e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Sulmohet faqja web e 'Wikileaks', zhduken dokumentet per Shqiperine

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Sulmohet faqja web e 'Wikileaks', zhduken dokumentet per Shqiperine
Nga 700 dokumente të “Wikileaks” për Shqipërinë tashmë kanë mbetur vetëm 6 prej tyre. Pas publikimit të kabllogrameve të ndryshme mbi dokumentet sekrete të Departamentit të Shtetit për zhvillimet në Shqipëri, mësohet se faqja zyrtare më e klikuara në botë është sulmuar nga hakersat. Mesazhi shfaqet në faqen e organizatës në rrjetin social “Twitter” dhe sipas “Corriere Della Sera”-s, i atribuohet vetë Julian Assange-it, themeluesit të shumëdiskutuar australian i site-t të specializuar në publikimin e dokumenteve të rezervuara.

“Wikileaks” njoftoi se faqja e saj në internet ka pësuar gjatë natës një sulm informatik, ndërsa vazhdonte publikimi i një vale të re kabllogramash të diplomateve amerikane, një pjesë e të cilave të rezervuara. Për çdo rast, mesazhi në “Twitter” përmbante një link ku mund të gjendeshin kopje të mesazheve të shpërndara tashmë. Kabllogramat e publikuara së fundi duket se janë pjesë e 250000 dokumenteve të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilat kanë përfunduar në dorë të organizatës. Ndër këto dokumente, të cilësuara si kabllograme përfshiheshin edhe korrespondencat e titullarëve të Ambasadës Amerikane në Tiranë.  Qindra materiale, dokumente janë të dërguara nga Ambasada Amerikane në Tiranë drejt DASH, që nga viti 2007 deri në 2010-n, ku ambasador ishte Johon Widhers. Gjithashtu, këto dokumente përfshijnë edhe periudhën ku ambasadore ishte dhe Marcie Rise.

Reagimi i DASH

Ka pasur një reagim të menjëhershëm nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka bërë të ditur se publikimi i këtyre dokumenteve përbën një rrezik për sigurinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në reagimin e tyre të djeshëm rreth orës 15.00 paralajmëruan se publikimi i dokumenteve sekrete nga “Wikileaks” vë në rrezik jo vetëm sigurinë individuale, por edhe atë kombëtare. Zëdhënësja e DASH, Viktoria Nuland, shprehu shqetësimin për të dhënat e zbuluara nga dokumentet e klasifikuara. “SHBA i ndjek me vëmendje zbulimet e reja të “Wikileaks”, ato po përpiqen ta mbajnë sa më të vogël dëmin e shkaktuar për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, theksoi Nuland. Nga ana tjetër, po bëhet gjithçka për t'i ndihmuar njerëzit, që janë prekur nga këto publikime”. Sipas saj, “Publikimi i kabllogrameve sekrete amerikane rëndon jo vetëm marrëdhëniet diplomatike të Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera, po rrezikon edhe jetën e njerëzve”. “Dojçe Vele” bën të ditur se nëntë muaj pas zbulimeve të para të “Wikileaks” me të dhëna diplomatike sekrete, raportimet e fundit në media po shkaktojnë dallgë të reja.

Në internet janë shfaqur edhe tekste origjinale të paredaktuara. Sipas raportimit të "New York Times", publikimet e fundit përmbajnë rreth 134.000 dokumente sekrete dhe për përdorim të brendshëm, përfshirë këtu edhe emrat e burimeve, persona dhe firma. Vitin e shkuar, “Wikileaks” filloi me publikimin e 250.000 kabllogrameve të diplomacisë amerikane. Dokumentet e publikuara së fundmi janë pjesa e dytë e serisë. Portali amerikan për politikën, politico.com raporton se emrat që më parë ishin fshirë me të zezë në publikimin e ri janë të lexueshëm, kjo ka rritur shqetësimin e autoriteteve amerikane. Revista gjermane "Der Spiegel" raporton se ekzistenca e dokumenteve të paredaktuara në rrjet dihet prej muajsh. Kjo po përdoret nga administratori në largim i “Wikileaks”, Daniel Domscheidt-Berg për të mbuluar akuzën se materialet e platformës nuk janë të sigurta.