e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nje ligj i ri edhe per ata qe shesin apo blejne permes internetit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nje ligj i ri edhe per ata qe shesin apo blejne permes internetit
Mund t’ju duket e çuditshme, por nëse doni që të shisni diçka përmes rrjeteve të ndryshme në internet, nuk mund ta bëni këtë gjë nëse më parë nuk jeni regjistruar si subjekt tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit e nëse nuk jeni pajisur nga kjo qendër me një numër unik identifikimi.

Ky rregull i ri është vendosur së fundmi me një vendim të Këshillit të Ministrave me argumentimin që “vendimi është një direktivë direkte e Parlamentit Europian” dhe duket se synon të rregullojë marrëdhëniet e blerjeve apo shitjeve online, apo përmes formave të tjera teknologjike si telefoni, faksi, transaksionet e ndryshme online në banka, etj. Vendimi e ngarkon gjithashtu tregtarin të ketë një identitet të qartë për blerësin si dhe ti ofrojë atij mundësinë e identifikimit në mënyrën më të lehtë të mundshme.

Vendimi në fjalë “Për kontratat e tregtimit në largësi të shërbimeve financiare për konsumatorët”, që pasi është miratuar nga Këshilli i Ministrave është tashmë një ligj, përcakton detyrimet e konsumatorit edhe të tregtarit, ndonëse në fakt e zhvesh konsumatorin nga detyrimet financiare që lidhen kryesisht me komisionet apo shpenzime të tjera të cilat nuk bëhen të qarta në kontratë.

Konsumatori u shmanget detyrimeve edhe në rastet kur komunikimi me tregtarin përmes teknologjisë thirret nga ky i fundit. Konkretisht, askush nuk paguan asnjë lloj detyrimi nëse teksa ndodhet në shtëpi, për shembull, merr një telefonatë nga një subjekt tregtar i cili i bën një ofertë të caktuar. “Në shërbimet financiare në distancë hyjnë kryesisht ofertat që merren dhe pagesat që bëhen përmes telefonit, internetit, faksit apo komunikimit përmes një personi të tretë, përfaqësues i tregtarit pranë blerësit”, thuhet në V.K.M. ku përcaktohet edhe se çfarë do të thotë shërbim financiar (çdo lloj shërbimi me natyrë bankare, kredie, sigurimi, pensioni vullnetar apo investimi dhe pagese).

Ndërkohë, për çdo produkt pavarësisht vlerës së tij, tregtari detyrohet të jetë transparent me konsumatorin dhe t’i bëjë të ditur këtij të fundit që të bëjë të qartë nëse produkti ka rreziqe të veçanta apo karakteristika specifike. Subjekti tregtar është i detyruar gjithashtu që të njoftojë mundësinë e ekzistencës së taksave të tjera që nuk paguhen prej tij dhe detyrohet gjithashtu që t-ia bëjë të qartë konsumatorit nëse ka mundësi që ta kthejë shërbimin/produktin që ai përfiton pas kryerjes së pagesës, apo jo.

Pensioni vullnetar dhe siguracionet

Vendimi parashikon gjithashtu dispozita edhe për konsumatorët të cilët paguajnë pensione vullnetare apo sigurimin e jetës në largësi. Shkronja “c” e pikës 3 të nenit 37 të ligjit nr.9002 i jep konsumatorit të drejtën që të heqë dorë nga një kontratë në largësi. Kjo dorëheqje dhe ndërprerje e marrëdhënieve financiare duhet kryer brenda 30 ditësh ndërkohë që brenda këtij afati konsumatori nuk penalizohet. Ky afat 30 ditor nis që prej datës së lidhjes së kontratë për pensionet vullnetare dhe dorëheqja e tij mund të kryhet pa qenë nevoja që të japë arsye për këtë dorëheqje. Por pavarësisht se dorëheqja brenda 30 ditëve nga një shërbim financiar i përfituar pas pagesës duket i lehtë, vendimi përcakton një sërë rregullash dhe detyrimesh paraprake për të mbërritur deri aty. Kështu, vendimi përcakton se konsumatori e ushtron të drejtën e dorëheqjes pasi të njoftojë tregtarin. Ky njoftim i cili duhet të jetë me shkrim apo mjet tjetër të qëndrueshëm, duhet dërguar përpara mbarimit të afatit. Në aspektin teknik, kjo pikë duket se është më e dobëta. Në rastet kur komunikimi kryhet me e-mail apo dhe fizikisht përmes letrës me shërbim postar, tregtari jo detyrimisht konfirmon marrjen e njoftimit çka të lë të dyshosh për abuzime.

Kategoria e shërbimeve financiare

Pagesa e pensioneve vullnetare

Pagesa e siguracioneve

Pagesa e kredive

Pagesa e taksave (ujë, energjia elektrike, gjobat etj)

Blerjet e ushqimit përmes shërbimit  “taxi”

Blerjet e produkteve elektro-shtëpiake apo të tjera që reklamohen në internet dhe televizor etj.

Blerjet/Pagesat që kryhen përmes telefonit, faksit, internetit