e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Oketa: Vota ime e fshehte, si e lexoi PD-ja?

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Oketa: Vota ime e fshehte, si e lexoi PD-ja?
Një zgjedhje konform Kushtetutës, e megjithatë moralisht e papranueshme. Deputeti dhe themeluesi i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa shpjegon në intervistën për Shekullin, procesin e sapo mbyllur të zgjedhjes së Presidentit të ri. Më tej duke parë nga e ardhmja dhe gara elektorale që pret Shqipëria në 2013-ën ai nënvizon se koha flet në favor të partive të reja.

Z. Oketa, Shqipëria është tashmë me një President të ri. Ishte një proces më i mirë apo më i keq sesa ai i vitit 2007?

Besoj se ishte procesi me i keq i këtyre 22 viteve të demokracisë akoma të pa konsoliduar shqiptare. Ishte një proces i cili konstatoi fare qartë difektet e ndryshimeve kushtetuese përsa i takon mënyrës së zgjedhjes së Presidentit. Kishim tre raunde të para pa asnjë kandidat, raunde që zgjasnin nga 3 apo 5 minuta, kur edhe pse nuk votohej, votimi quhet i realizuar. Kishim tërheqjen e dy kandidatëve nga gara, atëherë kur pritej votimi i tyre dhe kishim kandidaturën e tretë brenda pak minutash nga tërheqja e kandidatit të dytë. Ishte një proces i cili besoj se la në shije jo të këndshme tek qytetarët shqiptarë dhe e uli akoma më shumë besueshmërinë e tyre tek politika shqiptare. Nga ana tjetër ky proces uli dhe zbehu akoma më shumë dhe rolin e Parlamentit shqiptar, pasi gjithcka erdhi si zgjidhje e imponuar nga interesat politike apo indviduale të disa kryetarëve partish. Deputetët krejt ndryshe nga viti 2007 ishin jashtë këtij procesi diskutimesh dhe akoma më larg procesit të vendimmarrjes. Megjithatë Shqipëria ka tashmë një president të zgjedhur, zgjedhje e cila është konform Kushtetusës së ndryshuar të Republikës së Shqipërisë dhe nga kjo pikpamje vendi ka një president krejtësisht legjitim, por besoj se përkundrejt opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, kemi një imazh dhe vlerësim akoma më negativ për klasën politike shqiptare.

Z. Patozi identifikoi edhe votën kundër Bujar Nishanit, duke ua faturuar atë juve. Është e vërtetë kjo gjë?

Unë nuk e di se me çfarë metode janë identifikuar votat e deputetëve, me metoda të para viteve ’90 apo me metota të reja të teknologjisë së fundit. Ajo që di unë është se në bazë të Kushtetutës, të cilën aq shumë e përmendim dhe aq pak e respektojmë, votimi për presidentin është i fshehtë. Dhe në respekt të Kushtetutës e të kolegëve deputetë unë nuk do merrja përsipër në asnjë rast të lexoja apo komentoja votën e cilitdo prej tyre, qoftë kjo dhe për përfitime politike. Unë jam deklaruar personalisht, por edhe ne emër të Frymës së Re Demokratike, dhe i mbetem atyre deklarimeve, se zgjidhja më e mirë do të ishte një zgjidhje konsensuale, se thjesht zgjedhja e Presidentit. Presidenca e z. Nishani, ashtu si dhe presidentët e mëparshëm nuk do të gjykohen për numrin e votave pro që kanë marrë në momentin e zgjedhjes, por për menyrën se si ata kanë respektuar Kushtetutën dhe kanë ruajtur balancat institucionale. Presidenti i zgjedhur Nishani edhe sikur të zgjidhej me vetëm 71 vota do të kishte po të njëjtin legjitimitet që ka me 73 votat e marra apo qoftë dhe me 84 vota, nëse do t’i merrte. Integritetin e Presidentit nuk e përcakton numri i votave që merr, por pozicioni që ai mban në respekt të Kushtetutës dhe unitetit të kombit. Ajo që do të ketë më shumë nevojë Presidenti i zgjedhur Nishani do të jetë respekti dhe mbështetja e institucionit të presidentit gjatë ushtrimit të mandatit të tij pesë vjeçar. Uroj që kjo mbështëtje dhe respekti për Presidentin të mos mungojë dhe sulmet pa princip ndaj atij institucioni të kenë marrë fund. Do t’i uroja z. Nishani suksese në detyrën e tij duke dëshiruar që të jetë president i të gjithë shqiptarëve kudo që janë, presidenti i shumicës dhe pakicës, president i cili të udhëhiqet nga mbrojta e interesave kombëtare dhe jo ato partiake.

FRD-ja është një forcë e re në skenën politike shqiptare. Çfarë synon ajo dhe kur z. Topi do të ketë ditën e parë zyrtare të punës si kryetar i saj?

