e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Shkup, shqiptareve su lejohet ta mbrojne shtetin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shkup, shqiptareve su lejohet ta mbrojne shtetin

Abdylmutalip Aliji, juristi 65-vjeçar, është i vetmi avokat në mesin e 33 të tjerëve që mbron interesat e shtetit në rajonin e Gostivarit, ndërkohë që në Shkup, Tetovë, Strugë dhe Kërçovë - të gjithë “mbrojtësit” e shtetit janë maqedonas. Madje në Strugë, shtetin e mbron Nadezhda Gjorevska nga Strumica! Edhe 17 këshilltarët e këtij institucioni janë që të gjithë maqedonas.

Vetëm një avokat shtetëror nga gjithsej 33. Kjo është struktura e përfaqësimit të shqiptarëve në Avokaturën e Shtetit, ku shqiptarëve nuk i është gjetur vend, madje as në qytetet me shumicë shqiptare. Abdylmutalip Aliji, juristi 65-vjeçar është i vetmi avokat që mbron interesat e shtetit në rajonin e Gostivarit, ndërkohë që në Tetovë, Strugë, Kërçovë e Dibër - të gjithë “mbrojtësit” e shtetit janë maqedonas.

Në Shkup, nga nëntë avokatë shtetëror, asnjëri nuk është shqiptar. Shqiptarët nuk kanë zënë vend as në numrin prej 17 këshilltarëve, derisa përfaqësim i drejtë, si duket ka vetëm në sektorët e avokaturës shtetërore, ku një nga tre sektorët, udhëhiqet nga shqiptar. Edhe pse me nenin 20, paragrafi 3 i Ligjit mbi Avokaturën e Shtetit është shkruar që gjatë zgjedhjes së avokatëve shtetëror, qeveria të marrë parasysh përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në këtë institucion, kjo gjë deri më sot nuk ka ndodhur, transmeton ‘Koha’.

Për sa u përket dhjetë avokatëve shtetërorë që janë emëruar nga ana e qeverisë për rajonin e Shkupit, midis tyre mund të gjenden juristë të ardhur edhe nga Prilepi, Gostivari e Ohri, megjithatë shansi për të mbrojtur interesat e shtetit nuk u është dhënë asnjë shqiptari. Po sipas të dhënave të zyrës së Avokaturës së Shtetit, në detyrën e udhëheqësve të sektorëve janë angazhuar tri femra, një ekonomiste dhe dy juriste që vijnë nga Shkupi, Prilepi dhe Tetova, të cilat janë të përkatësisë etnike maqedonase. Ndërkaq, pesë femra të tjera maqedonase - tri juriste, një filozofe dhe një ekonomiste, të pesë të lindura në kryeqytet, janë angazhuar në detyrën e këshilltareve të Avokaturës së Shtetit për rajonin e Shkupit.

Në të njëjtën detyrë, por për qytetet e tjera të vendit, për nevojat e Avokaturës së Shtetit janë angazhuar mbi 12 këshilltarë, kryesisht femra, që gjithashtu janë të përkatësisë etnike maqedonase. Përfaqësimin e zhdrejtë në Avokaturën e Shtetit e ka theksuar edhe Avokati i Popullit në raportin për vitin 2012. Sipas këtij Raporti, në 2012, në Avokaturën e Shtetit kanë punuar gjithsej 13 shqiptarë, por asnjë në vende udhëheqëse.

Në përputhje me Ligjin mbi Avokaturën e shtetit, kandidati për avokat shtetëror duhet të jetë shtetas i Maqedonisë, të jetë jurist i diplomuar me të paktën tetë vjet përvojë pune pas marrjes së provimit të jurisprudencës dhe të gëzojë respektin e duhur gjatë ushtrimit të detyrës. Ndërkaq, me nenin 19 të këtij Ligji, është paraparë që shpalljet për emërimin e avokatëve të shtetit, të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në një medie në gjuhën shqipe, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.