e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Spahiu: Berisha pazare me Samaras ne dem te Shqiperise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Spahiu: Berisha pazare me Samaras ne dem te Shqiperise
Një ditë pas bërjes publike të konstatimeve dhe rekomandimeve në raportin e komisionit hetimor parlamentar që lidheshin me rolin e ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiut, ky i fundit reagoi me akuza ndaj kryeministrit Berisha. Spahiu ka denoncuar një takim mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të partisë greke, “Nea Demokracia”, Andonis Samaras, të cilin e ka cilësuar si një pazar të pastër për të cilin Berisha duhet të japë sqarimet e nevojshme në Parlament.

Denoncimi i Spahiut

Kreu i Aleancës Kuqezi ka kërkuar të zbardhet takimi i Berishës me kreun e opozitës greke Samaras. “Të zbardhet takimi mes Berishës dhe kreut të Demokracisë së Re, Andonis Samaras. Të zbardhet çfarë i kërkoi Samaras Berishës dhe çfarë pazaresh u bënë mes tyre, cilat kanë qenë premtimet dhe çarë këmbeu Berisha për kufirin detar. Cila është lidhja e mafias serbe me kompanitë e kërkimit të naftës në jug”, ka deklaruar Spahiu.

Largimi nga politika

Kreshnik Spahiu tha se shembulli grek i largimit nga skena politike të politikanëve të korruptuar ka ardhur koha të implementohet edhe në Shqipëri. Ndërsa për komisionin hetimor do të artikulonte vetëm një fjali të vetme. “Populli grek zboi dhe largoi klasën politike të korruptuar dhe nacionaliste dhe po ashtu ka ardhur koha që shqiptarët të largojnë vasalët e nacionalizmit grek që udhëheqin qeverinë e Tiranës zyrtare. Do ketë një fund kur krokodili do të mbytet në detin e votave kuqezi. Komisioni hetimor është një haraç dhe një peng i nacionalizmit grek”, ka theksuar Spahiu. Spahiu, përveç Berishës ka sulmuar edhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ai deklaroi se janë dy qeveritë, Berisha dhe Thaçi, që në vend që të bashkojnë shqiptarët i ndajnë ata, pasi janë dy qeveritë më të korruptuara në rajon dhe Europë.

Lezhë, Aleancës Kuqezi i ndalohet manifestimi

Aleancës Kuqezi i është refuzuar dje leja për mbajtjen e një manifestimi në Lezhë, me rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Në reagimin e saj, Aleanca ka deklaruar se kërkesa që ajo kishte bërë në policinë dhe bashkinë e qytetit është hedhur poshtë me urdhër të kryeministrit. “Po na refuzohet e drejta e tubimeve paqësore. Refuzimi i lejes është bërë me urdhër të Berishës. Megjithatë, ne nuk tërhiqemi nga kremtimi i përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës”, ka deklaruar Aleanca.

Biberaj: Nga PD do të largohen deputetë të tjerë

Tashmë që partia më e re në kampin e djathtë numëron edhe një deputet, Gazmend Oketën, themeluesit ftojnë edhe deputetë të tjerë të PD për t’iu bashkangjitur lëvizjes që mendohet se do të drejtohet një ditë nga presidenti aktual Bamir Topi. Aleksandër Biberaj një prej figurave kryesore te kësaj partie që pritet të zyrtarizohet në muajin mars përshëndet largimin e Oketës nga PD duke paralajmëruar lëvizje të reja në grupin parlamentar demokrat. Biberaj del kundër zërave se kjo parti e re do të përçajë të djathtën duke rritur mundësitë e ardhjes në pushtet të së majtës. Sipas tij programi i partisë do të synojë të përfaqësojë interesat e qytetarëve të pakënaqur. Edhe pse zyrtarizimi i partisë së re do të ndodhë brenda pak javësh ende nuk dihet emri që kjo forcë do të mbajë apo kush do ta drejtojë në muajt e parë. Deri më tani në radhët e kësaj partie janë rreshtuar njerëz të larguar nga PD, si Oketa, Biberaj, apo Sali Shehu ndërkohë që mësohet se nuk do të përfshihen figura të konsumuara në 20 vite tranzicion duke u përqendruar më së shumti tek figura të reja në politike./v+