e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Si po na pergjon shteti pa ligj!

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Si po na pergjon shteti pa ligj!
Kaos legjislativ në rregullimin e veprimtarisë së shërbimeve inteligjente shqiptare. Jozefina Topalli pengesë për miratimin e Ligjit pèr Mbikqyrjen Parlamentare të Shërbimeve Inteligjente. Aktualisht vendi ynë gjendet në një situatë absurde sa i përket rregullimit të veprimtarisë së shërbimeve që kryejnë funksione inteligjence. Në perceptimin e oponionit publik, por jo vetëm të atij, por dhe atë mediatik e madje dhe politik, ekziston idea se shërbim inteligjent kryen vetëm SHISH. Në të njëjtën kohë, opinioni publik dhe të gjithë aktorët e interesuar për transparencën e funskionimit të institucioneve të ekzekutivit, nuk janë të vetëdijshëm për veprimtarinë e të gjitha shërbimeve inteligjente që operojnë në vendin tonë, si dhe për faktin se si rezultat i nevojave të caktuara, janë krijuar mjaft agjenci të cilat kryejnë funksione inteligjence.

Kështu përveç SHISH, shërbimi i dytë më i madh është Shërbimi Informativ Ushtarak (SHIU), i cili është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes (MM), por i ndarë nga Forcat e Armatosura dhe që raporton tek Ministri. SHIU ka një mandat mjaft të gjerë. Ai përfshin grumbullimin e informacioneve jashtë dhe brenda vendit mbi veprimtari të cilat kërcënojnë e rrezikojnë integritetin e vendit, veprimtari të cilat kërcënojnë e rrezikojnë rendin kushtetues, informacion për veprimtari që lidhen me spiunazhin,informacion për veprimtari që lidhen terrorizmin, aktivitetet e sabotazhit ,akte subversive kundër Forcave të Armatosura ,çdo veprimtari tjetër që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin shtetit.

Si rezultat i ristrukturimeve të realizuara së fundmi, SHIU është bërë një organizatë më strukturë më të madhe e cila përfshin batalionin SIGINT dhe J2, struktura të cilat më parë kanë qenë pjesë e Forcave të Armatosura në varësi të  komandës ushtarake dhe që raportonin tek Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Kjo gamë e gjëerë veprimtarie, një pjesë e së cilës nuk është e kodifikuar në ligj për shkak të ndryshimeve të bëra rishtazi, siç u përmendën më lart, vë një pikpyetje të madhë ne kushtetueshmërinë e veprimtarisë funksionale të këtij shërbimi. Ashtu si SHISH edhe SHIU nuk ka kompetenca të karakterit policor.

Shërbimi i tretë, kompetencat e të cilit konsistojnë vetëm në grumbullimin dhe analizimin e informacionit është Njësia e Inteligjencës Financiare (NIF). NIF është në varësi të Ministrisë së Financave (MF) dhe raporton tek Ministri. Mandati i NIF është mbledhja e informacionit mbi veprimtaritë e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Veprimtaria e këtij Shërbimi nuk është e rregulluar me ligj.

Ka edhe disa agjenci të tjera gjithashtu, të krijuara kryesisht në pesë-gjashtë vitet e fundit, që ndryshe nga shërbimet e sipërpërmendura, kanë edhe kompetenca për të mbledhur prova dhe nisur një procedurë penale, të kryejnë kontrolle fizike të njerëzve dhe mjediseve private dhe madje edhe të arrestojnë. Të tilla janë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme (SHKB), i cili raporton tek Ministri. Fusha e përgjegjësisë së SHKB-së është parandalimi, hetimi dhe të mbledhja e të dhënave për veprat penale të nga kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme. Përveç kompetencave tipike të një shërbimi informativ, SHKB ka edhe kompetenca të të tjera mjaft të gjëra të cilat përfshijnë të drejtën për të bërë kontrolle fizike dhe konfiskuar materiale që mund të çojë në mbledhjen e infromacionit apo të dhënave si dhe të detyrojë personat fizikë apo juridikë për të dorëzuar dokumentet ose informacionin që ata mund të kenë.

Duhet shënuar gjithashtu edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve (SHKBB) në varësi të Ministrisë së Drejtësisë (MD). SHKBB është pjesë e strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe raporton tek Ministri i Drejtesisë. Mandati i SHKBB është parandalimi dhe hetimi i veprimtarive të paligjshme të kryera nga punonjesit e burgjeve. Perveç kompetencave për grumbullimin e informacionit, të cilat sipas ligjit janë 'të njejta me ato të SHISH', kompetencat e SHKBB përfshijnë të drejtën për të grumbulluar prova dhe iniciuar një proces penal si dhe kompetenca për të arrestuar.

