e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Pergjuesi i cifteve plagos te riun te Liqeni

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pergjuesi i cifteve plagos te riun te Liqeni
Plagosja, 23-vjeçari ndoqi përgjuesin e çifteve pas çasteve intime. Tiranë, i riu jashtë rrezikut, autori i krimit zhduket në pyll.Një 23-vjeçar u plagos mbrëmë me armë zjarri në zonën e Kodrave të Liqenit Artificial në Tiranë. Ai u qëllua me armë kur ishte në shoqërinë e të dashurës së tij. Autori i krimit dyshohet se është një person që përgjonte çiftet gjatë momenteve intime.

Policia ka pohuar se i plagosuri është Arbër Kosuni, që shoqërohej nga e dashura e tij, një vajzë në të njëjtën moshë me të. Autori dyshohet të jetë një djalë rreth 25 vjeç, i cili pas ngjarjes ka vrapuar në thellësi të pyllit duke humbur gjurmët. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, kur një çift ndodhej në intimitet në një prej lulishteve të Liqenit, që ndodhej disa metra larg Fakultetit të Gjeologji-Minierave. Në një moment, vajza ka pikasur nëpër errësirë një hije që lëvizte sa në një pemë në një pemë tjetër dhe, kur është afruar më shumë pranë tyre, ajo e frikësuar i ka treguar të dashurit, Kosuni, se një person po i shikonte fshehurazi pas pemës.

Menjëherë 23- vjeçari është ngritur në këmbë dhe është drejtuar tek autori, i cili fillimisht ka tentuar të largohet, por më pas dy djemtë janë përleshur me njëri-tjetrin. I dëmtuari po i kërkonte shpjegime se çfarë kërkonte aty duke e “përgjuar” pas peme, ndërsa autori, i cili ka qenë i armatosur, ka nxjerrë pistoletën dhe, në tentativë për t’u shkëputur nga Kosuni, ka qëlluar një herë drejt tij. Burimet tanë se Arbër Kosuni ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autori i ngjarjes ka arritur të fshihet në brendësi të pyllit. Shërbimet e Komisariatit Nr.1 dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë vënë në ndjekje të tij në brendësi të pyllit të Kodrave të Liqenit Artificial.

Postblloqe policie janë ngritur në dalje të të gjitha rrugëve të Liqenit, ndërsa në territorin e dendur në brendësi të pyllit është kontrolluar gjatë gjithë natës nga punonjës Policie që lëviznin në këmbë. Policia ka marrë në pyetje të dashurën e të plagosurit, si dhe vetë Kosunin, i cili, pavarësisht plagës, ka qenë në gjendje të deklarojë për grupin hetimor.

Sipas dy të rinjve, vendi ku ndodhi ngjarja është shumë pak i ndriçuar dhe fillimisht kanë parë vetëm siluetën e autorit. Ndërsa 23- vjeçari i plagosur, i cili i ka shkuar afër, madje edhe është përleshur me të dyshuarin, ka arritur të japë disa karakteristika fizike të tij. Kosuni ka treguar për hetuesit se autori ishte një djalë i ri, jo më shumë se 25 vjeç, i veshur me xhinse dhe një bluzë me mëngë të shkurtra, ngjyrën e së cilës nuk ka arritur ta dallojë për shkak të errësirës. Ai ka treguar gjithashtu se pasi është qëlluar me armë, është rrëzuar në tokë dhe ka parë që autori po largohej në drejtim të Liqenit të Thatë.