e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nje milion votat qe rrezuan qeverine

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nje milion votat qe rrezuan qeverine

Nga kutitë e zgjedhjeve të fundit doli një verdikt i paapelueshëm; Rotacion politik. E djathta u largua nga pushteti pas një vote të gjerë dhe masive proteste, që shqiptarët hodhën kundër kryeministrit dhe bilancit të tij qeverisës

Zgjedhjet e 23 qershorit e kanë ulur tashmë siparin e tyre. Shumë më shpejt dhe shumë më qetë sesa pritej. Por edhe me një rezultat që pakkush kishte guxuar ta shqiptonte vetëm pak orë para hapjes së kutive të votimit. E majta ka triumfuar mbi shumicën e djathtë qeverisëse, e cila pas tetë vjetësh dorëzon pushtetin, duke u tkurrur në shifra dhe duke humbur kreun e saj historik, Sali Berishën. Kryeministri dhe kryetari i PD dha dorëheqjen e parevokueshme nga postet politike në parti, duke mbetur anëtar i theshtë i saj dhe deputet. Një zhvillim po aq i bujshëm sa edhe vetë rezultati shifror i 23 qershorit, i cili dënoi bujshëm me votë demokratët dhe aleatët e tyre. Pas kësaj date, e cila tashmë është shndërruar në një piketë historike të pluralizmit shqiptar, asgjë nuk është më si më parë. As opozita e vjetër, as ajo e reja.

Berisha e Topalli do të ulen në rreshtat e pakicës parlamentare, e cila kësaj rradhe është më e vogël dhe më e dobët se kurrë më parë. Ka qenë një votë e cila, pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, ende nuk i ka treguar qartë konturet e përmbysjes që ka ndodhur. Rreth një milion shqiptarë, më saktë 991 mijë votues, hodhën votën e tyre kundër Sali Berishës, në një procesion të gjatë të heshtur, por edhe shumë të zemëruar. Mbaroi tetëvjaçari i PD në pushtet, mbaroi (qoftë edhe formalisht), kryesimi njëzet e ca vjeçar i Partisë Demokratike nga lideri i saj historik. Shqipëria, e bashkë me të edhe e djathta, kthyen paralelisht faqe.
 
Laçi kthen frikën


Mëngjesi i 23 qershorit do të niste megjithatë me një episod që zgjoi makthet më të këqia mes votuesve shqiptarë. Vrasja e një emigranti, simpatizant i LSI, në dyert e një qendre votimi në Laç, si dhe përfshirja në këtë ngjarje e një kandidati për deputet të maxhorancës, shkaktuan një tronditje jo të   vogël në rreshtat e gjatë të votuesve që u drejtoheshin masivisht kutive të votimit në të gjithë vendin. Vrasja e Gjon Gjonit dhe plagosja e Mhill Fufit, kandidati i PD për qarkun e Lezhës, vetëm sa e forcoi përshtypjen se kjo zonë e vendit do të ishte një ndër më të nxehtat gjatë ditës së zgjedhjeve.
 
Të gjithë fitues, asnjë humbës


Fatmirësisht, përtej këtij episodi tragjik, dita e votimit nuk rezervoi supriza të tjera të pakëndshme. Kudo u votua masivisht dhe dy partitë qëndruan në heshtje elektorale, si rrallë më parë. Thuajse asnjë deklaratë publike, veç sms-ve të Edi Ramës për pjesëmar-  rje masive në votime, ndonjë zëdhënësi të PD që bënte të njëjtën thirrje me kreun e opozitës, si dhe mbulimit frenetik të procesit prej mediave elektronike, të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë. Shqiptarët ndiqnin pas ekranit një ditë që e prisnin të nxehtë, por që po u dilte e heshtur dhe pa ngjarje. Një rrethanë që i bënte të ishin edhe më dyshues. Reputacioni i keq i palëve në garë nuk linte vend për të shpresuar se gjithçka do të shkonte mirë dhe qetë. E megjithatë procesi i votimit qe vërtetë i tillë. I qetë dhe pa ngjarje të tjera. Darka do të vinte me kaosin e pritshëm të shtabeve elektorale që deklaronin fitoren. Menjëherë sapo akrepat e orës kaluan shtatën, Edi Rama u shfaq në podium për t’i njoftuar shqiptarëve se “zgjedhësit kishin votuar Rilindjen. Një deklaratë fitoreje që e zuri të papërgatiru kampin tjetër, që u përgjigj pak më vonë me anë të Majlindja Bregut, me të njëjtën siguri për fitore. Nga ana e saj, edhe LSI u deklarua në të njëjtën linjë me socialistët: opozita kishte fituar zgjedhjet! Mbrëmja po afronte ngadalë, e bashkë me kalimin e orëve, në kampin opozitar po rritej euforia e fitores. Mesnata do e gjente formalisht Shqipërinë pa fitues, por ai nuhatej në ajër: ishte e majta që po përgatitej për një fitore të pastër. Priteshin vetëm përmasat e saj.
 
Tërmeti që ende s’ka mbaruar


Pjesa tjetër e ngjarjeve që rrodhën kishin fare pak surprizë brenda. Nëse nuk konsiderojmë si të tillë faktin që Shkodra rrëzoi Jozefinën, Tirana Lulin dhe qytetet e tjera thuajse të gjitha figurat qëndrore të shumicës. Thellësia e fitores së të majtës qe patjetër një surpriza e madhe, që e tkurri PD në kufinjtë e vitit 1997 dhe që provokoi, me tërmetin e votave, edhe largimin më të bujshëm e më të pamendueshëm: atë të Sali Berishës nga koka e partisë. Shqipëria e pas 23 qershorit nuk do të jetë më ajo e para. Kjo votë masive njerëzish, e cila rriti PS me 91 vota, LSI me 105 mijë dhe që e zbriti PD me 83 mijë vota, shënoi një përmbysje nga ato që shënohen si piketa historike në jetën e një kombi. Fitimtarët ende janë të dehur nga shampanja e natës së zgjedhjeve. Por ata kanë pak arsye për të festuar. Dhe shumë arsye për të qeverisur. Mirë madje.