e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Skandal me makinat e vjetra, qeveria ben ligjin pasi eshte ndertuar biznesi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Skandal me makinat e vjetra, qeveria ben ligjin pasi eshte ndertuar biznesi
Mesditën e 22 Shtatorit  mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj projektligjin për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve”, pamvarësisht kundërshtimit të  fuqimisht nga opozita. Thelbi i këtij ligji është lejimi i importimit të mbetjeve për qëllime riciklimi. Pak ditë më vonë, parlamenti miratoi sërish me debate dhe kundërshtimin e opozitës, një akt normativ të qeversië, lidhur me mbylljen, deri në datën 7 Tetor, të biznesve të ashtuquajtura varrezat e makinave, që ushtrojne aktivitet pranë rrugëve nacionale.

Qeveria e motivoi vendimin për arsye të ndotjes mjedisore që ato shkaktojnë. Opozita sërish kundërshtoi duke thënë se nuk ka pse ky akt të miratohet me urgjencë. Qeveria vendosi që nëse dëri në datën 7 Tetor,  pronarët nuk i kanë larguar makinat e vjetra 1 kilometër  larg rruges, atëherë ato do të skekuestrohen dhe ushtria do të vijë në ndihmë për këtë operacion. Po ku do të shkojnë ato, kush do ti shesë, kush do ti bleje, ku do të përfundojnë e për llogari të kujt?

Zyrtarisht nuk ka ende asnje informacion mbi këtë, derisa afati zyrtar ende nuk ka skaduar.

Por një investigim i TCH ka zbuluar se paralelisht me punën për hartimin dhe miratimin e këtij ligji, për importin e mbeturinave dhe aktin normativ për sekuestrimin e makinave të vjetra, në terren është vijuar me ndërtimin e impianteve ku do të përpunohen mbetje. Vetëm disa dhjetra metra larg nga mbikalimi i Xhavzotajt, në të djathtë të rrugës Tiranë Durrës, është ndërtuar së fundi një  impinat, ku ka filluar të bëhet perpunimi i dhe përfitmi i skrapit nga makinat e vjetra. Rojet që patrullojnë objektin pohuan se impianti është ndërtuar nga kompania ScholZ. Nga një kërkim në Qëndrën e Kombëtare të rregjistrimit të bizneve, rezulton se kompania Scholz është rregjistruar që në 9-Prill 2008 me qëndër në Shkodër dhe pronarë, Branisllav Pejovic dhe  Rado Brajoviq.

 Po nga QKR mësohet se objekti i aktivitetit të këtij subjekti është “Grumbullimi, Përpunimi, Riciklimi, tranzitimi, transporti, eksporti mbetjeve të ngurta dhe të vëllimshme me përmbajtje metalore”. Liçenca per kete aktivitet eshte marre nga kompania gjermane SCHOLZ AG me qender ne Essingen, Baden-Ëurttemberg në Gjermani ndërsa filiali qe ka ndertuar ne Shqiperi quhet SCHOLZ LTD ALBANIA. Sipas përllogaritjeve, sot në Shqipëri ndodhen rreth 100,000 ton mbetje skrap nga varrezat e makinave apo makinat e vjetra, për të cilat u miratua edhe një akt normativ për sekuestrimin e tyre nese nuk largohen deri ne daten 7 tetor. Një impimpiant si Scholz parashikohet të ketë një fuqi përpunuese deri në 10 mijë ton në muaj që do të thotë se për përpunimin e 100,000 mijë ton skrap nga makinat në territorin e vëndit tonë,  kjo kompani ka lëndë të parë vetëm për 10 muaj.

Por si do të sigurohet lënda e parë për këtë kompani apo të tjera të ngjashme të ndërtuar në mënyrë legjitime për këtë aktivitet? Përgjigja mund të gjendet tek neni 49 I ligjit të miratuar pak ditë më parë ku thuhet:

“Lejohet të importohen në vend mbeturina urbane të parreziksheme të cilat mund të përdoren si lëndë e parë për industrinë perpunuese në vend, kur ajo nuk plotësohet me nevojat e mbeturinave qe prodhohen ne vend”.

 SCHOLZ AG kompania mëmë e Scholz LTD Albania  është partnere e kompanisë C.I.O.S GROUP e cila merret me grumbullimin e skrapeve dhe te mbeturinave urbane. Ajo ka qendrat e saj ne Serbi, Bosnje-Hercegovine, Kroaci dhe Shqiperi. Banorët lokale, jashtë kamerës, tregojnë edhe për ndërtimin e një tjeter fabrike disa metra me larg asaj të Scholz, e cila do të merret me shkrirjen e baterive te makinae, plumbit dhe metaleve me ngjyrë qe do te dalin nga perpunimi i makinave te vjetra dhe do t’i shkrije ne kallepe zinku e plumbi, një proçes teknologjik tejet helmues. Besohet se  fuqia e instaluar ne impiant te do te jete sa trefishi i te gjithe akumulatoreve e baterive qe ka vendi ynë të reja e të vjetra.

Lëvizja e qeverise per te hartuar kuadrin ligjor per importin e mbeturinave dhe sekuestrimin e makinave te vjetra, ka qene paralele me punen për ndërtimin e bizneseve puna e të cileve varet nga ky ligj. Nuk ka asnjë informacion nese makinat që do të sekuestrohen do te perfundojne ne kete fabrike, apo se edhe mes mbeturinave që do të importohen do të ketë edhe makina të vjetra nga vende te tjera. Por ajo qe ofrojne dokumentet zyrtare është fakti se bizneset për riciklimin e mbeturinave, dhe vecanerisht importin dhe eksportin e tyre, janë regjistruar në QKR në kohën kur ende nuk ishte hartuar dhe miratuar ligji qe lejon importin e tyre.