e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'Skerdilajdi u vra per pronat ne Hamallaj'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'Skerdilajdi u vra per pronat ne Hamallaj'
Skerdilajd Konomi u vra për pronat në Hamallaj. Familjarët e gjyqtarit të ekzekutuar në mes të qytetit të Vlorës i kanë drejtuar një letër të hapur Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha, selive diplomatike e institucioneve ligjore, ku shprehen se ndihen të rrezikuar, pasi autorët nuk janë gjetur dhe çështja e pronave mbetet ende e pazgjidhur. Presidentit i shkruajnë frikën e madhe që kanë tashmë që ndodhen në pragun e një gjyqi në datën 3 tetor dhe i kërkojnë të ushtrojë të gjithë influencën që procesi të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje me ligjin. Kryeministrin e vënë në dijeni për problemet e mbartura të pronave në Hamallaj të Durrësit, ndërsa vijojnë se Skerdilajdi nuk ka pasur të tjera konflikte, veç ato të pronësisë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, familjarët kanë informuar edhe selitë diplomatike, duke i bërë një rezyme të të gjitha problemeve dhe kalvarit që kanë kaluar.

Letra për Topin

Letra drejtuar Topit fillon me një falënderim të veçantë për solidaritetin e tij për familjen dhe angazhimin publik kundër aktit të rëndë që i mori jetën Skerdilajdit. “Ju drejtohemi në këto momente të vështira si përfaqësues dhe garantuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet. Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën. Nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore të hetimeve.

Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi, i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetëm mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme.

Gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit dhe finalizimi i proceseve të pronësisë konform ligjit, do të lehtësojnë dhimbjen e familjarëve dhe do të japin një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri”, thuhet në letër, duke vijuar se pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi, dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë. “Me besim në punën dhe angazhimin tuaj në zbatim të ligjit, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë për ne dhe për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate”, përfundon letra për Presidentin.

Letra për Berishën

Familjarët e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, i kanë shkruar një letër edhe Kryeministrit Sali Berisha. Ata i tregojnë për frikën për jetën dhe për humbjen e pronës përmes kërcënimit dhe manipulimeve gjyqësore e të strukturave të tjera. Ndërkohë, hedhin edhe dyshime se vrasja e gjyqtarit është e lidhur me procesin për kthimin e pronave në Durrës. “Për pesë vjet, Skerdilajdi është përpjekur të gjejë të drejtën në lidhje me pronat e familjes së tij në rajonin e Durrësit. Fatkeqësisht nuk arriti t’i merrte plotësisht, pavarësisht se Gjykata e Lartë i kishte dhënë të drejta të plota. Ne dyshojmë fuqimisht se vrasja e tij është e lidhur me këtë proces. Duke ndjekur verdiktin e gjykatës, familja ka aplikuar për të regjistruar tokat në zyrën hipotekore. Të shqetësuar se rezultati i këtij gjyqi mund të trukohet, për shkak të manipulimeve direkt dhe indirekte, presim nga organet kompetente të ushtrojnë të gjithë fuqinë që i jep ligji për të garantuar drejtësinë. Me besim të plotë në mbështetjen tuaj të sinqertë, ne kërkojmë që ligji të sundojë mbi krimin e tmerrshëm ndaj Skerdilajdit, por edhe mbi të ardhmen e jetës dhe pronës së fëmijëve dhe familjes së tij”, thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit.