e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Steve Forbes: Greqia te marre shembull nga Shqiperia e Bullgaria

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Steve Forbes: Greqia te marre shembull nga Shqiperia e Bullgaria
Steve Forbes, botuesi i revistës “Forbes” i sugjeron Greqisë të ndjekë shembullin e Shqipërisë dhe Bullgarisë, të cilat arritën t’i mbijetojnë presioneve të krizës falë taksës së sheshtë. Sipas Forbes, aplikimi i kësaj takse është mënyra më e mirë për të vjelë të ardhura nga bizneset, të cilat ndodhen në vështirësi. I pyetur lidhur me politikat fiskale që po ndjek qeveria greke, Forbes u shpreh se masat e marra nuk kanë rezultuar produktive.

“Jo vetëm grekëve, po as shqiptarëve e as bullgarëve nuk u pëlqen të paguajnë taksa. E megjithatë qeveritë e këtyre vendeve aplikuan taksën e sheshtë prej 10 %, çka rezultoi një masë efikase për mbledhjen e të ardhurave dhe zhvillimin e ekonomisë”, deklaroi Forbes. Forbes nënvizoi po ashtu se në Greqi nuk janë inkurajuar politika zhvillimore, ndaj dhe ekonomia greke sipas tij po shkon drejt falimentimit.

Sipas tij Bashkimi Europian po ndjek një taktikë të gabuar, sa i përket zgjidhjes së krizës greke, duke lejuar rivlerësimin jovullnetar të borxheve si dhe duke u treguar indiferente ndaj politikave nxitëse për zhvillimin e ekonomisë. Steve Forbes paralajmëron se kriza do të vijojë të ketë pasojë të rënda jo vetëm për Greqinë, por edhe për vende të tjera si Spanja e Italia, nëse nuk do të kryhen reforma transformuese.