Vjen më pas edhe Departamenti Operativ dhe Hetimor (DOH), që është një agjenci në strukturën e Drejtorisë së Pergjithshme të Doganave (DPD), dhe varet nga Ministri i  Financave. Fusha e përgjegjësisë ështe mbrojtja e interesave ekonomike dhe fiskale të Shqiperisë, por edhe mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike. DOH ka kompetenca të kryejë kontrolle fizike, të grumbullojë informacion dhe të ndermarrë një hetim penal. Veprimtaria e klëtij shërbimi nuk është e rregulluar me ligj.

Së fundi, është edhe Drejtoria e Hetimit Tatimor (DHT), nën strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e cila njësoj si DPD është një agjenci që varet nga Ministri i Financave. Fusha e përgjegjesisë së DHT është parandalimi, hetimi dhe ndërprerja e veprimtarive kriminale në fushën e tatimeve dhe taksave. Kompetencat DHT përfshijnë grumbullimin, analizën dhe shpërndarjen e informacionit, por edhe të drejtën e nisjes së një hetimi penal. Edhe veprimtaria e këtij shërbimi nuk është e rregulluar me ligj.

Problematika që del nga parashtrimi i mësipërm nuk ka të bëjë me faktin se ekzistojnë një numër shërbimesh që kryejnë funksione intreligjence, por në faktin alarmant se një pjesë e mirë e tyre e zhvillojnë veprimtarinë pa një kuadër të saktë ligjor, gjë që lë shteg për abuzime me pushtetin dhe instrumentalizim të këtyre strukturave kaq të rëndësishme për shtetin. Një pjesë e tyre veprimtarinë e kanë të rregulluar me ligj, ndërsa një pjesë tjetër vetëm me vendime të Këshillit të Ministrave apo ministrave në varësi të të cilëve ato ushtrojnë veprimtarinë. Mundësia për të abuzuar me liritë dhe të drejtat e shtetasve, dhe për t’i keqpërdorur këto institucione sensitive për interesa të ngushta politike është shumë e lartë ndërkohe që mbikqyrja e veprimtarisë së tyre për të garantuar kushtetueshmërinë e veprimtarisë është domosdoshmeri.

Më lejoni t’i referohem vetem një shembulli që është pasqyruar publikisht. Sali Berisha menjëherë pas ngjarjeve të 21 janarit deklaroi se e vetmja agjenci që sipas tij i kishte ofruar informacion për një ‘tentativë për grusht shteti” ishte shërbimi i ushtrisë. Natyrshem lind pyetja se mbi ç’baza e ka marrë kjo agjenci këtë informacion, ç’metoda ka përdorur, a janë ato të ligjshme, a është vënë në përgjim opozita apo përfaqësues të saj, a ka informuar kjo agjenci shërbimin informativ shtetëror e nje sërë pikëpyetjesh të tjera.
Pikërisht nisur nga ky fakt, ne si opozitë kemi insistuar në hartimin e një ligji për ‘Mbikqyrjen Parlamentare të Shërbimeve Inteligjente në Shqipëri”. 

Projektligji i hartuar në bashkëpunim me ekspertë britanikë të fushës, të komisionuar nga OSBE, ka përfunduar që në Gushtin e vitit të kaluar dhe vetëm për shkak të mungesës së vullnetit politik të maxhorancës me përgjegjës të vetëm e kryesorë Sali Berishën e Jozefina Topallit ky projektligj nuk futet në axhendën parlamentare. Arsyet e vërteta i dijnë ata, por në gjykojmë se këta dy personazhe nuk duan që agjencitë që kanë nën kontrollin e tyre të vihen në lupën e përfaqësuesve të popullit.

Madje Jozefina Topalli është pengesa kryesore në sabotimin e kësaj nisme të domosdoshme duke penguar edhe përfaqësuesit e Komisionit të Sigurisë të marrin pjesë në takime të kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë me justifikimin e mungesës së fondeve, ndërkohë që fondet për salltanetet e saj dhe të ushtrisë nepotike të Kuvendit nuk mungojnë asnjëherë. Dua të sqaroj për opinionin publik se projektligji për mbikqyrjen e veprimytarisë së shërbimeve inteligjente nuk ka si objekt vetëm SHISH( madje ky është i vetmi shërbim i cili raporton në Kuvend, ndërkohë që shërbimet e tjera janë totalish jashtë kontrollit), por pikërisht të gjitha shërbimet inteligjente të cituara në parashtrimin e msipërm.

*Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë  në Kuvendin e Shqipërisë