e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Policia e Shtetit: Kujdes me te dhenat personale ne internet

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Policia e Shtetit: Kujdes me te dhenat personale ne internet
Policia e Shtetit tha të enjten, përmes një njoftimi për shtyp, se kohët e fundit janë evidentuar disa raste mashtrimesh të kryera nëpërmjet postës elektronike pre e të cilave kanë qenë qytetarë shqiptarë.

Autorët e këtyre mashtrimeve dërgojnë mesazhe elektronike ( e-mail), ku paraqiten si përfaqësues të kompanive Yahoo, Gmail, Hotmail, në të cilat njoftojnë se posta elektronike është e vjetër dhe kërkohet rinovimi i fjalëkalimit përkatës. Po ashtu autorët dërgojnë për plotësim një formular, përmes të cilit kërkojnë të dhëna për gjeneralitetet, numrin e dokumentit te identifikimit dhe fjalëkalimin aktual të postës elektronike. Duke marrë të plotësuar këtë formular këta persona bëhen në mënyrë të paligjshme posedues të postës elektronike dhe e përdorin atë për qëllime mashtrimi.

Konkretisht ata dërgojnë mesazhe mashtruese tek të njohurit e viktimës së këtij mashtrimi, të cilët janë të regjistruar si kontakte në postën elektronike, dhe u kërkojnë para për arsye nga më të ndryshmet.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se autorët e këtij mashtrimi janë kryesisht nga vendet e kontinentit Afrikan, Nigeria, Bregu i Fildishtë etj.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, të shmangin komunikimet në Internet me përdorues të panjohur prej tyre, të ruajnë fjalëkalimet dhe të dhënat mbrojtëse të postës elektronike apo të çdo lloj forme tjetër komunikimi duke mos i hedhur ato në çdo lloj faqe Interneti, të jenë të kujdesshëm gjatë navigimit në Internet, si dhe për çdo rast të informojnë policinë përmes numrit të telefonit 0964102688, të Sektorit Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.