e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shpetim Idrizi: Te bojkotojme cdo produkt grek ne tregun shqiptar

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shpetim Idrizi: Te bojkotojme cdo produkt grek ne tregun shqiptar
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi tubimin e vetë elektoral në qytetin e Korçës. Përpara mbështetësve të kësaj partie në Korçë, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi vlerësoi rolin që ka luajtur Korça si qendër e patriotizmit shqiptar dhe reagoi në lidhje me ndalimin e të moshuarve çamë në kufirin shqiptaro-grek një ditë më parë. Pas incidentit në kufi, kur një grua çame nuk është lejuar nga autoritetet greke që të hyjë në Greqi, kreu i PDIU-së, tha se, në rast se incidente të tilla përsëriten sërish, atëherë çamët do të ngrihen në protesta masive, ndërsa do të kërkohet edhe bojkotimin i të gjitha produkteve greke nga qytetarët shqiptarë.

Paralajmërimi

Duke folur për platformën ekonomike të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Untiet, z. Idrizi deklaroi se Korça duhet të kthehet një nga qendrat kryesore të rajonit tonë, pasi ka të gjitha elementet e nevojshme. Si zhvillim ekonomik që ka në thelb patriotizmin, sipas z. Idrizi Korça duhet të jetë një ndër qendrat kryesore ekonomike dhe kulturore. “Jo rastësisht unë ju referova patriotizmit historik dhe modern shqiptar këtu në Korçë. Këtu Rilindja kombëtare, patriotizmi historik u mbështet nga një zhvillim ekonomik dhe kulturor i jashtëzakonshëm. Korça, pellgu përreth saj i dhanë ngjyrën e vet, i dhanë cilësinë e vet Rilindjes kombëtare me figurat e shquara Fan Nolin, Themistokli Gërmenjin, Petro Nini Luarasin,e shumë e shumë të tjerë. Por qëllimisht dua të nënvizoj atë se ky patriotizëm u mbështet nga një zhvillim i madh ekonomik, nga një grumbullim kapitali, nga kontribute të mëdha të bijve të Korçës që jetonin në diasporë. Kam parë librat e dhurimeve të bijve të Korçës, së Kolonjës që jetonin në Amerikë, për shkollat shqipe dhe jam emocionuar.” – tha z. Idrizi.

Patriotizmi pragmatik

Sipas tij, sot patriotizmi modern, patriotizmi pragmatik për të cilin flet PDIU-ja, nuk është një patriotizëm nostalgjie dhe është një patriotizëm i mbështetur mbi zhvillimin ekonomik të vendit. Idrizi theksoi se në këtë zhvillim Korça pa dyshim duhet të luajë rolin që i takon. Korça ka shumë për të luajtur në këtë zhvillim. “Korça ka traditën e punës, të qytetërimit, të grumbullimit të kapitalit, të industrive të vogla prodhuese, të artizanatit, të arsimimit cilësor. Dhe në këtë zhvillim, fjala kyçe është patriotizëm. Të duash Shqipërinë, të duash Korçë, të duash flamurin- kjo është motoja e PDIU-së. Kjo duhet të jetë motoja e çdo shqiptari, të vjetër e të ri. Mos kujtoni që ne propagandojmë teza nacionaliste që duan që Korça të humbasë lidhjet me fqinjët e saj. Jo! Ne duam që Korça të rifitojë rëndësinë e vet për rajonin. Ne duam që nga korçarët të mos fitojë vetëm Selaniku, siç ka qenë gjithmonë në histori, ashtu siç është dhe sot. Ne duam që të fitojë dhe Korça. Ne duam që Korça duke theksuar shqiptarësinë e vet unike, të fitojë nga perspektiva e hapjes së kufijve, dhe jo të greqizohet.” – deklaroi Idrizi.