e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Pergjigjja e opozites, Rama: Nuk do ta pranojme ftesen e mazhorances

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pergjigjja e opozites, Rama: Nuk do ta pranojme ftesen e mazhorances
Kreu socialist: Nuk duam të bëjmë arnime ligjesh, kërkojmë reformim të thellë Tirana, Rama: Kërkesa ndaj ndërkombëtarëve, jo për ndryshim rezultati. Pas ftesës së bërë disa ditë më parë nga mazhoranca drejt opozitës për bashkëpunim në kuadër të reformës zgjedhore, dje erdhi edhe reagimi i parë i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili deklaroi se PS nuk do ta pranojë atë. Lideri i opozitës në intervistën e tij në “Top Channel” theksoi se opozita nuk do t'u përgjigjet ftesave të PD-së, të cilat ai i cilësoi si arnime ligjesh. “Nuk bëhet fjalë për arna dhe nuk bëjmë asnjë lloj dialogu për të arnuar një ligj këtu e një ligj atje, por bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të jetë serioz, i denjë për një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, i garantuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe me fokus ringritjen e shtetit të rënë të së drejtës”, - tha Rama.

Për kreun socialist e vetmja mënyrë që të rifillohet bashkëpunimi midis opozitës dhe mazhorancës është që të niset një reformë e thellë kushtetuese, ligjore dhe institucionale me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Lidhur me ndryshimet kushtetuese, Rama tha se opozita ka nisur një proces konsultimesh me ekspertë dhe konstitucionalistë për të korrigjuar, sipas tij, gabimet e së shkuarës në funksion të përmbushjes së detyrimeve ndaj komunitetit ndërkombëtar.

“Kemi nisur një proces konsultimesh me ekspertë, konstitucionalistë dhe opinionistë për të analizuar dhe adresuar këtë domosdoshmëri, duke shprehur edhe publikisht vullnetin tonë, që të reflektojmë mbi gabimet që mund të jenë bërë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, gabime që nuk duhet t'i kushtojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por duhen korrigjuar edhe në funksion të përmbushjes, së të gjitha atyre detyrimeve të shtruara qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë”, - theksoi ai. Në lidhje me garën e Bashkisë së Tiranës dhe kërkesën e fundit të kreut socialist ndaj ndërkombëtarëve për t’u shprehur pa ekuivok ndaj mbarëvajtjes së saj, Rama u shpreh se ai ka kërkuar një adresim më të qartë të përgjegjësive për atë që ndodhi, që kjo situatë të mos përsëritet.

“Jo, se kjo do të ndryshonte gjësend në rezultatin e një grabitjeje të vulosur me vendim gjykate, por pa asnjë dyshim do të krijonte bazën për të hapur një proces serioz reformimi të thellë kushtetues, ligjor, institucional dhe njëkohësisht implementimi të asaj që ligjërohet”, - pohoi lideri opozitës. Për sa i përket të ardhmes së opozitës, Rama nënvizoi se ajo do të shpalosë para shqiptarëve një alternativë qeverisjeje që do të sjellë një ndryshim që sipas tij do ta kthejë vendin në rrugën e aspiratave të mëdha evropiane. “Ne i fituam zgjedhjet e 8 majit, si një rezistencë opozitare, zgjedhjet e ardhshme do t'i fitojmë si një alternativë qeverisëse. Pyetja që me të drejtë bëjnë të gjithë shqiptarët është kush jemi ne, Partia Socialiste dhe opozita, pse dhe si ne do ta garantojmë këtë ndryshim. Ne ju sigurojmë se kjo pyetje do të marrë përgjigjen që meriton dhe Shqipëria do të kthehet më shpejt se vonë në rrugën e aspiratës së saj të madhe evropiane”, - tha Rama.

Dy ditë më parë kryesocialisti reagoi ndaj deklaratave të BE-së, të cilat theksuan se gara e Tiranës tanimë mund të konsiderohet e përfunduar, përmes një letre zyrtare drejtuar përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, dhe komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule. Në letrën e tij Rama kërkoi nga ndërkombëtarët deklarata pa ekuivok ndaj garës së bashkisë së kryeqytetit si mundësinë e vetme për hapjen e rrugës ndaj dialogut, por duke theksuar nga ana tjetër se çështja e Tiranës konsiderohet e përfunduar edhe nga vetë ai. "Ne jemi të bindur se e vërteta e hidhur e këtij procesi pa standarde, ku KQZ-ja e Kolegji Zgjedhor manifestuan brutalisht mungesën e rendit ligjor në Shqipëri, duhet adresuar pa ekuivok, jo për të ndryshuar tanimë rezultatin e gënjeshtërt të Tiranës, por për të hapur rrugën e një dialogu serioz dhe ndërtuar qasjen e duhur ndaj së ardhmes", - u shpreh Rama.