e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Qeveria, 56 milione USD pa tender

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Qeveria, 56 milione USD pa tender
Të marrësh pjesë në tenderët e administratës publike është qëllimi kryesor i shumë kompanive private, madje një pjesë e mirë janë krijuar enkas për t’u futur në “lotarinë” e buxhetit të shtetit. Me hapësirat që jep ligji shqiptar i prokurimeve publike, shpallja e fituesit mund të bëhet edhe pa iu futur garës konkurruese që firmat private duhet të kalojnë, në mënyrë që të ofrohet çmimi më i ulët.

Skema është e qartë. Në fillim palët bëjnë sikur diçka nuk shkon dhe vendosin të anulojnë tenderin. Shikojnë nga e para letrat dhe nisin fazën e dytë, përsëritjen e tenderit, por sërish dështon për “arsye” nga më të ndryshmet. Koha ikën dhe duhen përgatitur sërish procedurat për tenderin e tretë, ashtu siç e kërkon ligji. Por, “plani” duhet çuar deri në fund dhe komisioni i tenderit vendos ta anulojë sërish. Shkaqet? Nga më të ndryshmet që të ofron ligji, si mungesë dokumentacioni, mungesë konkurrence, firmat që tërhiqen etj.

Në këto kushte, enti shtetëror është i detyruar të veprojë sipas “planit B”: blerja e mallit, shërbimit ose kryerja e investimit pa tender, pa garë, pa konkurrencë. Kur procedura e shpenzimit kalon pa tender, askush nga firmat nuk mund të ankohet dhe askush nga lart nuk është në gjendje të verifikojë si u shpenzuan paratë e buxhetit.

Kjo skemë është përsëritur mbi 1900 herë gjatë vitit 2010. Plot 56 milionë dollarë janë shpenzuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për objekte, shërbime e mallra, sipas “planit B”, pa tender. Shifra konsiderohet më e lartë se niveli i vitit 2009, kur kishte ‘bum’ tenderësh për shkak të fushatës. Po ta krahasojmë me numrin total të kontratave të shpallura fituese, shpenzimet pa tender zënë rreth 60 për qind, tregues ky akoma edhe më shqetësues.

Në raportin e publikuar së fundmi, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) thekson se janë publikuar 1960 kontrata të nënshkruara për procedura me negocim, pa publikim të njoftimit të kontratës (ose ndryshe, pa tender). Këto janë procedura që kryhen kur tenderi ka dështuar dhe për shkaqe të kohës nuk mund të presësh më hapjen e një tjetër tenderi, e në këto kushte administrata kalon në fazën tjetër.

Në jo pak raste, Avokati i Prokurimeve ka ngritur shqetësimin se administrata publike i zvarrit qëllimisht tenderët ose i anulon pa shkak, në mënyrë që të arrihet te objektivi i lidhur nga interesat korruptive. Avokati, në raportin e fundit për vitin 2010, ngre disa problematika ligjore që lidhen me shpenzimet e administratës në dëm të arkës së shtetit.

Të njëjtat shqetësime ka ngritur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke kërkuar nga autoritetet kompetente si APP-ja, që të merren masat. KLSH-ja thekson se duhen kuptuar dhe zbardhur si duhet arsyet se pse anulohet shpesh një tender i caktuar si dhe rezultati final që shpall kualifikimin pa garë të një kompanie private.

Shifrat
Vlera e prokurimeve, 700 milionë dollarë

Për vitin që lamë pas, administrata publike, qendrore dhe lokale shpalli fillimin e procedurave për tender, në 6449 raste. Vlera e këtyre tenderëve ishte rreth 700 milionë dollarë (74 miliardë lekë), shifër që duhet të ishte akoma edhe më lartë, po të kihet parasysh se qeveria i ndaloi kryerjen e procedurave të tjera prokuruese pas datës 1 gusht. Ky vendim solli anulimin e tenderëve të planifikuar.

Fondi, u kursyen 30 milionë dollarë

Jo gjithë fondi i vendosur në dispozicion shkoi për punët publike dhe për mallrat e planifikuara. Sipas raportit të Agjencisë së Prokurimit Publik, rreth 10% e fondit total të prokuruar u kursye për shkak të ofertave mes kompanive private, ose gati 30 milionë dollarë. Në total, gjatë vitit 2010 u vendosën të prokuroheshin 300 milionë USD, nga 700 milionë USD që ishte në planin buxhetor.

Problematika
Skualifikohen 5 kompani private

Pesë kompani nga sektorë të ndryshëm nuk do të marrin pjesë në tenderët e administratës publike për një afat kohor deri në tre vjet. Skualifikimi i tyre vjen si kërkesë e vet institucionit pas rasteve të konstatuara me shkelje gjatë zbatimit të kontratës. APP-së iu propozuan emrat e 18 shoqërive për t’u përjashtuar nga garat, por 9 ishin në rregull me ligjin dhe 4 janë në proces.

Prokurohen më tepër mallra sesa investime

Numri total i njoftimeve të kontratave të procedurave të prokurimit të publikuara gjatë vitit 2010, sipas llojeve të kontratave; shërbim, mall, punë, në faqen zyrtare të APP-së është 4489 – me elektronikë. Nga të dhënat shikohet se janë kryer më shumë tenderë për blerje mallrash, në 2157 raste, se sa për investimet, 1257 procedura, kurse pjesa e mbetur janë shërbime të ndryshme.