e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rezultati ne TIMS: Renzo Bossi s’ka shkelur kurre ne Shqiperi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rezultati ne TIMS: Renzo Bossi s’ka shkelur kurre ne Shqiperi
Tiranë Pa shkelur kurrë në Shqipëri, Renzo Bossi ia ka dalë të regjistrohet si student i rregullt në Universitetin “Kristal”, madje të përfundojë studimet në degën Menaxhim-Biznes. Këto janë të dhënat e para të hetimit, që Prokuroria e Tiranës ka nisur për rastin në fjalë, pas skandalit që përfshiu Italinë ditët e fundit me sekuestrimin e një diplome që mbante logon e një universiteti shqiptar. Ditën e djeshme, hetuesit e çështjes kanë sekuestruar në Universitetin “Kristal” një sërë dokumentesh, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të plota për të zbardhur rastin e diplomimit të djalit të ish-liderit të Ligës së Veriut, Umberto Bossi.

Sipas të dhënave të para mësohet se formalisht, dokumentet e sekuestruara kanë qenë në rregull, pasi emri i Renzo Bossit është shënuar me numër amze 482 që prej vitit 2007, kur rezulton të ketë nisur zyrtarisht studimet pranë këtij universiteti. Sipas dosjes personale të Bossit dhe dokumenteve të tjera të sekuestruara nga prokuroria bëhet me dije se Renzo është diplomuar në degën Menaxhim-Biznes në vitin 2010, duke konsumuar kështu periudhën 3-vjeçare për studimet bachelor (cikli i parë i studimeve).

Hetuesit kanë sekuestruar edhe listën e notave për 29 provimet që Renzo Bossi presupozohet të ketë dhënë, të cilat për habi të të gjithëve janë nota gati maksimale. E njëjta procedurë është ndjekur nga prokuroria edhe për mikun e Bossi-t, një i ri italian i identifikuar me emrin Pierangelo Moscagiuro, i cili gjithashtu rezulton të jetë diplomuar pranë Universitetit “Kristal”. Dokumentet tregojnë se ky person është regjistruar në universitet në vitin 2008 dhe është diplomuar në vitin 2011, çka tregon se periudha e studimeve ka zgjatur tre vjet. Por sipas prokurorisë, çështja shtrohet nëse dy italianët e diplomuar në Tiranë kanë qenë ose jo ndonjëherë në Shqipëri. Sipas verifikimeve të kryera në sistemin TIMS rezulton se Renzo Bossi nuk ka hyrë asnjëherë në vendin tonë, çka hedh dyshime për diplomën e tij. Një tjetër element që i shtohet listës së gjatë të dyshimeve dhe elementëve që duhet të verifikohen nga prokuroria është dhe fakti që Bossi nuk e njeh gjuhën shqipe.

Pyetja që pritet të marrë zgjidhje nga grupi hetimor është: si mundet që një i huaj që nuk di thuajse asnjë fjalë shqip, të përfundojë me rezultate gati maksimale 29 provime? Për të sqaruar gjithë procedurën e ndjekur nga Universiteti “Kristal” në rastin e diplomimit të dy italianëve, prokuroria pritet të marrë në pyetje personat që kanë ndjekur regjistrimin e tyre në universitet, por edhe drejtuesit që kanë firmosur dhënien e diplomave. Gjithashtu, pjesë e hetimit të prokurorisë do të jenë edhe raste të tjera të dyshuara, ku mund të ketë vend për hetime dhe verifikime të mëtejshme.

Sipas medias italiane raportohet se Renzo Bossi ka përfunduar shkollën e mesme në korrik të vitit 2009, në moshën 21-vjeçare, pas katër tentativash të dështuara. Ndërsa karabinieria italiane deklaron se Renzo Bossi nuk ka pasur asnjëherë leje qëndrimi në Shqipëri, dhe nëse kjo ka ndodhur, ai ka qëndruar si klandestin. Sipas dosjes “The Family”, që ndodhet në duart e prokurorëve të Napolit dhe Milanos, 24-vjeçari ka shlyer brenda një viti të gjitha provimet e parashikuara për tre vjet në Universitetin “Kristal” në Tiranë.