e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Mediat greke ngrene alarmin: Tension i befasishem me Tiranen. Shperthen nacionalizmi

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Mediat greke ngrene alarmin: Tension i befasishem me Tiranen. Shperthen nacionalizmi
Kryeministri Berisha për anulimin e vizitës së ministrit grek u mjaftua të thoshte dje vetëm se “miqtë shkëlqenin me mungesën e tyre”

Media greke njëzëri ka shkruar dhe komentuar dje për anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm në Tiranë, duke e lidhur me rritjen e nacionalizmit nga ana e qeverisë shqiptare. Mediat e Athinës kanë komentuar përplasjen si rezultat i deklaratës së Berishës për territorin e Shqipërisë që shkonte deri në Prevezë, si të rrezikshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. E përditshmja greke, “Ta Nea” shkuan në faqen e parë “Tension i befasishëm me Tiranën”.

Në faqen e parë “Kathimerini” ka titull “Referime irredentiste të Berishës”. Gazeta proqeveritare “Eleftheros Tipos” e konsideron si “sfidë të pabesueshme” deklaratën e Berishës, sipas të cilit “Shqipëria e Madhe arrin deri në Prevezë”. Gazeta “Demokracia” shkruan se: “Lindi një temë e madhe me Shqipërinë”, ndërsa “Ellada”, me titullin “Berisha kërkon edhe Prevezën në Shqipërinë e Madhe”, komenton se “shpërthimi i nacionalizmit në Ballkan lind rreziqe për të gjithë fqinjët”.

Reagime ka pasur edhe nga partia e tretë e koalicionit qeveritar, e Majta Demokratike, sipas të cilës, “deklaratat zjarrvënëse të Sali Berishës janë jashtë çdo logjike bashkëpunimi në Ballkan, shembin themelet e një bashkëjetese të popullit shqiptar dhe atij grek dhe i japin ushqim nacionalizmit të tejskajshëm. Ato janë të rrezikshme dhe të dënueshme”. Po kështu, analistë, politikanë dhe qytetarë grekë i kanë konsideruar këto deklarata të bëra në kuadër të zgjedhjeve parlamentare. Në datë 27 nëntor në Vlorë, Kryeministri Berisha bëri një përshëndetje për qytetarët e këtij qyteti, për ta kthyer më pas në pergamenë dhe për ta vendosur në muze.

“Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë: Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 Nëntor të vitit 1912, Pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100-vjetorin!”. Kjo deklaratë solli dhe anulimin e menjëhershëm të vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos, në Tiranë.

Në sqarimin e saj për këtë anulim, Ministria e Jashtme greke thekson se ai ka ardhur për shkak të kësaj deklarate të papërshtatshme të Kryeministrit Berisha, e cila ka prekur interesat e Greqisë. Menjëherë pas këtij anulimi, zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli, sqaroi se “deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes”. Nuk dihet se cila do të jetë pasoja e vërtetë e kësaj deklarate në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar këtu faktin se një deklaratë e tillë kanë bërë që dhe Presidenti i Maqedonisë ta anulojë vizitën e tij për 28 nëntor në Shqipëri.

Nishani

“Kurrë nuk kanë pasur tentativë për të goditur fqinjët. Nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial nga Shqipëria dhe shqiptarët për vendet fqinje, por natyrisht në raste të referimit të historisë dhe në momente të tilla kur kujtohet historia, dhe më shumë se kurrë në ditët e Pavarësisë dhe të 100-vjetorit mund t’u referohemi ngjarjeve historike dhe unë besoj që nuk përbën asnjë cenim të interesave territoriale apo kombëtare të kurrkujt tjetër”