e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ndryshimet ne ligj, prinderve dhunues iu hiqen femijet

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ndryshimet ne ligj, prinderve dhunues iu hiqen femijet
Prindërit që dhunojnë fëmijët do të ndëshkohen deri në heqje të së drejtës për t'i rritur. Gjithashtu, tashmë sigurohet me ligj mbrojta e viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Punës në seancën plenare të Parlamentit, gjatë diskutimit të ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Punës të ligjit "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare". Ndërkohë, tashmë do të do të ketë edhe një qendër Kombëtare për të pritur viktimat e trafikimit.

Dhunuesit në familje tashmë do të përballen me masa të rënda ndëshkimore, nëse kryejnë veprën penale duke dhunuar pjesëtarët e familjes. Sipas ministrit Ksera, ndaj të miturve do të ketë mbrojtje më të veçantë. "Për herë të parë në Ligj parashikohet shtimi si subjekte që kanë të drejtë të kërkojnë urdhër mbrojtje për të miturit edhe të policisë dhe prokurorisë", - pohon Ksera, duke shtuar se projektligji parashikon marrjen e vendimit nga gjykata për Urdhrin e mbrojtjes së të miturve brenda 24 orëve. Një masë e tillë do të sigurojë një mbrojtje imediate të fëmijëve, të cilët dhunohen nga familjarët e tyre, ku përfshihen edhe fëmijët e rrugës.

Duke u ndalur në disa nga ndryshimet kryesore të propozuara nga Ministria, Ministri i Punës, Ksera, sqaroi se ndryshimet e Ligjit konsistojnë në disa pika. Sipas tij, ato fillojnë me ngritjen e një qendre kombëtare të shërbimit të përkujdesit shoqëror për viktimat e dhunës në familje në varësi të Shërbimit Social Shtetëror, si një shërbim i domosdoshëm për trajtimin e rasteve emergjente të dhunës në familje, të cilat në kushtet e mungesës së këtij shërbimi nga njësitë e qeverisjes vendore, nuk kanë mundësi për t'u trajtuar. Kjo qendër kombëtare do të shërbejë edhe si një model për ngritjen e shërbimeve të tilla nga njësitë e qeverisjes vendore. Ndërkohë, ministri bëri të ditur se një tjetër ndryshim i rëndësishëm është parashikimi për ngritjen e një mekanizmi koordinimi ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare. "Ngritja e mekanizmit të posaçëm - emërtuar Mekanizmi kombëtar i referimit të rasteve të dhunës në familje, do të përmbushë edhe një nga qëllimet e Ligjit, garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje", - pohon Ksera, duke shtuar se mekanizmi do të ngrihet në nivel bashkie dhe do të referojë rastet e dhunës në familje të konstatuara në njësinë e qeverisjes vendore ku ai do të ngrihet, duke koordinuar edhe punën për zgjidhjen e problemeve që mund të kenë viktimat e dhunës në familje.

Ministri sqaron ndryshimet ligjore "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare" në Parlament

Ksera: Viktimat e dhunës, me avokat falas

Rritja e mbrojtjes, mbështetjes dhe rehabilitimit të viktimave të dhunës në familje, si dhe lehtësimi i pasojave dhe parandalimi i dhunës në familje kanë qenë qëllimi i Ligjit "Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare. Kështu u shpreh ministri i Punës, Ksera, i cili theksoi se një tjetër parashikim në ligjin "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare" është pajisja e gjykatave, nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, me listën e avokatëve që do të japin asistencë falas.

Sipas tij, kjo shtesë në ligj është propozuar për të bërë realitet shërbimin ligjor falas për kategorinë e viktimave të dhunës në familje, që është një nga kërkesat e standardet kryesore ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve të shtetit në lidhje me mbrojtjen e shtetasve të vet nga dhuna në familje. "Edhe ndryshimi i propozuar për shkarkimin e kërkuesit nga të gjitha detyrimet e taksave dhe tarifave gjyqësore, si dhe ato të shpenzimeve përmbarimore, të cilat i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje, i vjen në ndihmë viktimës së dhunës në marrëdhëniet familjare", - pohon ministri Ksera, duke shtuar se ky ndryshim është i nevojshëm për të siguruar shërbime gjyqësore dhe përmbarimore falas.

Fenomeni, dhuna në familje konsiderohet normale

Dhuna në familje jo vetëm ndodh rëndom në familjet shqiptare, por, fatkeqësisht, shumë prej tyre e quajnë edhe veprim normal që ka gjithnjë arsye që të ndodh. Sipas një studimi të realizuar nga "PNUD", rreth 31 për qind e grave të pyetura kanë pohuar se janë dhunuar të paktën një herë fizikisht në jetën e tyre, 30 për qind pohojnë se kanë qenë viktima të dhunës psikologjike apo emocionale në familje. Ndërkohë që 36 për qind e burrave dhe 30 për qind e grave pohojnë se meshkujt kanë arsye të pranueshme për të ushtruar mbi femrat. Sipas specialistëve, dhuna në familje nuk është vetëm një problem i shëndetit publik, por dhe një problem që ka lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut. Rreth 1000 përfaqësues të shërbimit shëndetësor në të gjithë vendin do të trajnohen në një fazë të dytë për këtë problem, duke çuar në 1800 persona numrin e operatorëve të trajnuar.