e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Prokuroret duan bashkepunim, gardisti 'kyç gojen' para tyre

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Prokuroret duan bashkepunim, gardisti 'kyç gojen' para tyre
Për disa orë, katër prokurorë janë munduar të marrin sa më shumë informacion nga gardisti Agim Llupo, por ai ka “kyçur gojën”, duke mos pranuar të tregojë asgjë. Por, kur ka mbërritur akti i ekspertimit, ai ka mbetur i shtangur dhe prokurorët i kanë lexuar urdhrin e ndalimit. Megjithatë, prokuroria ka kërkuar prej tij që të japë informacion në shërbim të hetimit për gjithçka ka ndodhur më 21 janar.

Sipas të dhënave, për minuta të tëra, në forma të ndryshme, 43-vjeçarit Llupo i është kërkuar të ndërtojë ngjarjen e 21 janarit. Atij i është kërkuar nga hetuesit dhe prokurorët të tregojë se kush kishte dhënë urdhër të qëllohej në ajër, kush kishte dhënë urdhër të qëllohej drejt njerëzve, e shumë pyetje të tjera, por ai nuk ka pranuar të tregojë asgjë. Megjithatë, drita jeshile për të mësohet se nuk është mbyllur. Burimet nga prokuroria tregojnë se do të vijojë marrja në pyetje dhe do të shikohet nëse do të ketë një bashkëpunim. Gjithashtu, prokuroria ka kërkuar më shumë bashkëpunim edhe nga Garda e Republikës. Pavarësisht se deri më sot janë lëshuar gjashtë urdhër-ndalime për oficerë të saj, është zbatuar vetëm një. Madje, ky është zbatuar gjatë kohës që është marrë në pyetje, pasi akti i ekspertimit e ka nxjerrë të dyshuarin kryesor për ngjarjen.

Gjatë ditëve në vijim pritet që të thirren persona të tjerë në prokurori, sidomos nga gjashtëshja e “të kërkuarve”, por njëkohësisht priten edhe fakte të reja nga ekspertiza, që deri tani ka dalë vetëm për plumbin që qëlloi mbi Ziver Veizin. Ai u vra më 21 janar së bashku me 3 shtetas të tjerë, Hekuran Dedën, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Në momentin që u qëllua, Veizi ndodhej jashtë rrethimit të godinës së Kryeministrisë. Por siç dihet, urdhër-arrestet për gjashtë drejtues të Gardës shkaktuan jo pak polemika që prej ditës së demonstratës, ku Kryeministri hyri në një konflikt të hapur me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Pas demonstratës, Kryeministri shprehu vlerësim të lartë për punën e Gardës së Republikës, ndërsa akuzoi Kryeprokuroren se shkeli paktin për gardistët. Por, nga dita në ditë Berisha ka ndryshuar deklaratat e tij dhe vetëm dy ditë më parë theksoi se nuk do të lejojë ndalimin e hetimeve për zbardhjen e 21 janarit, që sipas tij ishte “grusht shteti”. Berisha premtoi gjithashtu dhe zbardhjen e katër vrasjeve. Ndërkohë, opozita prej ditësh ka kërkuar arrestimin e gardistëve dhe dorëzimin e tyre para organeve të drejtësisë.

Deri tani, veç gardistit të arrestuar, nuk është shoqëruar asnjë tjetër nga policia. Madje, edhe ky i është dërguar policisë peshqesh nga organi i akuzës, i cili e ka arrestuar në zyrë, teksa e merrte në pyetje. Nuk dihet nëse ky ndalim do sjellë bashkëpunimin e oficerëve të tjerë të Gardës, të cilët janë parashikuar për t’u marrë në pyetje. Burimet policore shpjeguan se Llupo ishte dërguar në polici rreth orës 01:40 të mëngjesit dhe aty janë kryer të gjitha procedurat. Në orën 05:15 minuta ai është dërguar në qeli, ndërkohë që sot ose nesër do të paraqitet në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë, pasi aktualisht mbahet i izoluar me urdhrin e ndalimit të prokurorisë.

Llupo është i dyshuar se mund të ketë qëlluar edhe mbi viktimat e tjera, megjithatë kjo nuk është vërtetuar ende. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, pritet ekspertiza e plumbave dhe e armëve të tjera të dorëzuara nga Garda e Republikës për të dokumentuar tërësisht vrasjen e katër demonstruesve. I fundit që vdiq ishte Aleks Nikaj, i cili për më shumë se dy javë qëndroi në gjendje kome dhe vdiq në spitalin e Ankarasë. Madje, edhe plumbi që ishte në kokën e Nikajt është sjellë pranë prokurorisë dhe tashmë po bëhet ekspertiza e tij.