e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shqiperia, miqesore me Argjentinen

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqiperia, miqesore me Argjentinen
Zyrtare, kundër Mesit&Co. do të luhet më 20 qershor në Buenos Aires

Shqipëria do të luajë ndaj Argjentinës së Lionel Mesit në një miqësore luksi që do të zhvillohet më 20 qershor në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit. Nuk është një lajthitje mediatike, por një lajm zyrtar i konfirmuar sot njëkohësisht nga burime të Federatës Shqiptare të Futbollit, FSHF dhe nga Federata Argjentinase. Menjëherë më pas është shquar edhe në faqet më të njohura të lajmeve në internet si “Reuters”, por edhe gazetat argjentinase “Ole”, “La Nacion”, të cilët i referohen pohimit të vetë trajnerit të Argjentinës, Serxhio Batista, në një konferencë shtypi të mbajtur në kryeqytetin e vendit.

Duke folur për objektivat e skuadrës së tij në Kupën e Amerikës së Jugut, Batista ka zbuluar edhe programin e ndeshjeve miqësore. “Përveç Polonisë, me të cilën do të luajmë më 5 qershor, më 20 qershor do të ndeshemi me Shqipërinë në stadiumin e Buenos Airesit”, ka bërë të ditur Batista. Lajmi për një miqësore mes Argjentinës dhe Shqipërisë kishte kohë që qarkullonte dhe federatat kanë qenë në negociata të përhershme nëpërmjet kompanisë “UFA Sports”.

Por, kombëtarja amerikano-jugore pati kërkuar në fillim që ndeshja të luhej në fillim të qershorit, gjë që nuk është pranuar nga trajneri Josip Kuzhe për shkak se Shqipëria më 7 qershor luan takimin zyrtar kundër Bosnjës. Miqësorja me Argjentinën është padyshim më e madhja që kombëtarja shqiptare ka zhvilluar ndonjëherë. Në të kaluarën, kundërshtarët më me emër që kanë pranuar të luajnë ndeshje miqësore me Shqipërinë kanë qenë Portugalia, Suedia, Meksika. Kjo e fundit është edhe kundërshtari i vetëm amerikano-jugor me të cilin ne kemi luajtur në gjithë historinë tonë. Të rikthehemi edhe njëherë te ndeshja me Argjentinën. “Ne do të luajmë më 20 qershor në stadiumin ‘River Plate’ dhe kjo do të jetë në ndeshjen e fundit para se të ‘Coppa America’”.

 Kjo u konfirmua nga Guillermo Tofoni, drejtori i kompanisë “World Eleven”, i cili është edhe njeriu që përzgjedh ndeshjet miqësore të Mesit me shokë. Më 20 qershor në fushë do të jenë yje të kalibrit Mesi, Maskerano, Higuain apo Di Maria. Ndërsa tashmë është e sigurt që në këtë sfidë do të mungojë sulmuesi tjetër i njohur, Karlos Tevez, pasi sipas trajnerit Batista “është Mesi lojtari numër 9 i Argjentinës dhe loja e  ekipit do të përshtatet me atë të Barcelonës”, ku ylli i futbollit argjentinas, i konsideruar si futbollisti më i mirë i botës luan në të njëjtin pozicion. Trajneri Batista ka bërë të ditur se pas ndeshjes, do të vendosë edhe skuadrën me të cilën do të luajë në Kupën e Amerikës së Jugut, që do të zhvillohet në muajin korrik në Argjentinë. "Shqipëria pozicionohet e 50-ta në renditjen e FIFA-s, kështu që do të jetë një rival i shkëlqyer për ne. I jemi përgjigjur pozitivisht kësaj ftese për miqësore, pasi kjo është e vetmja mënyrë ku ne do të mund të shikojmë formën e lojtarëve tanë”, tha “Cheche” (siç quajtur ndryshe trajneri i Argjentinës, Batista.

 Shqipëria e konsideruar si një skuadër, e cila mbrohet mirë, do të ishte një test shumë i mirë për Argjentinën, e cila në Kupën e Amerikës do të duhet të përballet me një sërë ekipesh, të cila luajnë shumë në mbrojtje. Duke qenë se është edhe ndeshje e fundit para “Coppa America”, që do të zhvillohet në Argjentinë më 1-24 korrik, Batista pritet të paraqitet me ekipin më të mirë përballë kuqezinjve”.