e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Pas 70 vjetesh, Kercova do te drejtohet nga nje shqiptar

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Pas 70 vjetesh, Kercova do te drejtohet nga nje shqiptar
Zgjedhjet vendore të dy ditëve më parë vlerësohen si të suksesshme për shqiptarët, sepse komunave tradicionalisht shqiptare në Maqedoni iu shtua edhe një, ajo e Kërçovës që nuk është drejtuar prej shqiptarëve që prej shtatëdhjetë vjetësh.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar në Çair të Shkupit, në Dibër të Madhe, në Saraj të Shkupit dhe me ndihmën e mijëra emigrantëve nga shumë vende të botës edhe Komunën e Kërçovës, si dhe disa komuna rurale.

Në Kërçovë dhe në selinë e BDI-së në Tetovë mbrëmë ka pasur atmosferë festive.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje përkrahësve të tij për maturi: “Kjo fitore u takon të gjithë qytetarëve në Kërçovë, sepse kryetarët, të cilët janë zgjedhur dhe që do të zgjidhen kanë për obligim që të kujdesen dhe të punojnë për të gjithë komunitetin që jeton aty”, tha Ahmeti.

Partia Demokratike Shqiptare do të garojë në raundin e dytë në Strugë, ku do të ketë mbështetjen gjithëshqiptare kundër kandidatit të partive maqedonase dhe pritet të fitojë atje. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, është shprehur i kënaqur me numrin e votave që kanë marrë kandidatët e partisë së tij, por jo dhe vetëm me një komunë deri tani të fituar.

“Përshëndetja e parë shkon për Strugën. Hallall i qoftë Zijadin Selës. PDSH-ja, për dallim prej zgjedhjeve parlamentare në nivel të republikës, ka marrë 21 mijë vota më tepër se para një viti e gjysmë”, bëri të ditur Thaçi.

Në Tetovë, do të shkojnë në balotazh Teuta Arifi e BDI-së dhe Sadi Bexheti i PDSH-së. Në Gostivar Rufi Osmani i RDK dhe Nevzat Bejta i BDI-së.

Ndërkohë, Partia VMRO-DPMNE e Kryeministrit Nikolla Gruevski ka fituar 54 komuna, ndërsa Lidhja Socialdemokrate e opozitës maqedonase shtatë. Raundi i dytë për ato komuna ku nuk pati fitore do të mbahet pas dy javësh.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë bërë vlerësime pozitive për procesin e zgjedhjeve vendore në Maqedoni. 420 ishte numri i pjesëtarëve të misioneve diplomatike, të OSBE-së dhe ODIHR-it, ndërsa shumë herë më i madh numri i vëzhguesve vendas.

Autoritetet e vendit theksojnë se kjo është hera e parë kur në një proces zgjedhor nuk shënohen incidente fizike as dhunë.