e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Tahiri: Duam te dhena nga SHISH per Artan Hoxhen

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Tahiri: Duam te dhena nga SHISH per Artan Hoxhen
Dorëheqja e Artan Hoxhës nga kandidimi u paralajmërua në komisionin e Ligjeve. Kjo pasi deputetët e opozitës megjithëse nuk folën për çështje konkrete, hodhën hije dyshimi mbi të shkuarën e tij teksa kërkuan informacione shtesë nga organet e sigurisë në vend, siç është SHISH apo dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Fillimisht komisioni dëgjoi relatimin e Viktor Gumit, i cili pasi bëri të ditur se mazhoranca ka depozituar në Kuvend kandidaturën me 40 firma të mbledhura, vlerësoi figurën e Artan Hoxhës duke e cilësuar si një ndër ekspertët më të mirë të administratës publike. Sipas Gumit, Hoxha plotëson kriteret juridike të përcaktuara në Kushtetutë për President. Por nga ana e PS-së në komisionin e Ligjeve, deputeti Sajmir Tahiri e vlerësoi të pamjaftueshëm informacionin e PD-së për Artan Hoxha.

“Të pamjaftueshme informacionet që keni për kandidatin për president, ka të dhëna kontradiktore. Kërkojmë të dhëna shtesë për ata që mandatohen, duam të dimë procedurën e verifikimit mbi kriteret, duam më shumë të dhëna se ato të pasqyruara këtu, duam informacion nga prokuroria dhe SHISH.”, – tha Tahiri duke hedhur hije dyshimi mbi të shkuarën e kandidatit Hoxha.

Por kryetari i komisionit, Ilir Rusmali refuzoi një kërkesë të tillë, duke thënë se komisionit i interesojnë vetëm kriteret formale. “Na intereson të verifikojmë kriteret formale juridike, si shtetësia, ditëlindja , dhe qëndrimi në Shqipëri, çështjet e CV nuk janë pjesë e diskutimit tonë”, – tha Rusmali. Më pas komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi vetëm me votat e mazhorancës raportin që formalizonte kandidaturën e Artan Hoxha për postin e Presidentit të Republikës, për t’ia paraqitur më pas seancës. Por më kot kjo do mbetej një procedurë e shkuar dëm, pasi vetë kandidati Hoxha do tërhiqej pak minuta më vonë nga kandidimi.