e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama-Meta, darke sekrete ne Gjirin e Lalezit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama-Meta, darke sekrete ne Gjirin e Lalezit
Në politikën shqiptare zë vend më së miri shprehja e njohur “kurrë mos thuaj kurrë”, ose politika është arti i së pamundurës. Një gjë e tillë është vërtetuar ditët e fundit, kur dy ish-miqtë e vjetër dhe kundërshtarët aktualë politikë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, janë takuar me njëri-tjetrin larg vëmendjes së medias dhe publikut. Takimi apo darka është zhvilluar në vilën e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në Gjirin e Lalëzit, para disa ditësh dhe siç mësohet i është kushtuar më së shumti çështjes së zgjedhjes së Presidentit, situatës politike në përgjithësi dhe mundësive për një bashkëpunim më të frytshëm mes këtyre dy forcave në vijim.

Takimi

Duket se takimi i paralajmëruar mes kreut të PS-së dhe atij të LSI-së pas ftesës së Edi Ramës për kryetarët e partive parlamentare për të diskutuar zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, do të jetë formal. Kjo pasi drejtuesit e këtyre dy partive duket se i kanë ezauruar paraprakisht qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje në një darkë konfidenciale që kanë pasur para disa ditësh. Burime pranë PS-së kanë konfirmuar dje se Rama dhe Meta janë takuar në vilën e këtij të fundit në Gjirin e Lalëzit në Durrës. Informacioni për këtë takim ka qenë mjaft i rezervuar, për shkak se të pranishëm kanë qenë vetëm Meta dhe Rama.

Darka mësohet se është mundësuar falë negocimit që ka bërë një mik i përbashkët dhe ka zgjatur më shumë se dy orë. Dy politikanët kanë diskutuar për çështjen e presidentit dhe ecurinë e procesit për zgjedhjen e tij. Por jo vetëm kaq, pasi gjatë kësaj darke mësohet se janë prekur dhe çështje të tjera të nxehta, siç kanë qenë marrëdhëniet që kanë ekzistuar mes dy liderëve dhe partive që ata drejtojnë. Pavarësisht këtij takimi, mësohet se shumë shpejt të dy ish-bashkëpunëtorët e afërt dhe më kryesorë të së majtës gjatë viteve 2005-2008, pritet që të zhvillojnë dhe takimin e programuar, i cili kësaj here do të jetë i njohur për publikun.

Marrëdhëniet

Takimi në fjalë vjen pas një periudhe të gjatë mungese marrëdhëniesh dhe komunikimi mes dy drejtuesve të dy partive kryesore të së majtës. Që nga fillimi i vitit 2009, pra gjatë kohës që në Kuvend diskutohej reforma zgjedhore dhe më saktë sistemi zgjedhor elektoral, dy bashkëpunëtorët e së majtës, Rama dhe Meta të paktën publikisht nuk kanë pasur marrëdhënie mes tyre. Një përpjekje për t’i afruar ata në një bashkëpunim para zgjedhjeve të 2009-ës rezultoi e pafrytshme, ndërkohë që kapakun marrëdhënieve të tyre do ia vinin dy vendime: ai i marrë nga Rama dhe PS-ja për të mos pranuar daljen në koalicion me LSI-në, duke e konsideruar votën për LSI si votë për Berishën, dhe vendimi i LSI-së për t’u bërë pjesë e qeverisjes së djathtë pas zgjedhjeve.

Që nga ajo kohë, si vetë Rama ashtu dhe partia që ai drejton, e kanë konsideruar Metën si paterica që mban në këmbë qeverinë. Kulmin do të arrinte pikërisht në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2011, kur ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti publikoi videon e famshme. Një veprim ky që gjeti mbështetjen e Ramës dhe të PS-së, e cila edhe me këtë kauzë organizoi demonstratën e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 persona.

Takimi në fjalë duket se vjen dhe kur mes LSI-së dhe mazhorancës nuk po fryjnë erëra të ngrohta. Meta së bashku me dy deputetë të tjerë të LSI-së nuk morën pjesë në votimin për anëtarin e KLD-së, duke “lejuar” vetëm ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço që të votonte pro, dhe të bënte të mundur që mazhoranca të kapte 72 vota në Kuvend. Po kështu, qëndrimet e LSI për reformën zgjedhore dhe për zgjedhjen e presidentit duken larg atyre të mazhorancës dhe kryeministrit Berisha.