e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Pollo: Sharlatanët, kundër regjistrimit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pollo: Sharlatanët, kundër regjistrimit
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, i cilëson si sharlatanë të gjithë personalitetet shqiptare që dolën kundër procesit të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. I pranishëm në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për të mbrojtur ndryshimet në draftin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”, Pollo nuk i ka kursyer epitetet fyese ndaj të gjithë atyre që dolën kundër procesit të regjistrimit, që sipas tij kanë keqkuptuar nismën e qeverisë. “Censusi nuk ka asnjë lidhje me regjistrimin etnik apo fetar siç pretendojnë sharlatanë e zhurmatorë, që kanë ngatërruar dhe nakatosur punët e tyre dhe tani duan të përhapin ndotje gjithandej. Pra, mbetet në fondin leksikor të shqipes, por përdoret me saktësi për të dhënë kuptimin real të saj dhe për të evituar keqkuptimet”, u shpreh Pollo. Ministri i Inovacionit, i cili është përgjegjës për procesin e regjistrimit, me këtë deklaratë sulmoi ashpër nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, njëherësh dhe kreun e Aleancës Kuq e Zi. Por për Pollon etiketimi “sharlatanë” vlen edhe për ato personalitete të shoqërisë shqiptare si Sabri Godo, Pëllumb Xhufi, Alfred Moisiu etj., që kontestuan një proces të tillë regjistrimi. Ministri Pollo mohoi faktin se një regjistrim i tillë do të realizohet për efekte etnie dhe fetare, për qëllime të saktësimit të popullsisë dhe për nivelin e varfërisë. “Kemi një popullsi prej 4.4 milionë banorësh. Nga të dhënat që disponojmë kemi që 1 milion banorë ndodhen jashtë Shqipërisë. Kjo është shifër e pasaktë. Prandaj nevojitet ky census për të verifikuar realisht, pasi censusi i vitit 2001 nuk është real. Ne kemi një shportë të dhënash, nga e cila nuk jemi në gjendje të mbledhim atë të besueshmen, të saktën. Censusi i jep një përgjigje të mirë kësaj. Për të përcaktuar se si do të jenë investimet publike, të ndara në qarqe, censusi jep një bazë shumë të mirë të gjendjes së popullsisë rezidente, në njësitë vendore, jep të dhëna edhe për kritere të tjera, sepse popullsia nuk është i vetmi. Censusi jep të dhëna për të ardhurat personale, për të ardhurat në njësitë ekonomike familjare dhe më tej. Secila komunë, bashki, rreth apo qark ka një tregues të gjendjes sociale, të kamjes apo varfërisë”, theksoi ministri i Inovacionit. Ndërsa pyetjes së deputetit të PD-së, Dashnor Sula, për koston e procesit, Pollo nuk dha ndonjë shifër të saktë. “INSTAT-i është institucioni përgjegjës për këtë proces, i cili do të marrë pjesën më të madhe të luanit të buxhetit të institucionit”, theksoi Pollo, duke mos dhënë një shifër për koston totale. Ndërkohë që sipas Kushtetutës, projektligji në Parlament duhet të shoqërohet dhe me koston financiare për zbatimin e tij. Afati i procesit të regjistrimit është 30-ditor, por Pollo theksoi se një gjë e tillë edhe mund të shtyhet, pasi mund të ketë komuna të largëta që ndikojnë në tejkalimin e tij. “Për mbrojtjen e të dhënave do të ketë çdo zonë një dhomë të blinduar në të cilën do të ketë edhe derë të blinduar. Gjithashtu edhe transporti i pyetësorit do të bëhet në të njëjtën mënyrë”, iu përgjigj ministri pyetjes së deputetit Alibeaj për sigurinë e të dhënave. Të gjitha këto të dhëna do të publikohen në raportin e INSTAT-it. Ndërsa drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, e pranishme në komision theksoi se pyetësori është hartuar mbi bazën e Eurostatit, e cila është baza kryesore.