e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Pezullohet nga puna Erzen Brecan, status ne FB per rrezimin e Rames

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pezullohet nga puna Erzen Brecan, status ne FB per rrezimin e Rames

Pezullohet nga puna zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, për shkak të statusit në “Facebook”. Vendimi është dhënë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. Para pak ditësh zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit bëri thirrje publike, kundër kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me diktatorët, Enver Hoxha dhe Hitlerin dhe i kërkoi ndihmë kryeministrit ende në detyrë, Sali Berisha që t’i drejtonte në rrëzimin e Edi Ramës.

Në një status në profilin e vet në Facebook, hedhur të dielën në mbrëmje rreth orës 20.00, përmes celularit, Breçani i bëri thirrje publike Berishës që t’i prijë në rrëzimin e kryeministrit të ardhshëm. “Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve Doktor Sali Berishës. E duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish deri sa të largojmë pinjollët e komunistëve me në krye Edvin Ramën, ta largojmë këtë Enver të dytë ne që dikur studentë të ’91-it shembëm diktaturën enveriste. Do gjejmë forcë dhe optimizëm, do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët”,- shkroi Breçani në profilin e vet në Facebook.

Pas këtij mesazhi erdhën edhe disa mbështetje online. Dikush iu përgjigj se ai është kandidati i duhur për kryetarin e PD-së, duke uruar që ta shohin në atë post një ditë dhe se PD është e Tropojës. Një tjetër i shkroi se: “E meriton vërtet vendin e Doktorit...”, një tjetër i shkroi se: “Besnikëria, përkushtimi dhe fisnikëria me të cilën ti i shërbeve kryeministrit, liderit të kombit, ka bërë që të gëzosh respekt dhe vlerësim nga të gjithë ata që të njohin dhe të kanë dëgjuar vetëm emrin”, se:

“Patjetër që do jemi të bashkuar dhe s’do lejojmë që disa besëprerë bukëshkelur të shkelin mbi idealet dhe atë që Lideri ynë arriti të lartësojë”, “Do ta rrëzojmë birin e k... ës Edvin Ramën se askush nuk na ndal”. Por ka edhe disa komentues që nuk janë dakord me PD-në dhe figurat që e përfaqësojnë sot atë. Njëri prej tyre shkruan se: “Problemi i PD-së është se ka shumë komunistë, spiunë, sigurimsa, ish-anëtarë të Partisë së Punës..... duhet brezi i ri...”, apo se: “PD me deputet Kastriot Islamin, Genc Pollon, Rusmajlin, Agim Shehun, oficerin e kufirit që vriste njerëz në kufi, e vër Saliun që ishte anëtar partie e i përkëdhelur i Bllokut, s’më duket shumë parti e djathtë, pa përmendur terroristin Arben Imami që vriste oficerë të republikës në 1997...”.