Fryma e Re Demokratike vjen si një domosdoshmëri e kohës dhe synon të sjell një model të moralshëm dhe të ndryshëm të të bërit politikë. Ajo vjen në një moment kur e djathta shqiptare ka humbur krejtësisht identitetin e saj dhe moralin politik për të përfaqësuar mbështetësit e saj. Nga ana tjetër dhe e majta për mënyrën se si drejtohet dhe mënyrën si ka bërë opozitë gjatë këtyre viteve nuk sjell ndonjë optimizëm në radhët e qytetarëve shqiptarë. Fryma e Re Demokratike vjen si një frocë e re politike e cila synon të rikthejë besimin e humbur të qytetarëve, të ringjallë shpresën dhe optimizmin e tyre se Shqipëria mund të bëhet, se Shqipëria mund të jetë shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, se Shqipëria mund të jetë një vend pa korrupsion, mund të jetë një vend me drejtësi të njëjtë për të gjithë, mund të jetë një vend me sistem shëndetësor më të mirë, me arsim më të mirë për fëmijët e familjeve shqiptare. FRD-ja vjen si një forcë e cila do të japë të gjithë kontributin e saj për forcimin e shtetit shqiptar dhe jo të pushtetit të partive politike. Lidhur me pyetjen për Presidentin Topi, kjo është një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjet vetë ai. Unë mund t’ju them se ai do të jetë President i Republikës deri ditën e fundit të mandatit të tij, më pas është po ai që do të marrë vendim lidhur me të ardhmen e tij politike, por sigurisht me mbarimin e mandatit të tij, do të jetë shumë i mirëpritur t’i bashkohet FRD-së.

Meqenëse zgjedhjet janë afër,  një pyetje mbi lëvizjet e elektoratit është koherente. Në kushtet e tanishme me cilën nga forcat politike konkurron FRD-ja? Pra elektorati i kujt mund të lëkundet?

Fryma e Re Demokratike do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me objektivin për t’u bërë përfaqësuese e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Fryma e Re Demokratike i drejtohet gjithë shoqërisë shqiptare dhe merr përsipër të mishërojë në programin dhe veprimtarinë e saj interesat më të shenjta  të kësaj shoqërie për mirëqënie ekonomike, demokraci funksionale, shtet të së drejtës me ndarje të qartë të pushteteve, shtet me barazi të shanseve për të gjithë qytetarët e këtij vendi. FRD-ja do sjellë një frymë të re shprese, besimi dhe paqtimi në skenën politike shqiptare dhe besoj se kjo frymë do gjejë mbështetje të gjërë tek të gjithë ata qytetarë të cilët ashtu si 22 vite më parë e duan Shqipërinë si gjithë Europa. Ndryshimet politike që vihen re në zgjedhjet e zhvilluara në vende të ndryshme të Europës, ku qytetarët kanë mbështetur me votë alternativat e reja, na japin besim se dhe qytetarët shqiptarë të lodhur nga ky model politik do të dinë të orientohen drejt forcave të reja, të cilat kanë prioritet interesat e vendit, mirëqenien e qytetarëve dhe jo interesat e pushtetit personal apo partiak.

Sa garanci ka që në 2013-ën Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe me standarde?

Është jetike për të ardhmen e Shqipërisë që zgjedhjet e 2013-ës të jenë të lira e të ndershme, ashtu sic është fatkeqësi që edhe pas 22 vitesh demokraci një nga pyetjet që ngrihet më shpesh është ajo që ka të bëjë me lirinë dhe standartet e zgjedhjeve. Klima e tensionuar politike, mungesa totale e besimit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës të bëjnë të mendosh se dhe pas zgjedhjeve të 2013-ës do të kemi një rezultat të kontestuar dhe standarte të paplotësuara. Nëse partitë parlamentare dëshirojnë t’i plotësojnë standardet e kërkuara, atëherë duhet pa humbur as edhe një ditë të vetme të përfundojë reforma zgjedhore. Por jo një reformë e ndërtuar mbi interasat e një apo dy partive, por e ndërtuar mbi parime demokratike të cilat sigurojnë një garë të ndershme dhe garantojnë votën e qytetarëve shqiptarë. Nëse prioritet marrin interesat e Shqipërisë, atëherë mund të kemi zgjedhje të lira, të ndershme e me standarde, në të kundërt perspektiva europiane e Shqipërisë do të jetë akoma më e largët.

FRD-ja do të hyjë vetëm apo në koalicion në garën elektorale të ardhshme? Një aleancë me Aleancën Kuq e Zi është e mundshme?

Koalicionin më të madh Fryma e Re Demokratike do të kërkojë ta bëjë me qytetarët shqiptarë, duke synuar të jemi përfaqësues të interesave të tyre. Për sa i takon koalicioneve me parti të tjera është ende herët për të folur. Sigurisht që kur të vijë momenti, strukturat drejtuese të FRD-së do të marrin vendimet përkatëse, vendime të cilat në çdo rast do të jenë transparente dhe të moralshme. Në funksion të kodit zgjedhor, FRD do të ndërtojë strategjinë e saj për të maksimalizuar votën e mbështetësve të saj, por në çdo rast pa devijuar nga parimet dhe objektivat e saj.

Somario

Unë nuk e di se me çfarë metode janë identifikuar votat e deputetëve, me metoda të para viteve ’90 apo me metoda të reja të teknologjisë së fundit. Ajo që di unë është se në bazë të Kushtetutës, të cilën aq shumë e përmendim dhe aq pak e respektojmë, votimi për presidentin është i fshehtë