e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Raiffeisen Bank: Dalja e Greqise, euro zbret ne 110 cent

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Raiffeisen Bank: Dalja e Greqise, euro zbret ne 110 cent
Raiffeisen Bank në një analizë të fundit për ecurinë e këmbimit të dollarit me euron parashikon se vlera e monedhës së përbashkët do të vijojë në rënie përgjatë vitit në vijim. Banka Raiffeisen ka marrë në konsideratë për ecurinë e këmbimit dy skenarë që lidhen me Greqinë. Skenari i parë parasheh një këmbim mes euros dhe dollarit në vlerën e 120 centëve nga 124 cent që është aktualisht, nëse Greqia i zgjidh problemet e saj duke qenë pjesë e eurozonës. Ky në fakt është skenari normal që banka llogarit, çka nënkupton mosndryshim të marrëveshjes së shpëtimit pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.

Ndërsa skenari i dytë llogarit se çfarë do të ndodhë me vlerën e euros në rast se Greqia del nga eurozona. I vlerësuar si skenari i rrezikut, mendohet se rikthimi i dhrahmisë greke do të çojë euron në vlerën e 110 centëve në këmbim me USD. Raiffeisen Bank e vlerëson situatën në Greqi ekstremisht delikate dhe gati të paparashikueshme nga ajo çka mund të prodhojnë zgjedhjet. Me zhvillimet aktuale, mundësia e daljes së Greqisë nga euro është 50 për qind, vlerëson RZB në analizën për ecurinë e kursit të këmbimit “Në opinionin tonë, dalja e Greqisë nga euro do të kishte një efekt të madh në kursin e këmbimit, sidomos në terma afatshkurtër. Kursi i këmbimit të euros do të zbresë në nivelin 110 cent” thuhet në raportin e RZB.

Banka austriake parashikon gjithashtu se, nëse Greqia nuk del nga eurozona, këmbimi i euros në vlerën e 130 centëve me dollarin mund të rikthehet në fillim të vitit 2013. Në katër vitet e fundit zhvillimet në kursin e këmbimit të supervalutave janë ndikuar ndjeshëm nga kriza e borxheve në eurozonë dhe sidomos nga situata mjaft e rënduar në Greqi. Gjatë periudhës nëntor 2009 dhe qershor 2010, euro është nënçmuar në me shumë se 20 për qind në këmbim me dollarin, duke rënë në nivelin 1 euro në 120 cent nga 150 cent që ishte në fillim të periudhës. Kjo rënie erdhi për shkak të zbulimeve që iu bënë falsifikimeve që kishte bërë Greqia me shifrat e buxhetit, sqaron RZB në analizën e saj. Ndërkohë që politika europiane dhe institucionet financiare ndërkombëtare si FMN u gjetën të papërgatitura për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë situatës. Më pas, pas miratimit të Paktit të Stabilitetit për eurozonën dhe miratimit të planit të ndihmës për Greqinë, euro kapi sërish vlerat reale të këmbimit të saj me 150 cent.

Ndërsa faza e tretë e luhatjes së valutës europiane përfshin fundin e prillit të këtij viti, kur euro humbi plot 25 cent në këmbim me dollarin, duke shënuar një humbje prej 17 përqindësh. Kjo humbje ka ardhur për shkak të dilemave që kanë krijuar rezultatet e zgjedhjeve në Greqi, të cilat mund ta çojnë atë jashtë zonës euro. Nga ana tjetër, parashikimet për një ecuri të këmbimit mbeten jo fort të sakta për shkak të surprizave që mund të sjellin zhvillimet në Greqi dhe rikthimi i problemeve në Spanjë.

Epërsia e euros me USD që nga 1992

Vitet    Epërsia e euros

1992    +28.4

1993    +15.9

1994    +18.1

1995    +13.4

1996    +8.1

1997    +22.5

1998    +15.7

1999    +17.9

2000    +20.6

2001    +11.5

2002    +18.8

2003    +22.4

2004    +18.1

2005    +18.0

2006    +15.3

2007    +19.7

2008    +35.3

2009    +25.6

2010    +26.2

2011    +19.7

2012    +10.7