e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rishfaqet Nicolas Gage ne Jug te vendit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rishfaqet Nicolas Gage ne Jug te vendit
Është miqësia dhe “jo politika” që ka sjellë kësaj radhe greko-amerikanin Nicholas Gage (Gazojanis) në Shqipëri. Javën e kaluar, përfaqësuesi i njohur i Këshillit Botëror të Epirotëve dhe një lobist i përhershëm i të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë, ka qenë në qytetin e Sarandës për një vizitë formalisht private. Gage ka qenë i ftuar në festimin e ditëlindjes së ish-kryetares së Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, Kostandina Bezhani.

Në një ceremoni ku merrnin pjesë rreth 60-70 persona, ka qenë i ftuar nderi edhe ish-kreu i Këshillit Botëror të Epirotëve i shoqëruar në vizitën e tij nga disa greko-amerikanë të tjerë. Nënteksti politik i pranisë së tij mund të shihet te vendosja e pikave të reja të komunikimit në Shqipëri, që përkojnë aktualisht me drejtuesit e formacionit të ri të minoritetit grek, partisë MEGA.

Vetë Bezhani është një themeluese e saj, ashtu sikurse disa nga drejtuesit apo përfaqësuesit e zgjedhur të komunave minoritare që kanë qenë pjesë e tavolinës së organizuar me këtë rast. Interesi i përbashkët politik, por edhe miqësia me Nicholas Gage ka sjellë në këtë takim edhe përfaqësues të tjerë politikë të minoritetit, por që aderojnë në parti shqiptare, duke theksuar kështu peshën që vijon të përfaqësojë gazetari greko-amerikan për një pjesë të komunitetit grek në Shqipëri. Një bisedë e veçantë ka qenë ajo mes tij dhe ish-ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, i cili ka qenë një nga përfaqësuesit më të lartë të pakicës greke në ekzekutivin shqiptar.

Në vetvete, prania por edhe takimet e mbyllura të Gage në Sarandë, vijnë në një kontekst zhvillimesh brenda minoritetit që krijojnë idenë se çarja që përshkroi atë para disa muajsh duket të ketë krijuar një sfond të ri edhe për sa i përket mbështetjes nga jashtë. Nuk është pa rëndësi të vihet re se prezantimi i Gage në Tiranë përkrah kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe drejtuesit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i përket së shkuarës. Rreshtimi i tij politik me MEGA-n është një sinjal i qartë se si nga Athina zyrtare ashtu edhe nga diaspora e fortë greke, mbështetja për minoritetin në Shqipëri ka pësuar një krisje që reflektohet në zgjedhjen e njerëzve të rinj, por edhe në një ndryshim kursi për sa i përket raporteve me politikën e Tiranës zyrtare.

Kështu është i paneglizhueshëm fakti se MEGA aktualisht është një formacion politik në koalicion me shumicën parlamentare, të drejtuar nga Sali Berisha, i cili pak kohë para zgjedhjeve të vitit 2005, ka pasur një takim domethënës me Nicholas Gage në Tiranë.

Ndryshimi i pushtetit solli edhe hapjen e shpejtë të shkollës “Homiros” në Himarë, si dhe rregullimin e përfaqësimit politik të minoritetit që me Sali Berishën mësoi të kuptonte se mes tij ka përfaqësues të tjerë që tanimë rivalizojnë me dyshen e salduar për një kohë të gjatë në krye të PBDNJ-së dhe OMONIA-s, Dule-Bollano. Marrëveshjet e Kryeministrit shqiptar me ish-homologun e tij, Kostandin Karamanlis, dhe qeverisja e mbrothët me ministrat minoritarë ka ngritur pikëpyetje mbi drejtimin politik të Dules, i cili në zgjedhjet e vitit 2009 mori një goditje shumë të fortë.

 Kalimi i shpejtë majtas i PBDNJ në skenën politike shqiptare duket të ketë qenë kështu i detyruar, pse mesa duket i shërben mbijetesës që sigurohet nga mbështetja e Athinës, e cila së fundmi nuk ka munguar të shfaqet në mënyrë konstante. Burime nga takimi bënë të ditur se një nga të ftuarit e munguar në festë ka qenë edhe ish-kreu i socialistëve, Fatos Nano.