e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shqiptaret me dy pasaporta, ngerc i ri

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqiptaret me dy pasaporta, ngerc i ri
Zv.ministri Poni: Do të ishte shumë mirë që viza të vendosej edhe në pasaportën e re

Qeveria shqiptare nuk jep asnjë alternativë të qartë se çfarë do të bëhet me pasaportat e vjetra në fillim të vitit të ardhshëm, kur do të jenë të vlefshme vetëm pasaportat biometrike. Për të përmbushur angazhimet e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, por edhe për marrëdhënie korrekte me kompaninë që prodhon pasaportat biometrike, qeveria pritet të marrë një vendim për nxjerrjen jashtë përdorimit të pasaportave të vjetra.

Vizat jashtë Shengenit

Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, është përpjekur dje të sqarojë se si do të trajtohen pasaportat me vizë për të udhëtuar jashtë, në një shtet jashtë zonës Shengen. Por udhëzimi i dhënë prej tij nuk ka qenë bindës. “Ende nuk ka një vendim që thotë se më datën 1 janar 2011 pasaportat e vjetra do të dalin jashtë përdorimit. Një person mund të dalë me pasaportën e vjetër dhe ka pasaportën e re. Udhëtari që e ka pasaportën e vjetër me vizë, bashkë me pasaportën e re e tregon atë tek autoritetet kufitare. Do të ishte shumë mirë që viza të vendosej edhe në pasaportën e re”, tha Poni. Kur, përfaqësuesi i qeverisë shprehet se “do të ishte shumë mirë që viza të vendosej edhe në pasaportën e re”, do të thotë se nuk ka asnjë garanci se viza në pasaportën e vjetër do të konsiderohet e vlefshme kur shtetasi të jetë i pajisur me dy pasaporta. Deri më sot, qytetarët shqiptarë të pajisur me pasaportat e reja biometrike nuk kanë hasur probleme në vendet e zonës Shengen për vizat dhe lejet e qëndrimit që i kanë në pasaportat e vjetra.

Prodhimi

Deri me tani janë prodhuar 1 milion e 50 mijë pasaporta kundrejt 1 milion e 150 mijë aplikimeve. Një pasaportë biometrike kërkon mesatarisht 26 ditë për t’u prodhuar. Ministria e Brendshme tashmë ofron një zgjidhje për rastet urgjente, kundrejt pagesës 15 mijë lekë të reja, ndërkohë që në 13 nëntor emigrantët shqiptarë mund të aplikojnë për pasaportë në vendin ku punojnë. “Për të gjitha kërkesat për një pasaportë që të prodhohet në kohë urgjente ne mund ta realizojmë brenda tri ose katër ditësh, sigurisht kundrejt një pagese”, tha Poni. Ndërkohë, për të përballuar fluksin e madh të aplikimeve, Ministria e Brendshme kërkon të shkurtojë afatin e prodhimit të pasaportës biometrike duke rritur dhe kapacitetin prodhues të tyre. Sipas Ponit, deri në fund të vitit, parashikohet të jenë tërhequr rreth 1 milion e gjysmë pasaporta biometrike. Ai sqaron qytetarët se për periudhën deri më 1 janar të vitit 2011, pasaporta e vjetër del jashtë përdorimit në momentin e prodhimit të pasaportës biometrike dhe jo në momentin e aplikimit sikundër mund të jetë keqkuptuar.