e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Nga Greqia, dyshime per Shqiperi-Bjellorusi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Nga Greqia, dyshime per Shqiperi-Bjellorusi
Skandali i basteve në Greqi prek edhe Shqipërinë. Madje dyshimet janë të mëdha, sepse e përfshirë në këtë çështje mund të jetë Kombëtarja shqiptare për ndeshjen e 26 marsit që kuqezinjtë fituan 1-0 me Bjellorusinë në stadiumin “Qemal Stafa”. Gjithçka del nga një telefonatë e Alket Rizait, personazhit shqiptar nga Ballshi, i cili ka qenë protagonist i dy arratisjeve spektakolare me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë, Koridhalo në Athinë. Gjatë një bisede të përgjuar me Jorgos Cakojanin, aksioneri kryesor i Iliupoli (klub inferior në kampionatin grek), Rizai fliste për informacione të sigurta të ardhura nga Shqipëria. Ai gjithashtu i pohon bashkëfolësit, i cili nuk ia kishte ngritur telefonin disa ditë më parë, se ka humbur një shans për fitore të sigurt, duke qenë se vetë nuk i kishte 20 mijë euro për të hedhur bast.

Shqiptarët vazhdojnë të përfshihen në skandalin e basteve që është përhapur në Europë. Pas atyre që janë në hetim në skandalin e basteve në Itali, të tjerë shqiptarë akuzohen se kanë qenë të përfshirë edhe në skandalin e shpërthyer së fundmi në Greqi. Pas publikimit nëpër mediat helene, se persona nga Shqipëria janë në hetim, madje se i përdornin bastet në vendin tonë për pastrim parash, tashmë ka ardhur edhe “bomba”. I përfshirë në këtë çështje rrezikon të jetë edhe ekipi Kombëtar, në ndeshjet kualifikuese të Euro 2012. Burime policore greke kanë bërë të ditur se grupet kriminale kanë tentuar të manipulojnë ndeshje edhe në Shqipëri. Ata tentuan ta shtrinin edhe në vendin tonë rrethin e manipulimit të ndeshjeve, ndërsa siç deklarojnë burimet e policisë greke, në këtë çështje është i përfshirë edhe Jorgos Cakojani, aksioneri kryesor i skuadrës Iliupoli, i cili njihet edhe si mik i afërt i Alket Rizait.

Në një moment kur hetimet e prokurorit Popis Papandreu vazhdojnë, mësohet se bëhet fjalë për një lidhje miqësore ndërmjet tyre, ndërsa ekziston edhe një dialog nga fundi i marsit të kaluar. Duhet nënvijëzuar se Jorgo Cakojani i shmanget telefonatës, siç duket nga biseda e zbardhur me Rizain, i cili ndodhet në burgun e Grevenas. Në bisedën telefonike ndërmjet këtyre dy personave më 28 mars 2011, paraqitet kjo tablo:

Rizai: Pardje fola me Shqipërinë, me disa miq, të cilët i njoh nëpërmjet një kushëririt tim, sepse kishim një rezultat të sigurt.

Cakojani: “Koka”, “koka” mbetet i madh.

Rizai: Jo more shoku, jo ai.

Cakojani: I madhi, kush është i madhi?

Rizai: Po, djalë i mirë është. Ai që të thashë atëherë, që fole.

Cakojani: Po, po, më thuaj.

Rizai: Duhej ta kishe luajtur Shqipërinë, sepse unë nuk i kisha 20 mijë (euro). Duhej ta kishe luajtur ti.

Cakojani: Po në fund të fundit, çfarë të të them tani.

Rizai: E di shoku im…

Ashtu siç specifikohet nga Rizai, “pardje” përkon me datën 26 mars, kur Shqipëria luajti me Bjellorusinë. Një ndeshje në të cilën skuadra e Bernd Shtanges u paraqit me 7 mungesa dhe që kuqezinjtë e dominuan. Ndërkohë, për shkak të impenjimeve të përfaqësueses, të gjitha aktivitetet futbollistike në vend ishin ndërprerë.