e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rendohet situata ne Shkoder, 315 shtepi te izoluara. Evakuohen 120 familje

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rendohet situata ne Shkoder, 315 shtepi te izoluara. Evakuohen 120 familje
Reshjet e shiut dhe hapja e portave në 4 HEC-e ka shkaktuar një situatë të rënduar në disa zona të Shkodrës, ndërsa në disa të tjera situata është stabilizuar. 

Shkodra, 315 shtëpi izolohen, 4900 ha tokë nën ujë

Aktualisht sot situata është më e qetë dhe  nivelet e ujërave brenda natës kane rënë 40%, rrugët janë të kalueshme në Harkun e Bërdicës. Në Bashkinë Shkodër u përmbyten rreth 200 Ha tokë në zonën Bahçallek, Ajasem, Lagjen Mark Lulaj, Pedonale, duke izoluar rreth 60 shtëpi banimi dhe objekte.

Në Komunën Ana Malit u përmbyten rreth 1800 Ha, duke izoluar nga uji rreth 161 shtëpi në fshatin Obot, 19 shtëpi në fshatin Gorricë duke izoluar nga uji rreth 11 shtëpi në fshatin Muriçan.

Në Komunën Guri i Zi u përmbyten rreth 800 Ha tokë, duke izoluar nga uji rreth 20 shtëpi në fshatin Rrenc, 20 shtëpi në fshatin Kasape.

Në Komunën Berdicë u përmbyten rreth 500 Ha tokë, dukë u izoluar nga uji rreth 55 shtëpi. Gjithsej nga informacionet paraprake jo zyrtare ka rreth 4900 Ha tokë të përmbytur dhe rreth 315 shtëpi të izoluara nga uji. Ka patur  probleme të furnizimit me energji elektrike në fidrin Nr. 15 i cili furnizon fshatin Bardhaj dhe komunën Postribë për shkak të këputjes së linjës TL në shtratin e Lumit Kir.

Në  operacionet e evakuim shpëtimit morën pjesë rreth 100 forca të DPQ-së me mjetet organike të kësaj drejtorie, rreth 25 forca të FNSH-së me 5 mjete IFA-s, dhe një gomone të cilat operuan në komunat Bërdicë, Guri i Zi dhe në bashkinë Shkodër, duke bërë të mundur evakuimin: lagje Ajasëm, 20 familje; fshati Berdicë; 55 familje;lagje Bahçallek 20 familje dhe fshati Kuç  45 familje. Një pjesë e familjeve u akomoduan në konviktin e shkollës Industriale, ndërsa familjet e fshatrave Berdicë e Kuç  janë akomoduar pranë të afërmeve të tyre. Nga Bashkia Shkodër janë marrë të gjitha masat për njoftimin e komunitetit pas njoftimit për shkarkimet në rajonet 1, 4 dhe 5 si dhe sigurimin e kushteve për akomodimin e të evokuarve në konviktin e shkollës Industriale.

Vlorë, rrezikojnë përmbytjen 300 banesa

Ndërkoë që situata në Vlorë paraqitet më e rënduar, pasi dalja e Vjosës nga shtrati ka sjellë përmbytje të banesave dhe të tokave bujqësore. Kështu, në fshatin Fitore dhjetëra shtëpi janë të përmbytura. Po ashtu fshatrat Poro, Bishan, Delisuf, Dellinj. Raportohet se nëse prurjet e lumit Vjosa vijojnë të rriten, rrezikojnë përmbytjen rreth 300 shtëpi.

Elbasan, Devolli del nga shtrati, automjetet qarkullojnë nëpërmjet rrugës së vjetër

Reshjet e dendura të shiut kanë bërë lë lumi Devoll të dalë nga shtrati, duke krijuar problem në Qarkun e Elbasanit. Mësohet se aksi rrugor që lidh Elbasanin me Gramshin është i pakalueshëm për automjetet. Për pasojë automjetet qarkullojnë nëpërmjet rrugës së vjetër.

