e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

PD humb edhe ne bastione, Dashamir Shehi: Nuk pritej, duhet analize e thelle

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
PD humb edhe ne bastione, Dashamir Shehi: Nuk pritej, duhet analize e thelle

Kreu i LZHK-së flet për zgjedhjet: Në fillim të përfundojë numërimi.
Shehi: Rezultati s’pritej, duhet një analizë e thellë.
“Rotacioni mund të ishte normal, por ky rezultat s’pritej”

Koalicioni i djathtë duhet të analizojë humbjen e 23 qershorit menjëherë pas daljes së rezultatit të përgjithshëm të zgjedhjeve.  Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” se në ditët e ardhshme duhet të merret në vlerësim çdo qark ku koalicioni i djathtë ka dalë humbës ditën e diel. “Ka shumë arsye, por më logjike është që një analizë të bëhet pasi të ketë përfunduar i gjithë procesi. Fillimisht duhet ta dimë se sa janë shifrat realisht, ku janë zonat të cilat kanë rezultuar negative”, shprehet aleati i Partisë Demokratike.

Nga rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Demokratike ka humbur në 11 qarqe në gjithë vendin, përveç atij të Kukësit. Si e komentoni këtë rezultat negativ të koalicionit të djathtë?


Ky rezultat nuk pritej për koalicionin e djathtë dhe Partinë Demokratike. Do të ishte shumë normale që të bëhej ndryshimi pas tetë vitesh qeverisje, por ky rezultat që është deri tani nuk pritej. Pasi të përfundojë i gjithë procesi i numërimit të votave, ia vlen që të bëhet një analizë. Por fillimisht duhet pritur rezultati përfundimtar i certifikuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë që edhe gjykimi të bëhet më serioz.


Në një vlerësim paraprak, cilat mendoni se kanë qenë arsyet që çuan në këtë rezultat për koalicionin e djathtë? Ka ndikuar konsumimi i qeverisjes 8-vjeçare apo edhe përbërja e listave?


Ka shumë arsye, por më logjike është që një analizë të bëhet pasi të ketë përfunduar i gjithë procesi. Fillimisht duhet ta dimë se sa janë shifrat realisht, ku janë zonat të cilat kanë rezultuar negative. Megjithëse kjo rënie është kudo, në të gjitha qarqet. Por pas zyrtarizmit të rezultatit duhet parë, pasi secila prej zonave mund të ketë specifikat e veta. Besoj se pas 2-3 ditësh mund të gjykohet më qetësisht për këtë çështje.


Mendoni se përfshirja e aleatëve në listën e Partisë Demokratike ka dekurajuar elektoratin e djathtë për t’i dhënë votën koalicionit tuaj?


Jo, nuk mendoj kështu. Gjykoj që aleatët nuk e kanë luajtur një rol të tillë, përveçse kanë grumbulluar votat, të cilat, me të mirë apo me të keq, ia kanë kaluar koalicionit. Nuk mendoj se kjo punë ka lidhje me përfshirjen e aleatëve në listat e Partisë Demokratike. Në këto kushte është humbur edhe në Shkodër.

Pasi të certifikohet edhe rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit, do të kërkoni mbledhje të tryezës së koalicionit të djathtë për të analizuar këtë humbje?

Njëherë përnjëherë duhet të mbarojë i gjithë procesi, të dalë rezultati, e më pas do fillojmë të gjykojmë. Fillimisht duhet marrë vesh se çfarë ka ndodhur dhe më pas se si ka ndodhur.

Mendoni se ka ardhur koha që pas kësaj humbjeje të ketë ndryshime në lidershipin e Partisë Demokr-atike?


Kjo i takon Partisë Demokratike, jo neve. Unë përgjigjem për lidershipin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ndryshimet në PD janë punë të PD-së.

Votat e LZHK-së


Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka qendrën e saj pikërisht në qarkun e Tiranës. Në zgjedhjet e katër viteve më parë kjo forcë politike ishte në koalicion me demokristianët e Nard Ndokës dhe disa parti të tjera të vogla nën “Polin e Lirisë”. Në qarkun e Tiranës LZHK-ja mori 4439 vota, ose 1.17% të votave në rang vendi, por pa mundur të prodhojë mandat deputeti. Ndërkohë që në zgjedhjet e 23 qershorit, nga të dhënat e pjesshme që ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LZHK-ja ka një numër shumë më të vogël votash. Konkretisht, deri dje në mbrëmje, në faqen zyrtare të KQZ-së, për qarkun e Tiranës rezultonin të përfunduara 479 kuti nga 1422 që janë gjithsej. Nga këto kuti, të cilat janë numëruar, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka marrë 775 vota, ose 0.52% të votave në rang vendi.