e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ruci: Jemi afer me LSI, ne politike kurre nuk thuhet kurre

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ruci: Jemi afer me LSI, ne politike kurre nuk thuhet kurre
Kreu i Grupit Parlamentar socialist: Mocion ndaj Topallit? Do të ndërmarrim veprime politike.
“Të përafërt në program. Në politikë kurrë s’thuhet kurrë”

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me LSI-në. Në një intervistë për emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, Ruçi nuk përjashton as mundësinë e një mocioni për kryeparlamentaren Jozefina Topalli, pas përplasjes së fundit lidhur me mandatin e lënë nga Rudina Seseri.

Për çfarë pikash të reformës elektorale nuk keni arritur akord me PD-në?

Manipulimi i zgjedhjeve fillon me listat. Ne kemi shtruar alternativën tonë në tavolinë: pavarësisht nga trumbetimi që u është bërë listave elektronike, ajo që ne kërkojmë është që, meqë shqiptarët janë pajisur me karta identiteti, lista të dalë nga kartat e identitetit.

Është pranuar kjo?

Është në diskutim. Së dyti, atje ku bëhen listat, opozita dhe pozita të kenë dy njerëz për t’i monitoruar dhe opozita të ketë aksesin nga dita e parë tek e fundit që të mos kemi probleme me listat. Në zgjedhjet e fundit, ju ishit i regjistruar edhe në Njësinë 6 dhe në Njësinë 5, ishte ndryshuar ose ditëlindja, ose vendlindja. Ne kërkojmë një aparat që të certifikojë kartën e identitetit të çdo votuesi, që shkon në qendrën e votimit. Së treti kërkojmë administrimin e rezultatit. Ne kërkojmë një KQZ të besueshme, të pranueshme nga palët, të varet vetëm nga ligji dhe të nxjerrë verdiktin që jep votuesi shqiptar.

Cila është ideja e PS për KQZ-në?

Unë nuk mund t’i bëj publike këtu. Së katërti, problem është ankimimi. Të gjithë e panë se ç’ndodhi me ankimimet në Kolegj Zgjedhor. Këtu përfshihet edhe numërimi. Ne kemi kërkuar dhe jemi të hapur për votim elektronik.

Një nga reformat e tjera që po bëhet, është ajo parlamentare. Dy pika kanë bllokuar ecurinë e këtij procesi, votimin e fshehtë të dekreteve dhe me të drejtën e liderit të opozitës që të ketë kohë të barabartë me Kryeministrin në seancë?

Funksioni i Parlamentit është të zgjidhë ato që Kushtetuta i ka ngarkuar në mënyrë demokratike. Shqiptarët kanë pasur Kuvend Popullor, por vetëm popullor nuk ishte. Vetëm votime nuk kishte atje. Ne jemi kthyer atje ku kemi qenë, nuk ka votime të fshehta në Parlament, sepse unë dua të kontrolloj votën e deputetit tim. Ky nuk është një problem i vogël. Edhe çështja e fjalës së përfaqësuesit të opozitës, ku dallon kjo nga ai sistem që kishim ne? Ai sistem ndalonte fjalën, ky është sistemi i opozitarit. Bëhet me Rregullore, që ti si pushtetar ke të drejtë të flasësh, të shash me libër shtëpie edhe zonja të nderuara të Parlamentit, apo të anatemosh kundërshtarin tënd politik, kurse opozita s’ka të drejtë të kthejë përgjigje.

A ka rrezik të bllokohet kjo reformë?

Unë nuk dua të bëj Kasandrën. Këto dy pika janë të panegociueshme dhe të papranueshme. Ne në sallë përse shkojmë? Për të folur. Ne jemi treguar seriozë në Parlament për ligjet me shumicë të cilësuar. Të gjitha detyrat që ka pasur opozita nga 12 rekomandimet, katër që ka pasur opozita janë realizuar.

Ju keni thënë që me mandatin e Seserit po bëhet një lojë për Presidentin. Si e argumentoni këtë?

Përse bëhet kjo? Që të mos mblidhet nga janari deri në prill dhe të mbahet peng një mandat? Përse po mbahet? Me qëllim që të fitojmë kohë, të mbahen edhe tre të tjera, sa të kalojë Presidenti dhe pastaj të jepet.

Luan rol një mandat?

Absolutisht, me numrat që janë. Ne çështjen e Presidentit nuk e shohim punë numrash. T’i mbash peng dhe të shkelësh Kushtetutën, kur Parlamenti ka 140 deputetë… Deputeti që u largua, iku sipas Kushtetutës. Forca politike që e ka mandatin duhet ta zëvendësojë brenda 24 orëve, ndryshe je në shkelje të Kushtetutës. Përse bëhet kjo? Për ta mbajtur peng, për ta tensionuar. Këta nuk janë të interesuar për të stabilizuar situatën e krizës politike në Shqipëri. Duan ta përdorin për të fshehur situatën nga kriza që ekziston dhe nga mosplotësimi i të gjitha detyrimeve që ata kanë ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Çfarë do bëni në këto kushte?