Fier, Vjosa del nga shtrati përmbyten 100 ha tokë

Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati edhe në Fier, duke përmbytur 100 he tokë. Përmbytjet janë shkaktuar sot në orët e para të mëngjesit në fshatrat Hekal dhe Kutë të Mallakastrës. Përmbytje si pasojë e daljes së Vjosës ka patur edhe në fshatrat Tojkan dhe Cerven të komunës Frakull. Mësohet se lumi Vjosë është shumë afër pikës kritike, 6,7, ndërkohë që pika kritike është 7. Ndërkohë që policia me barkat e shpëtimit është në gatishmëri për çdo përkeqësim të situatës. Gjatë natës në vendngjarje ka qenë edhe Bordi i kullimit, FNSH, shtabet e komunave.

Bulqizë, shembet ura, izolohen 4 fshatra

Në qytetin verior, Bulqizë janë izoluar 4 fshatra, si pasojë e shembjes së urën Kamerrajt në kominën Zerqan. Shembja e urës, erdhi si pasojë e reshjeve të shiut.

Rrëshqitje dherash, bllokohet aksi Këlcyrë-Përmet

Rrëshqitja e një masivi dheu është bërë shkak për bllokimin e aksit rrugor Këlcyrë-Përmet. Rruga është bllokuar në vendin e quajtur Kuqar. Ndërkohë bëhet e ditur se drejt aksit është nisur një fadromë për të hapur rrugën.

Krujë, Ishmi del nga shtrati, izolohen rreth 40 banesa, 400-500 ha tokë nën ujë

Situatë e rënduar paraqitet në rrethin e Krujës, ku si pasojë e reshjeve të dendura ka dalë nga shtrati lumi Ishëm. Dalja e Ishmit ka shkaktuar përmbytjen e 400-500 ha tokë në komunën Bubiq. Përveç tokave, uji ka izoluar rreth 30 banesa, ndërsa në disa prej tyre uji ka depërtuar edhe në brendësi. Përmbytje raportohen në fshatrat, Murqin, Budull, Dreven dhe Mezhë e Madhe. Situata në fshatin Murqin është më e rënduar. Atje janë rreth 20 shtëpi, ku uji ka depërtuar edhe banda banesave, ndërkohë që banorët marrin masa duke i transferuar objektet në katet e sipërme të shtëpive të tyre.

Durrës, det i trazuar, vonohen tragetet

Moti i keq ka shkaktuar vonesa edhe në mbërritjen e trageteve të linjës Durrës-Bari. Trageti Marina, i cili duhet të mbërrinte në orën 08:00 pritet të mbërrij në Portin e Durrësit, 3 orë me vonesë, për shkak të detit të trazuar. Ndërkohë një traget tjetër, Rigel ka mbërritur . Bëhet e ditur se forca e dallgëve në det është 5-6 ballë. Kjo është arsyeja që nuk lejohet dalja në det e peshkarexhave të vogla dhe të mesme.

Erzeni del nga shtrati, përmbyten shtëpi dhe toka

Probleme me përmbytjet edhe në Durrës. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen sipërfaqe të tëra toke janë përmbytur. Kështu në Sukth janë përmbytur kryesisht tokat bujqësore. Ndërsa në Shijak 6 familje janë izoluar, pasi uji ka rrethuar banesat e tyre. E njëjta situatë paraqitet edhe në Katund të Ri, ku banesat janë të rrethuara nga uji.

Aksi Gramsh-Korçë, bllokohen dy autobus me pasagjerë

Rrëshqitje dherash edhe në aksin Gramsh- Korçë. Situata atje bëhet më problematike pasi të bllokuar në rrugë kanë mbetur dy autobusë më pasagjerë. Autobusët që kanë mbetur në rrugë janë të linjave Gramsh-Korçë e Moglicë-Korçë. Rruga është bllokuar në vendin e quajtur Moglicë.  Mësohet se drejt Moglicës është nisur një fadromë për të hapur rrugën.