e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

PS e perjashton, Islami: Me larguan per oponencen ndaj Rames. Balla: Shkeli me vetedije normen e statutit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
PS e perjashton, Islami: Me larguan per oponencen ndaj Rames. Balla: Shkeli me vetedije normen e statutit
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka marrë vendimin për përjashtimin e deputetit Kastriot Islamin nga grupi. Vendimi është marrë në mbledhjen e ditës së sotme, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura. Katër deputetët të PS-së kanë votuar kundër përjashtimit të tij, ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar. Vetë Islami nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje. Islami në një reagim pas vendimit ka deklaruar se ai ka një filozofi ndryshe nga Rama. Këtë gjë ai e argumentoi me “përpjekjet” e Ramës që Islami të mos largohej nga PS – gjë të cilën ai nuk e bëri – dhe nga ana tjetër tani PS merr vendimin për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

“Ndjejë më shumë se keqardhje për vendimin e grupit të PS-së. Kujtoj një bisedë timen me Ramën nga Tirana në Vlorë kërkonte të më mbushte mendjen dhe të më thoshte se ti nuk mund të ikësh nga Partia Socialiste pasi kishte dëgjuar një thashethem. Kjo është çështje e ballafaqimit të dy filozofive”, u shpreh Islami.

Më tej ish-deputeti i PS-së foli për “dështimet” e Ramës në krye të PS-së prej të cilave sipas tij kjo parti rrezikon të mbetet në opozitë edhe pas zgjedhjeve të vitit 2013-të. Islami ka nënvizuar se përjashtimi i tij ka ardhur nga qëndrimi kundër bojkotit. Nga ana tjetër, nuk dha asnjë shpjegim për mungesën e tij në seancën parlamentare të kaluar, e cila ishte edhe arsye e përjashtimit të tij. Menjëherë pas prononcimit të Islamit ka reaguar Partia Socialiste me anë të Taulant Ballës. Ai sqaroi se Islami ishte paralajmëruar për një pasojë të tillë dhe se nuk zbatoi vendimin politik të grupit të PS-së me largimin nga salla e parlamentit në momentin e votimit për zgjedhjen e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Zbatuam normat e parashikuara në statut. Kryesia shpreh publikisht konsideratën më të lartë që pavarësisht arsyeve nderuan mandatin e PS-së dhe kontribuuan me votën e tyre dhe ushtrimin e plotë të vullnetit politik të PS-së. Kryesia mirëkuptoi mungesën e Majkos ndërsa Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik, plotësisht i vetëdijshëm për normën statusore”, tha Balla.
Çfarë parashikon statuti i PS-së?

Neni 35 / Grupi Parlamentar Socialist
4. Në rastet e mospjesëmarrjes, votimit kundër dhe abstenimit ndaj vendimit politik për çështje të tilla si:
a. miratimi i ligjeve kushtetuese që kërkojnë shumicë të cilësuar;
b. miratimi i buxhetit të shtetit;
c. votbesimet për qeverinë, përbërjen dhe programet që ajo paraqet
ç. zgjedhja e personaliteteve të larta shtetërore;
d. çështje të tjera me rëndësi të veçantë që vlerësohen si të tilla nga GPS;
deputeti çrregjistrohet menjëherë nga GPS.
Kush është Kastriot Islami?

Islami njihet si kryetari i parë i parlamentit pluralist, detyrë të cilën e ka mbajtur gjatë viteve 1991-1992. Nga viti 1996 deri në dhjetor të vitit 2011 ia ishte anëtar i kryesisë së PS-së. Gjatë viteve 1997-98 ka mbajtur postin e Ministrit të Shtetit ndërsa për një periudhë të shkurt të vitit 1998 ishte edhe zv.kryeministër. 2002-2004 mbajti postin e  ministrit të Financave ndërsa 2004-2005 ishte ministër i Punëve të Jashtme.

Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, ka kërkuar sot që mbledhja e grupit parlamentar të PS të bëhet në prani të mediave.

Në një prononcim para se të hynte në selinë rozë, Islami u shpreh se i ka kërkuar kreut të grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi, që mbledhja e sotme të bëhet me prezencën e mediave. Pritet që në mbledhjen e sotme grupi parlamentar i PS-së të diskutojë dhe të vendosë në lidhje me përjashtimin e Islamit. Diskutimet dhe votimin për përjashtimin e Islamit do t`i drejtojë kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Në mbledhjen e  kryesisë, Ruçi u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare. Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, pritet të mbahet sot në ora 13:00. Ndërkohë që lideri i opozitës Edi Rama zhvilloi dje, takime me anëtarë të kryesisë së PS-së dhe me deputetë të ndryshëm, me të cilët ka diskutuar veç çështjeve organizative, edhe çështjen e përjashtimit të Islamit.

Berisha fton Kastriot Islamin që të bashkohet me PD

Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike – ashtu siç bën vazhdimisht – ka komentuar mbi zhvillimet e fundit brenda opozitës. Këtë herë ai ka folur për Kastriot Islamin, për të cilin grupi parlamentar i Partisë Socialiste mund të marrë vendimin për përjashtimin e tij nga grupi.

Berisha, gjatë një ceremonie për promovimin e librit biografik për Enver Hoxhën të Blendi Fevziut, i ka bërë “ftesë” Islamit që t’i bashkohet PD-së. Me doza sarkazme, Berisha është shprehur se në PD nuk bëhen përjashtime ndaj edhe i sugjeronte Islamit një gjë të tillë. Vetë Kastriot Islami në rrjetin social “Facebook” ka përgënjeshtruar një gjë të tillë.

Berisha edhe pse vazhdimisht është shprehur se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e opozitës, nuk lë rast ti shpëtojë pa komentuar zhvillimet brenda saj.

Në rastin e drejtimit të një sfide të kreut të PS-së Edi Rama për debat publik me të, Berisha reagojë duke thënë se nuk dëshironte pasi kështu do të ndikonte në kongresin e PS-së.

Berisha ka përdorur vazhdimisht divergjencat brenda radhëve të PS-së për ti kthyer ato në kapital politik për partinë e tij.