e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Perçahet Opozita, aleatet shprehen hapur kunder Rames

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Perçahet Opozita, aleatet shprehen hapur kunder Rames
Milo, Gjinushi dhe Ndoka akuza të forta ndaj kreut socialist Milo: PS-ja duhet të heqë dorë nga paternalizmi ndaj aleatëve.

Pas zgjedhjeve të fundit të 8 Majit, opozita po has vështirësi dhe debate të mëdha brenda saj si për mënyrën e organizimit, ashtu edhe për aksionin politik, ku dje një pjesë e mirë e aleatëve të PS-së shprehën hapur kundërshtitë e tyre ndaj mënyrës se si kreu socialist Edi Rama po e drejton “Opozitën e Bashkuar”. Ata theksuan se mënyra e sjelljes së PS-së dhe kreut të saj pas garës së vendoreve ndaj aleatëve është shumë e paqartë dhe jo e drejtë e gjithashtu nuk nguruan të kërkonin një formë tjetër të organizimit të opozitës.

Kështu kreu i partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, u shpreh se opozita aktuale është tepër e paqartë dhe e pakoordinuar në veprimet e saj, duke shtuar se PS-ja po vepron në mënyrë paternaliste ndaj aleatëve. Sipas tij, PS-ja duhet të shprehë një konsideratë më të madhe për aleatët e “Opozitës së Bashkuar” dhe jo t’i trajtojë ata si shërbëtorë për interesat dhe synimet e saj apo t’i mënjanojë nga proceset vendimmarrëse. “Unë jam kritik sa i përket faktik se opozita, sot nuk është mbledhur për të shqyrtuar dhe koordinuar veprimet e saj të mëtejshme. Duhet, përfundimisht, të hiqet dorë nga nënvlerësimi dhe një lloj paternalizmi që PS-ja ushtron ndaj aleatëve të vet.

Duhet kuptuar që është koha që aleatët duhen vlerësuar për aq sa kanë dhe nuk duhen nënvlerësuar dhe nuk duhen konceptuar si shërbëtorë për interesat, synimet e PS-së që e kanë dëmtuar dhe mund ta dëmtojë në të ardhmen vetë aleaten tonë”, - tha Milo. Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka kërkoi nga PS-ja dhe opozita në tërësi nën drejtimin e Edi Ramës, një riorganizim të thellë brenda saj, duke nisur sipas tij që nga afrimi i figurave apo personave që janë larguar për arsye të ndryshme. “Opozita duhet të organizohet, të riformatohet, duhet të zgjerohet duke mos qëndruar e ngurtë në administrimin e këtij procesi, për t’u hapur shumë më tej duke tejkaluar disa konflikte të momentit për t’u faktorizuar në momentin më të shpejtë”, - theksoi ai. Nga ana tjetër, kreu i PSD-së dhe njëkohësisht një ndër zërat më kritikë ndaj politikës aktuale që po ndjek PS-ja, Skënder Gjinushi, theksoi se e majta ka nevojë për një platformë konkrete e aksion të qartë politik për t’u paraqitur denjësisht në zgjedhjet e ardhshme lokale. “PS-ja ka përgjegjësinë më të madhe për të kryer këtë mision opozitar. Është koha për të bërë përfundimisht opozitën e vërtetë.

Koha, gjoja e kompromiseve apo e opozitës “konstruktive”, absolutisht ka kaluar”, - tha Gjinushi. Kohët e fundit, koalicioni i majtë, veçanërisht pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit, ka marrë goditje të forta brenda tij nga një pjesë e mirë e aleatëve të PS-së. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka kundërshtuar politikën e ndjekur nga kreu socialist, madje pak ditë më parë, ai e akuzoi Ramën për bajraktarizëm të opozitës. Ndërsa Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Socialdemokrate, ka kundërshtuar uljen në negociata me mazhorancën për reformën zgjedhore, pasi ai kërkon radikalizëm të aksioneve opozitare. Po ashtu edhe kreu i PDS-së, Paskal Milo, nuk ka nguruar të shprehë hapur kritikën e tij ndaj sjelljes së PS-së përkundrejt aleatëve të saj, duke e cilësuar këtë marrëdhënie me interes të njëanshëm.