e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rinisin kerkimet ne terren per Bleonen

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rinisin kerkimet ne terren per Bleonen
Çështja “Bleona” është rikthyer pas një heshtjeje disamujore, kur shumëkush ka menduar se tashmë ishte arkivuar. Një ekip nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si dhe Policia e Shtetit kanë inspektuar të enjten me një helikopter një pjesë të zonës së Zapodit dhe të Dragashit, duke e krehur edhe një herë dhe ndoshta për herë të fundit. Drejtues të lartë të Policisë së Qarkut të Kukësit thanë për “Shqip” se, do të inspektohet një pjesë e territorit në kufirin e Kosovës, në afërsi të Dragashit, pa sqaruar se ndoshta do të mbyllej edhe një nga pistat më tragjike të menduara për Bleonën, vdekja e saj në kufi. 
Rikthimi i çështjes
Rikthimi në kërkimin e Bleonës në zonën e Zapodit me anë të një helikopteri ndodh pas një udhëtimi në fshat të ekspertëve të Krimeve të Rënda.

Kjo pohohet nga gjyshi i Bleonës, Zeneli, për të cilin hetimet nuk u morën sa duhet me njerëzit e implikuar në humbjen e vogëlushes, që janë vajzat baresha dhe ndonjë tjetër si i dyshuar. “Unë e kam thënë dhe i qëndroj mendimit se hetimet duhet të përqendrohen te rrethi i asaj dite. Por nuk ka asnjë rezultat prej shumë kohësh”, - tha Zeneli, duke shprehur dyshimet e tij te bareshat apo edhe deri te njerëzit e familjes. Ai nuk përmend emra, por lë të kuptohet se fajtorët janë të frikësuar për të treguar të vërtetën dhe se sipas tij, Bleona duhet të jetë gjallë, por nuk dihet se ku. 


Zona e minuar
Duke përshkruar zonën e kufirit dhe distancat e Zapodit, një prej familjarëve i ka thënë policisë se nuk përjashtohet mundësia që vajza e vogël të ketë rënë në zonë të minuar. Por, fakti që kjo zonë është pastruar prej disa vitesh, e hedh poshtë këtë hipotezë. Edhe gjyshi i Bleonës, Zeneli mendon se rajoni ishte pastruar nga minat, madje Shqipëria është deklaruar prej më shumë se një viti e gjysmë se është pastruar. Përveç këtij fakti, Zeneli kujtoi faktin tjetër që Bleona kishte humbur në pjesën perëndimore të fshatit, ndërsa kufiri ndodhet në lindje.

“Gjatë rrugës për në kufi, Bleona më mirë do të hynte në shtëpi pasi rruga kalon nga shtëpia dhe nuk kishte pse të shkonte drejt kufirit”, tha ai. Këto hamendësime, sipas tij, nuk janë shumë logjike. Por megjithatë kërkimi ka nisur në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e cila edhe një vit më parë ka qenë e gatshme të ofrojë ndihmë në logjistikë dhe në njerëz për kërkimin e Bleonës. Kërkimet janë përqendruar në anën lindore në brendësi të kufirit të Kosovës në afërsi të Dragashit, por deri dje në orët e pasdites nuk kanë pasur asnjë rezultat.

Pistat e para

Duke qenë se vogëlushja Bleona Mata humbi pasdite në kullotë ku ishte me pesë vajza të rritura, mes të cilave dhe halla e saj, pista e parë ishte humbja aksidentale në mal. Kërkimet u përqendruan në zonën e Bjeshkës së Zapodit deri në Koritnik të Pikëllimës e deri në territoret e Kosovës. Protagonistet e ngjarjes, vajzat e rritura, dhanë versionin se vogëlushja mund të ishte zhdukur në mal, ku mund të jetë dëmtuar nga egërsirat apo mund të ketë rënë në humnerë. Për gati dy muaj kërkime rezultoi një pistë pa rezultat, ndërsa u kritikua nga familjarët dhe nga banorët që në nisje të saj.

Çështja “Bleona” u mor në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat më pas i shtrinë hetimet në pistat tjera, përkatësisht atë të rrëmbimit për qëllim trafikimi apo për qëllime të panjohura. Për pistën e rrëmbimit u pyetën dhjetëra persona. Në pistën e rrëmbimit nuk u kursyen nga dyshimet edhe vetë pjesëtarët e familjes Mata, në mënyrë të veçantë prindërit, të cilët më pas u divorcuan.