe, për të cilin, ekonomistët e BB-së kërkuan me ngulm reduktimin e shpejtë të tij, si një nga kushtet e huasë së re të BB-së.
Por jo vetëm. Ron Hood i BB-së iu tha gazetarëve në Tiranë në fundjavën e shkuar se “vendet të cilat kanë nivel të lartë të borxhit, janë më të prekshme nga krizat”, të cilat ai i saktësoi se janë “rrotull” dhe shtoi se për Shqipërinë “jemi të shqetësuar për nivelin e borxhit publik dhe deficitin fiskal që e rëndon më shumë atë”. Qeveria “Berisha”: Nuk ka krizë, borxhi është brenda parashikimeve Deklarimet janë të njohura, por ajo që duhet të theksojmë janë këmbënguljet e njohura të ndërkombëtarëve për nivelin shqiptar të borxhit. Situata buxhetore për vitin 2011 duket mjaft e kënaqshme. Por, problemi mbetet te niveli i lartë i borxhit publik, që, siç ngriti shqetësimin dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk do të arrijë të ulet në 54% të PBB-së deri në vitin 2013, sipas planifikimit, nëse nuk do të reduktohet dhe deficiti buxhetor në 2.5% në fund të vitit të ardhshëm.
Në fakt, ka debate të shumta se cili është niveli maksimal i borxhit publik që mund të mbështesë një ekonomi dhe përgjigjja varion nga një vend në tjetrin. Shqipëria nuk shquhet për nivel të lartë të këtij treguesi, madje raportet ndërkombëtare e rendisin atë më poshtë se vendet e rajonit (këto të fundit, ndërkohë kanë rendiment të mbledhjes së të ardhurave mesatarisht në 30-35% të PBB-së, nga 26-27% që e ka Shqipëria). Ajo që ia vlen të diskutohet dhe debatohet më shumë është se, deri ku mund të rrezikojë Shqipëria me borxhin e saj publik.
Pra, borxhi si për qindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto vërtet është më i larti i 6 vendeve të marra në referim. Por shqetësimi më i madh është ky borxh si për qindje e të ardhurave (219.7 %), më i larti në rajon dhe rreth 2 herë më i lartë se ai i EU10. Ndërsa shpenzimet për interesin e tij, apo cilësia e shërbimit të borxhit (3.4 % e PBB) rëndojnë mjaft ekonominë në kohë krize dhe cilësohen, sikundër duket, më të lartat në EJL6. Tregues të tjerë, shfryjnë tullumbacen qeveritare Shqipëria, e deklaruar si e “paprekur” nga kriza ndërkombëtare dhe ajo e Eurozonës dhe si vendi me treguesit më të mirë makroekonomikë dhe fiskalë në rajon, nuk del e tillë nga “autopsia” e “Doing Business 2012”. Vendi ka humbur disa rradhë në renditjen e përgjithshme, të fituara që në vitin 2006, si rrjedhojë e reformave të ndërmarra dhe të vlerësuara njëkohësisht. Në 2011 ka ndodhur e kundërta! Shqipëria ka humbur pesë vende në renditjen e përgjithshme dhe shumë më tepër në renditjet specifike. Pavarësisht reformave të deklaruara në përmirësimin e klimës së biznesit, krijimit të “One Stop Shop”, prokurimit elektronik e deklarimit online, “startimi i biznesit”” ka humbur 16 vende në renditjen e BB-së (nga vend ii 45 në atë të 61-të). Marrja e lejeve të ndërtimit, një tjetër tregues specifik i raportit të fundit, na “katapulton” në vendin e fundit në rajon.
 Nga vendi i 172-të në vitin 2010 ngrihemi në vendin e 170-të në vitin 2011 dhe shkojmë menjëherë 13 vende në rënie në vitin 2012. Asnjë efekt nuk shprehin reformat e ndërmarra edhe në këtë sektor! Por dukuria më e dukshme e rënies që ka ardhur jo vetëm si rrjedhojë e presionit të krizës, por edhe e aftësisë qeverisëse për mirëmënazhim të sektorëve në krizë vihet re në fushën e pagimit të taksave. Shqiptarët janë krenuar që kanë qënë vendi me taksat më të “ulta” në rajon e në botë (?!). Por nuk ka qënë kështu!
Kthehemi dy vite mbrapsh në renditjen e përgjithshme, ndërkohë që për shkak të reformave duhet të ishim në krye, të paktën të vendeve të rajonit. Koha e pagimit të taksave (orën në vit) nga 368 orë në vitin 2010, ulet në 360 orë në vitin 2011, por rritet serish në 2012 në 371 orë në vit.
Shënon ulje shkalla e përgjithshme e tatimit (në përqindje të fitimit), e thënë shkurt: sa lekë paguan biznesi në 100 lekë fitim. Treguesi është i tillë: Në 2010, 44,6 lekë në 100 lekë, në 2011, 40.6 lekë në 100 lekë dhe në 2012, 38,5 lekë në 100 lekë fitim. Por gjithsesi, edhe pse në trend rënës, ky tregues është nga më të lartët në rajon. Na i kalon vetëm Greqia dhe Hungaria! Ndërsa për taksën e punës, saktësisht për pagimin e detyrimeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për të cilën krenohemi se kemi ulur barrën e biznesit, jemi në vendin e parë në rajonin e Europës Juglindore, me 25 %, ndjekur nga Serbia me 20 %, etj.
Shifrat e mësipërme kanë dalë nga zyrat shtetërore, të cilat rëndom në deklarimet publike as që i pranojnë. Por tashmë ato janë “çertifikuar” nga institucione ndërkombëtare dhe duhet të merren në konsideratë në hartimin e miratimin e politikave të zhvillimit. Ose të paktën, të mos përmendet më se “jemi të dytët pas Gjermanisë”, apo se kemi taksat më të “ulta në Europë”. Nuk është kështu!