Struktura e re: Qeveria, Rama shpall skemen me 19 ministra
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Edi Rama prezanton strukturën e qeverisë së re.
DAP në Kryeministri, 16 ministri dhe 3 ministra pa portofol.
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, ka prezantuar dje strukturën e re të qeverisë, që ai do të drejtojë në katër vitet e ardhshme. Kabineti i ri qeveritar, i drejtuar nga kreu i të majtës, do të përbëhet nga një zëvendëskryeministër, 16 ministri dhe tre ministra pa portofol. Struktura e re e prezantuar dje nga Rama përbëhet nga 9 ministri që kanë bashkuar kompetencat. Po ashtu, Rama transferon Departamentin e Administratës Publike në varësi të ministrit të Inovacionit, që është në varësi të Kryeministrit, gjithashtu ai paralajmëroi ristrukturim të organikës së administratës publike. Rama theksoi se emrat e ministrave do të prezantohen në fund të muajit.
Krahasimi
Në qeverinë e Edi Ramës do të funksionojnë dy ministri: Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Energjetikës dhe Industrisë. Nën drejtimin e Aleksandër Meksit, këto ministri quheshin Ministria e Industrisë, Transportit dhe Tregtisë, si dhe Ministria e Burimeve Minerare dhe Energjetikës. Të njëjtën strukturë të përafërt mbajti edhe Fatos Nano, i cili kishte dy pozicione ministrore: Industrinë dhe Energjetikën, si dhe Ekonominë. Ndërsa Sali Berisha në vitin 2005 këto dy ministri i shkriu në një të vetme, të quajtur Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Ndryshimi i dytë i Edi Ramës është bashkimi i Arsimit dhe Sportit në një ministri. Aleksandër Meksi në 1996-n kishte dy dikastere, ku njëri quhej Arsimi dhe Sporti, ndërsa tjetri Arsimi i Lartë dhe Kërkimi Shkencor. Fatos Nano në qeverinë e tij të fundit kishte një dikaster për Arsimin dhe një dikaster për Kulturën, Rininë dhe Sportin. Ndërsa Sali Berisha Arsimit i bashkëngjiti Shkencën, ndërsa Sportin e bashkoi me Kulturën, Turizmin dhe Rininë.
Ndryshimi i tretë i kabinetit Rama është dikasteri që do të administrojë punët publike dhe transportet. Do të formohen dy institucione, të cilat do të quhen Ministria për Transportet dhe Telekomunikacionin, si dhe Ministria për Zhvillimin Urban dhe Turizmin. Në vitin ’96, Aleksandër Meksi transportin ia kishte bashkëngjitur Tregtisë, ndërsa Punët Publike ishin së bashku me Rregullimin e Territorit dhe Turizmin. Nano në vitin 2005 kishte gjithashtu dy dikastere: Transportet dhe Telekomunikacionin, si dhe Rregullimin e Territorit dhe Turizmin. Ndërsa me ardhjen në pushtet, Sali Berisha i shkriu në një Punët Publike, Transportin dhe Telekomunikacionin.
Sot me aleatët
Rama mbledh Këshillin e të Urtëve
Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, do të presë sot në një takim krerët kryesorë të partive aleate, që kanë arritur një numër të lartë votash. Rama ka ftuar në takim Skënder Gjinushin, Paskal Milon, Petro Koçin, Mark Frrokun dhe Spartak Ngjelën. Takimi i kreut të Partisë Socialiste me aleatët kryesorë vjen një ditë pas prezantimit të strukturës së re qeverisëse, dhe tashme me aleatët pritet të respektohet marrëveshja parazgjedhore për përfshirjen e tyre në qeverisje. Dje, Rama ka mbledhur dhe Këshillin e të Urtëve, të cilët i ka falënderuar për këshillimin politik të vazhdueshëm. Kreu i maxhorancës së re u ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit të të Urtëve se bashkëpunimi dhe këshillimi politik do të vazhdojë sërish, por tashme në qeverisje. Në këtë takim ka munguar Et’hem Ruka dhe Servet Pëllumbi.
Qeveria aktuale
1. Sali Berisha – Kryeministër
2. Myqerem Tafaj – Zv.kryeministër e min. Arsimit e Shkencës
3. Majlinda Bregu – min. Integrimit, Zëdhënëse e Qeverisë
4. Aldo Bumçi – ministër i Punëve të Jashtme
5. Flamur Noka – ministër i Brendshëm
6. Arben Imami – ministër i Mbrojtjes
7. Ridvan Bode – ministër i Financave
8. Florjon Mima – min. Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
9. Eduard Halimi – ministër i Drejtësisë
10. Sokol Olldashi – min. Punëve Publike dhe Transportit
11. Halim Kosova – ministër i Shëndetësisë
12. Spiro Ksera – min. Punës, Çësht. Sociale dhe Shanseve të Bar.
13. Genc Ruli – min. Bujqësisë, Ushq. dhe Mbr. së Konsumatorit
14. Visar Zhiti – min. Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
15. Fatmir Mediu – min. Mjedisit, Pyjeve e Admin. të Ujërave
16. Genc Pollo – ministër për Inovacionin e Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit