E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Prokuroria kerkon te testoje shqipen e Bossit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Prokuroria kerkon te testoje shqipen e Bossit
Tiranë - Prokuroria e Tiranës thotë se do të merren në pyetje stafi i Kristal dhe pedagogët si dhe do të testohet aftësia njohëse e gjuhës shqipe nga ana e Renzo Bossit për skandalin e diplomës. Një tjetër element për t’u qartësuar është dhe nëse diploma e ish-këshilltarit rajonal të Lombardisë është njësuar në Ambasadën Italiane në Shqipëri. Ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga autoritetet e Milanos që të marrë në pyetje vetë djalin e kreut të Lega Nord, Umberto Bossit, edhe ky nën akuzë për korrupsion në partinë e tij.

Verifikimet

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se verifikimet do të jenë të shpejta. Mbi të gjitha pritet që ato të hedhin dritë në lidhje me marrje e diplomës në universitetin privat nga Renzo Bossi. Prokuroria e Përgjithshme mesa duket nuk do të humbasë kohë. Kjo edhe pse dyshimet për karrierën akademike të djalit të Bossit sipas analistëve në Itali, rrezikojnë të pështjellojnë qeverinë e Berishës.

Hetime edhe në Itali

Gjatë kësaj jave hetuesit e Ina Ramës do t’i kërkojnë prokurorisë së Milanos dhe Napolit aktet e hetimit që i përkasin diplomës së Renzo Bossit dhe Pier Moscagiuros. Sakaq bëhet e ditur se hetuesit shqiptarë gjatë këtyre ditëve do të dëgjojnë dëshmitë e gjithë pedagogëve të lëndëve që i përkasin diplomave të dhëna dy italianëve nga Kristal, për të kuptuar nëse Renzo Bossi i ka frekuentuar leksionet. Po kështu, do të dëgjohen dhe dëshmitë e personelit të Universitetit Kristal që ka bërë regjistrimin e Renzo Bossit. Jo vetëm kaq. Task Forca ka ndërmend të thërrasë për të dëshmuar vetë atë, Renzo Bossin, për të folur mbi studimet në Universitetin Kristal. Hetuesit janë duke punuar në dy pista dhe me dyshimet e akuzave si falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe për korrupsion aktiv apo pasiv. Deri tani nuk ka persona nën hetim, konfirmon Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Përgjithshme, edhe pse ndonjë fakt mund të dalë “nga verifikimi i regjistrave të universitetit”. “Corriere della Sera” shkruan se Prokuroria e Tiranës kërkon të testohet aftësia njohëse e gjuhës shqipe nga ana e Bossit dhe pyetja e tij prej hetuesve. Një tjetër element për t’u qartësuar është dhe nëse diploma e ish-këshilltarit rajonal të Lombardisë është njësuar në Ambasadën Italiane në Shqipëri. “Kemi dërguar materialin e procesit në Prokurorinë e Milanos dhe të Napolit”, thonë nga zyra diplomatike italiane në Tiranë.

Diploma e Bossit kthehet në parodi

Historia e diplomës shqiptare të Bossit Jr është kthyer tashmë në video-parodi në Itali. Më poshtë teksti i këngës ironike që qarkullon nëpër webet italiane. “Është Shqipëria, është Shqipëria, që më ka ndërruar fizionominë”, “të mjafton pak fantazi dhe diplomohesh në mikroekonomi”, kështu i këndon Renzo Bossit vendit ku mund të marrësh çfarëdolloj titulli pa lëvizur nga shtëpia, e pa harxhuar energji.

Durrës, parcelë hashashi në port, dy në pranga

Zbulohet një parcelë e përgatitur për kultivim droge në portin e Durrësit, dy në pranga. Disa kultivues droge janë joshur nga mjediset e ish-fabrikës së Kurumit, brenda territorit të portit të Durrësit dhe e kanë përgatitur për të kultivuar rrënjë kanabis sativa, duke sfiduar forcat e rendit dhe ato portuale. Këtë fakt e kanë zbuluar sot efektivët e antidrogës në qytetin bregdetar, të cilët kanë vënë në pranga dy të rinj, 23-vjecarin Fatjon Dani dhe 20-vjecarin Orges Dervishi. Sipas policisë, dy të arrestuarit ishin duke përshtatur mjediset e fabrikës së ish-Kurumit për mbjelljen e bimëve narkotike, me qëllim trafikimin e tyre. Policia e Durrësit po heton për këtë çështje, si dhe për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

Hajdutët zhysin në errësirë fshatrat turistikë

Vjedhja e telave elektrikë të 21 shtyllave ka lënë në errësirë fshatin Bogë të komunës Shkrel në rrethin e Malësisë së Madhe. Prej një jave, banorë të këtij fshati, i cili njihet dhe si fshat turistik, janë në errësirë. Sipas banorëve, edhe herë të tjera ka ndodhur që të vidhet teli përcjellës i shtyllave të energjisë elektrike por këtë here vjedhja ka qenë e njëkohshme duke lënë në errësirë gjithë fshatin. Burime të policisë theksojnë se po bëhen hetime lidhur me këtë, ndërsa dyshohet se vjedhja e telave është bërë për t’i shitur ato për skrap. Banorët shprehen se kanë vënë në dijeni pushtetin vendor dhe Cez-in por deri tani nuk është bërë asgjë ndërsa ato vazhdojnë të jenë në errësirë.