e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Renzo Bossi: S’kam qene kurre ne Shqiperi, distancohem nga diploma

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Renzo Bossi: S’kam qene kurre ne Shqiperi, distancohem nga diploma
Milano “Distancohem plotësisht nga ajo diplomë universitare. Nuk kam qenë kurrë në Shqipëri, nuk flas shqip, nuk mbaj tituj akademikë dhe s’kam qenë kurrë në dijeni të atij dokumenti që daton në vitin 2010”. Renzo Bossi, djali i ish-kreut të LEGA-s u është përgjigjur kështu akuzave për diplomimin e tij në Shqipëri, përmes një deklarate dhënë për agjencinë e lajmeve ANSA. Duke u përpjekur t’u japë fund debateve mbi diplomën, i riu Bossi ka shtuar se “Jemi në vitin 2012 dhe vetëm tani jam vënë në dijeni, ndërkohë që nuk kam thënë asnjëherë se kam një diplomë. Kjo duhet të ketë njëfarë kuptimi për ju”.

Sa i përket diplomimit të dyshimtë në Shqipëri, i zbuluar në dokumentin e sekuestruar nga hetuesit në llogaritë e Lega Nord, ish-këshilltari rajonal i Lombardisë ka thënë se “nga një analizë e të njëjtit dokument, çdokush mund të konstatojë se data e lindjes është gabim, fakt jo pak i rëndësishëm”. Pas sqarimit të tij për diplomën, djali i Bossit ka shtuar se nuk ka folur deri më tash, pasi beson te drejtësia. “Jam i detyruar të flas publikisht, kundër vullnetit tim për të stopuar këtë fushatë masakruar në emrin tim nga mediat”.

Renzo Bossi i ka cilësuar të padrejta sulmet kundër tij, duke pohuar se është përdorur si armë kundër të atit, për ta penguar e bindur atë të mos rikandidojë për postin e sekretarit federal. “Kërkoj të më lënë të qetë, duke qenë se po tregoj besimin e mirë, duke u tërhequr nga çdo pozicion e duke e lënë të lirë Lega-n të çojë përpara projektin e vet politik”, -ka thënë për ANSA-n, Renzo Bossi. E ndërsa në Itali, Renzo Bossi është përpjekur të minimizojë sulmet përmes një deklarate ku pranon se ajo diplomë është false, prokuroria shqiptare është e angazhuar tashmë të vërtetojë atë që i riu ka thënë dje me fjalë. Gjatë ditëve të fundit, prokurorë të Task-Forcës kanë bllokuar dosjen personale të Renzo Bossit në universitetin “Kristal”, ku kanë gjetur vetëm fotokopjen e pasaportës së tij dhe një kërkesë për të studiuar për menaxhim-biznes.

Burime nga grupi hetimor i thanë se regjistrimi dyshohet se është bërë formalisht në vitet 2007-2010, ndërsa në universitet mungon diploma e shkollës së mesme e Renzo Bossit.  Një tjetër pikë e errët, e pranuar dje nga vetë Bossi ishte fakti se ai nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri, e për rrjedhojë nuk u është nënshtruar testeve të gjuhës shqipe apo procedurës së vlerësimit të diplomës së shkollës së mesme. Dy ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës ka qëndruar për 3 orë ish-rektori i universitetit “Kristal”, Mariglen Spiro, firma e të cilit ndodhej në diplomën e sekuestruar në një kasafortë të Lega-s. Ky i fundit ka pranuar autorësinë e firmës, ndërsa ka shtuar se nuk e mbante mend studentin Renzo Bossi.

Hetimi, Bossi pagoi 7 mijë euro për diplomën

Tiranë Renzo Bossi, apo personat që kanë porositur diplomën e tij rezultojnë të kenë paguar të paktë 7 mijë euro pranë universitetit “Kristal”. Hetimi i nisur nga Prokuroria e Tiranës ndër të tjera ka mundur të zbardhë edhe pagesat që janë kryer për pajisjen me diploma të Renzo Bossit, edhe pse nuk ekziston asnjë mandate pagese. Por në regjistrat e Universitetit, për rastin në fjalë, hetuesit kanë mundur të sekuestrojnë edhe një dokument i cili tregonte se studenti i kishte shlyer të gjitha detyrimet financiare. Sipas burimeve mësohet se këto detyrime kapin vlerën e shtatë mijë eurove, para këto që presupozohet të jenë paguar gjatë tre viteve studim që Bossi duhet të kishte kryer në Shqipëri.

E njëjta vlerë është paguar edhe për diplomën e dytë të sekuestruar nga Prokuroria e Milanos, e cila është lëshuar nga i njëjti universitet për një prej miqtë e Bossi-t. Ende nuk është sqaruar se kush i ka paguar këto para, pasi dy “studentët” nuk rezultojnë të kenë hyrë asnjëherë në territorin shqiptar. Pas këtyre të dhënave, hetuesit kanë krijuar paraprakisht skemën që mund të jetë përdorur në këtë rast, e cila me gjasa është fiktive pasi dhe vetë Bossi ka pranuar se nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri dhe se nuk është regjistruar në asnjë universitet shqiptar.