e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shqiptaret, levizje e lire para Krishtlindjeve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqiptaret, levizje e lire para Krishtlindjeve
Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian pritet të votojnë në shumicë pro heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Mediat ndërkombëtare kanë bërë dje të njohur se vendimi i marrë në Parlamentin Europian do të adoptohet me shumicë votash nga përfaqësuesit e qeverive të BE-së, që janë edhe hallka e fundit vendimmarrëse në këtë drejtim. “Vendimi do të hyjë në fuqi pak para Krishtlindjeve”, citon gazeta “Eu Observer”, një zyrtar të BE-së. Ai do të jetë i vlefshëm për zotëruesit e një pasaporte biometrike dhe lejon këta të fundit në një qëndrim jo më të gjatë sesa tre muaj në hapësirën “Shengen”.

Edhe pse është bërë e ditur paraprakisht se procesi nuk ka më asnjë pengesë përpara, njoftimi në fjalë ka rëndësi sepse pasqyron një vendim politik final nga ana e vendeve të BE-së. Këtu nuk duhet harruar se edhe në votimin e bërë në Parlamentin Europian, mëdyshjet dhe kundërshtimet ishin të pranishme, çka krijon një thyerje në perceptimet e qytetarëve europianë dhe atyre shqiptarë apo boshnjakë.

Manifestim i këtij ndryshimi është politika, që në Tiranë do të organizojë festimet përkatëse, në disa vende të BE-së po shpreh pakënaqësi. Kështu, “EU Observer” bën me dije se Holanda ka përcjellë kritikat e veta për Shqipërinë, duke vënë theksin te mungesa e reformave, cilësia e demokracisë, por edhe korrupsioni apo krimi i organizuar. Për arsye të emigracionit, edhe Franca po mban një qëndrim të rezervuar ndaj vendimit ku ministri i saj i Brendshëm do të duhet të votojë. Shpresa e Shqipërisë dhe e Bosnjës, gjithsesi nuk do të vihet dot në dyshim nga këto dy vende, për sa kohë që vendimi merret me shumicë votash. Por prapavija e procesit mbetet problematike dhe mund të vërë në diskutim suksesin e lëvizjes së lirë nëse politika nuk arrin të përmirësojë situatën në vend.

Pavarësisht një vendimi pozitiv për vizat, progres-raporti i vitit 2010 ka përcjellë kritika për Shqipërinë dhe duhet nënvizuar se ai është një dokument i përbashkët i BE-së. Më real është shqetësimi që pason hyrjen në fuqi të lëvizjes së lirë, për të cilat BE do të testojë edhe prirjen e qytetarëve shqiptarë. Në mjaft deklarime dhe qëndrime, por edhe në fushatën e nisur nga qeveria shqiptare, opinioni po përpunohet me idenë se heqja e vizave nuk jep të drejtën e një qëndrimi të pakufizuar në hapësirën “Shengen”. Madje ajo nuk jep të drejtën as të punësimit, i cili është në fakt shpresa e vërtetë për shumë shqiptarë që aktualisht jetojnë në kushte të vështira.

Si i tillë liberalizimi i vizave vjen si një e drejtë e hapur lëvizjeje për qytetarët më të varfër të Europës, por që vështirë se mund të bëhet realisht e dobishme pa perspektivën e punësimit. Këtu mjafton të kujtohet nisma e Komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili pak ditë më parë, bëri të njohur një letër për Serbinë dhe masat që duhen marrë prej saj për të frenuar fluksin e lëvizjes drejt Perëndimit. Si i tillë, akti i 8 nëntorit është i paprecedentë dhe paradoksal në formulim: një lëvizje e lirë, apo pa viza por që hyn në fuqi me kufizime që duken si ekskluzive për ballkanasit. Të veçanta në këtë kontekst janë edhe ethet e pasaportave biometrike në Shqipëri, çmimi i të cilave është luhatur, në funksion të kohës së posedimit.