Ne do të mbajmë në ditët që vijnë një mbledhje se cilët do të jenë hapat politikë, se këta janë hapa politikë që duhet të mbahen, me këtë drejtim antiligjor antikushtetues të këtij Parlamenti, të kësaj maxhorance. Ne do të kemi hapat tanë, qëndrimet tona, në kohën dhe momentin e duhur, nuk duam të tensionojmë absolutisht situatën. Ne nuk do qëndrojmë…

Do kërkoni votëbesimin e kryetares së Parlamentit?

Do të ketë veprime politike, të cilat në ditët pasardhëse do t’i bëjmë publike.

Një nga këto do të jetë edhe kjo?

Gjithçka që është kushtetuese dhe ligjore.

Deri edhe në kërkesën për dorëheqje?

Një njeri që është bërë sebep…

Edhe Braçe ka thënë që Kuvendi nuk është më i Republikës, por privat i Topallit?

Absolutisht, ka të drejtë.

Do paraqiteni ju me një kandidaturë tuajën për President?

Nuk dua të bëj të njëjtin gabim që bëjnë kundërshtarët tanë politikë, që edhe ne kemi kandidatët tanë. Nëse flasim për një proces, nëse flasim që të zgjedhim një President sipas frymës së Kushtetutës, garant të Kushtetutës, nëse flasim për një President që politika të japë një shenjë të maturimit të saj ndaj partnerëve ndërkombëtarë, nëse flasim se diçka kemi marrë vesh nga gjithë ajo krizë politike… Ne jemi për President konsensual. Jemi kundër një Presidenti që të jetë noter i PD-së apo noter i PS-së. Ne duam të kemi një president noter të Kushtetutës së Shqipërisë.

Përveç Aleancës Kuq e Zi do të jetë edhe partia e Topit. Rama dhe ju e keni mohuar kategorikisht që të keni një koalicion me LSI-në pas zgjedhjeve të 2013-s. Vazhdoni ta përjashtoni përfundimisht dhe e shikoni si mundësi aleancën me partinë e Topit dhe Aleancën Kuq e Zi?

LSI, sipas programit të saj dhe të spektrit ku qëndron, është shumë afër nesh. Ka dalë nga ne. Kjo forcë politike sot është në pushtet. Nuk bëhet fjalë që ne të na kërkohet sot një përgjigje që jeni apo s’jeni dakord. I takon partisë që është në pushtet, unë jam në opozitë me të. Ai duhet të hedhë hapin të dalë nga pushteti, të radhitet në opozitë dhe unë në politikë, siç kam thënë, kurrë nuk duhet thënë kurrë. Me partitë që radhiten si opozitë dhe që kanë përafërsi programore, asnjëherë nuk themi kurrë. Për koalicionet qeveritare, praktika ka treguar në Itali, Gjermani, Greqi që ka koalicione të spektrave diametralisht të kundërt. Ne futemi në këtë betejë elektorale dhe ajo që ne luftojmë, është që jemi me pikësynimin që të fitojmë, të kemi garanci të plotë te qeverisja jonë me rezultatin minimal që i duhen vendit 71 vota. Ky është objektivi ynë.

Kjo nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me Aleancën Kuq e Zi dhe partinë e Topit?

Kjo nuk e përjashton mundësinë e koalicioneve paszgjedhore. Kjo mbetet për t’u verifikuar cili do të jetë rezultati elektoral. Këto dy parti janë problem i të djathtës. Si problemi i
Aleancës Kuq e Zi dhe partia e Topit, janë si rezultat i divorcit politik me PD-në. Ai është problem i tyre.

Për Vishën

I pyetur se si u përzgjodh kandidatura e Ardian Vishës, Ruçi tha se “ka shumë djem dhe vajza të reja që e meritojnë. Personi në fjalë nuk ka asnjë lidhje me PS-në. Ne kemi pasur djem të shkëlqyer, të cilët kanë qenë dhe avokatët tanë. Ne e bëmë vetëm për të mos e paragjykuar. E bëmë që të mos thënë që ‘ju po propozoni një militant të PS’. Parametrat ishin treguesit profesionalë të tij. Ka mbaruar universitetin në vitin 1992. Ky njeri ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme, në Gjykatën e Kasacionit, në Prokurorinë e Përgjithshme. S’ka asnjë lidhje me sistemin e kaluar dhe me forcën tonë politike dhe sot është një avokat i kërkuar nga ata që kanë probleme me drejtësinë dhe i vlerësuar, ne e institucionalizuam këtë kandidaturë”.