e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Rama: Islami u veteperjashtua nga PS

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Rama: Islami u veteperjashtua nga PS
Tensioni i perceptuar brenda të majtës, e sidomos Partisë Socialiste, duket se është më shumë një rrjedhë mediatike informimi sesa raport racional me realitetin e brendshëm. Në një intervistë dhënë gazetarit Alfred Peza, kreu i selisë rozë, Edi Rama, i shfaqur shumë i qetë në lidhje me problematikën e prekur, ka sqaruar se ajo çfarë sot shihet si një situatë e ngarkuar, është në fakt një lëvizje konsensuale dhe statutore drejt një normaliteti të munguar.

Për të dhënë një ide për këtë çështje, ai ka shpjeguar rastin e përjashtimit të Kastriot Islamit, vënë në një plan krahasues me “shkelës” kronikë të vendimeve të grupit parlamentar, si Ben Blushi apo Arben Malaj. “Nuk ka asnjë ngjashmëri për rastin në fjalë, dhe për këtë pse duhet të pyesni Kastriot Islamin. Ishte ai që shkeli vendimin politik të grupit për llogari të tij”, - tha Rama, për të nënvizuar se me aktet e konstatuara me votimin e guvernatorit, grupi parlamentar ka rënë dakord që shkelje të kësaj natyre të mos përsëriten më. Madje, sipas kreut të PS-së, Islami ka qenë në sallë dhe është larguar, duke fyer edhe kolegët e vet. “Kur është marrë vendimi politik për të kundërvotuar kandidaturën për kreun e KLSH-së, është thënë qartësisht se prania dhe vota kundër janë detyrim i të gjithëve.

I vetmi që e theu atë pa asnjë arsye të justifikuar është Islami, që vendosi të largohej nga grupi. Nëse është një sebep, është sebep që e krijoi vetë me vullnetin e tij të lirë. Nuk i hyj fare nëse e krijoi vetë si sebep”, - ka shpjeguar Rama. Tërësisht procedural dhe njerëzor ka qenë sipas tij, edhe rasti i deputetes Rudina Seseri, larguar vullnetarisht pas pamundësisë për të vijuar më tej qëndrimin në distancë nga punët e PS-së dhe të vendit. Sa i përket polemikës së trumbetuar me ish-Presidentin Meidani, ai ka minimizuar rolin apo qenien e diçkaje të këtillë, por nuk ka munguar të kujtojë se, “është për t’u habitur kur dikush që ushqen në mënyrë të vazhdueshme debat dhe polemikë reagon në mënyrë joproporcionale kur dikush tjetër reagon me një mendim që nuk është si i tiji”.

Duke mbetur te kjo temë, pra te fakti se çarjet dhe debatet majtas ndikojnë në rezultatin elektoral, Edi Rama ka konfirmuar dy gjëra që kanë pasoja politike; së pari, se edhe me daljen në formatin e koalicionit të vitit 2009, PS-ja dhe aleatët e saj kanë fituar, sikundër një gjë e tillë është konfirmuar edhe në vitin 2011. Zgjedhjet e vjedhura sipas tij, janë tanimë një fakt i pamohueshëm dhe për këtë “nuk është vetëm PS-ja dëshmitare”.

Për mënyrat e ndryshme të reagimit në vitin 2009 dhe 2011 lidhur me të njëjtën dukuri, kreu i PS-së u shpreh se në rastin e parë, edhe “raporti i OSBE/ODIHR-it ishte hipokrit në raport me të vërtetën”. Së dyti, diskutimi mbi aleancën me Lëvizjen Socialiste për Integrim si rruga e vetme e fitores është mohuar nga Rama jo vetëm në dritën e zgjedhjeve të manipuluar, por edhe të njollosjes së partisë së Ilir Metës. “Për çfarë duhet të fitojë PS-ja dhe koalicioni opozitar, për të ndërruar një pushtet të kalbur me një pushtet tjetër të destinuar të kalbet? Unë mendoj se ne duhet të fitojmë për të ndryshuar Shqipërinë”, - deklaroi kreu i PS-së.