e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama: Nuk do njohim asnje marreveshje me Greqine qe nuk respekton vendimin e GJK-se

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama: Nuk do njohim asnje marreveshje me Greqine qe nuk respekton vendimin e GJK-se
Kryetari i opozitës Edi Rama ka reaguar për çështjen e kufizimit të imunitetive duke i ka kthyer përgjigje kryeministrit Sali Berisha. Rama ka deklaruar se PS-ja është e gatshme të japë brenda shtatorit votën në Kuvend, vetëm në rast se diskutohen edhe paketa e ndryshimeve të tjera kushtetuese.

Iniciativën e deputetëve demokratë për t`iu drejtuar Kuvendit me një kërkesë për referendum për heqjen e imunitetit, Rama e ka pagëzuar me emrin lojë pa tok.

"Nuk ka çfarë duhet një referendum për një çështje kur palët janë dakord për më tepër që shfaqin dakordësinë e tyre për heqjen e imunitetit në funksion të statusit. Është e qartë se ne duam debatin për ndryshimet kushtetuese dhe votimin në parlament të imunitetit brenda shtatorit. Nëse kryeministri ka për qëllim statusin këtë çështje e zgjidhim në parlament, por vetëm të kryejnë të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe pastaj votojmë. Në të kundërt Saliu le të vazhdojnë rrugën e tij me referendumin që nuk është asgjë vetëm një lojë pa tok për të spostuar vëmendjen e publikut nga situata reale”, tha Rama.

Shefi i opozitës i është rikthyer sërish ngjarjeve së 21 janarit pas deklaratës së kryeministrit për hetim të ngjarjes, duke lënë të kuptohet se edhe PS-ja do të ndjekë të njëjtën rrugë.

“Kapja e të gjitha institucioneve si dhe vigjilja e zëvendësimit të kryeprokurores me një tjetër shërbëtore të pushtetit, ia shtojnë epshin për ta kthyer 21 janarin nga një krim të tij, në një krim të opozitës. Po i referohem fjalëve të xhaxhait të njërit prej të vrarëve, Aleks Nikës, kur tha se: ‘Krimineli kthehet gjithnjë në vendin e krimit’ dhe ky kthim tek ngjarja vetëm na kujton se vrasësi është ende në karrigen e kryeministrit. Herët ose vonë, Berisha do të duhet të kthehet para drejtësisë për gjakderdhjen e shkaktuar më 21 janar”, shtoi Rama.

Kufiri detar, Rama: Marrëveshja të jetë transparente dhe reciproke

I kthyer nga pushimet, Rama nuk ka lënë jashtë vëmendjes as çështjen e kufirit detar me Greqinë, duke i dërguar qeverisë këtë paralajmërim. “Marrëveshja për kufirin detar me Greqinë është një tradhti kombëtare. PS është për fqinjësi të mirë me Greqinë, por vetëm nëpërmjet reciprocitetit dhe jo nëpërmjet favoreve”, tha Rama.

“Është e patolerueshme që qeveria shqiptare ta riheqë vijën e kufirit detar me Greqinë, sipas interesave politike dhe ekonomike të fqinjit, apo të rikthehet përsëri në rrugën e negociatave të errëta dhe krejtësisht të dyshimta pasi u rrëzua me turp në Gjykatën Kushtetuese për një marrëveshje antikombëtare. Marrëveshja për kufirin detar duhet të bëhet, por duhet të bëhet në dritën e diellit dhe mbi bazën e reciprocitetit më absolute”, tha ai.

Reagimi i kryeministrit: Imuniteti hiqet me referendum

Kryeministri Berisha ka reaguar me anë të zëdhënëses për deklaratën e Edi Ramës mbi heqjen e imunitetit dhe ngjarjen e  21 janarit. Erla Mëhilli tha se mazhoranca nuk do të pranojë propozimin e PS-së për ndryshimet kushtetuese dhe se për imunitetin do të vendosin qytetarët me referendum.

“Kushtëzimi që i bën zoti Rama votimit për heqjen e imunitetit me instalimin e Kushtetutës së sundimit të pakicës, është ëndrra e tij e keqe që s’do realizohet kurrë ndonjëherë. Për një votim konsensual për heqjen e imunitetit zotit Rama ju bën të gjitha lëshimet dhe fatkeqësisht më datë 6 gusht ai bllokoi votimin e draftit të PS, ndaj dhe sot zgjidhja e vetme është referendumi popullor”, tha ajo.

Lidhur me “21 janarin” reagimi i qeverisë ishte se “shamia e përplasur në fytyrën e tij nga familjarët e njërit prej viktimave do ta ndjekë atë si dëshmi dhe akt akuzë në tërë jetën e tij” dhe për këtë ngjarje “topi” ka mbetur në portën e Ramës