e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Mbyllet konkursi per Bulevardin e Ri, fiton versioni 'Living Room'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Mbyllet konkursi per Bulevardin e Ri, fiton versioni 'Living Room'
Fitoi ajo studio, e cila mes arkitektëve të jurisë përflitej si “më afër shpirtit të Tiranës”, traditës së saj, arkitekturës së saj, etj.  Pikërisht projekti i Grimshaë Architects, që ndryshe u identifikua shpesh edhe me ‘living room’ për shkak të xhepave, kthinave si vende qëndrimi etj. Ky projekt, së paku tani për tani, është projekti fitues për Bulevardin e Ri prej 1.7 km, siç po quhet segmenti (ende në letra) nga mbarimi i bulevardit aktual te Stacioni i Trenit deri në Paskuqan.

Bulevardi tip “living room”

Arkitekti studios fituese Paolo Vimercati, do ta paraqiste kështu vizionin e projektit: “Të ruhet shpirti i qytetit! Të gjejnë veten aty të gjitha shtresat e shoqërisë. Një simbiozë mes së shkuarës dhe së ardhmes!”.

Projekti ruan gjerësinë tradicionale të bulevardit ekzistues ‘Dëshmorët e Kombit” me të cilin do të lidhet Bulevardi i Ri dhe sidomos prania e living rooms. Që do të thotë, hapësira të ndryshme që zgjatohen si xhepa përgjatë bulevardit. Në projekt ekzistojnë tri parqe kryesore: parku i parë linear shfrytëzon brigjet e Lumit të Tiranës; një park i dytë është agrikultural në anën veriore të bulevardit, dhe një park skulpturor zgjidh formalisht ndërprerjen e dy parqeve më sipër.  Po shpronësimet? Arkitektët e Grimshaë u shprehën se do të jenë “mjaft të kujdesshëm në minimizimin e shpronësimeve”. Por sigurisht që do jetë më e vështirë se kaq.

A jemi me këmbë në tokë?

Përfaqësuesve të dy studiove finaliste iu desh të qartësonin gjatë dy ditëve konkurrim shumë pyetje teknike mbi puqjen e Unazës Veriore të Tiranës me parkun e Paskuqanit, për të lehtësuar komunikimin dhe trafikun, si do të lidhen ekstremitetet lindore dhe perëndimore të kësaj unaze me pjesët e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës, mbi impaktin  e madh që do të ketë kjo për lagjet midis Bregut të Lumit dhe qendrës së Tiranës veriore, mbi rolin e arteries që sot mbart hekurudhën shqiptare dhe që nesër do të spostohet në drejtim të Stacionit të ri të Trenit etj, etj. “Në punë e sipër dalin shumë detaje. Dija që keni ju për qytetin është më e madhe se jona, por ne mund t’ju sjellim sistemin tonë”, – këmbëngulnin arkitektët e Grimshaë.

Të dy studiot i mëshuan fort marrëdhënies së sektorit privat në partneritet me publikun.Nga kjo varet suksesi i këtij projekti, financimet, punësimet e njerëzve dhe të ardhurat. Që do të thotë: ngritje e bizneseve private, dyqaneve të shërbimeve, qendrave tregtare, etj. Duket pak e vështirë në këto kohë krize.

Lumi i Tiranës

“Duhet pastruar sa më parë dhe duhen parë cilët janë ndotësit e tij. Në një fazë të parë të paktën duhet lehtësimi i kësaj ndotjeje prej mbetjeve fizike. Ndërsa shpronësimet duhen bërë larg lumit. Përgjatë lumit nuk do të lejohen as ndërtime dhe madje aty ka ndërtesa të pasigurta për shkak të reshjeve dhe përmbytjeve nga lumi”, – tha gjatë shpjegimeve në konkurs arkitekti Daniel Horner i DAR Group.

Iku trami?

“Duhet të shpenzoni paratë për të bërë gjënë e duhur. Trafikun zgjidheni me autobusa urbanë! Nuk keni kaq ngarkesë sa për të bërë për nënkalime, të cilat janë shumë të kushtueshëm. Më mirë janë disa ura për këmbësorët dhe sinjalistika. Dhe idenë e tramit ruajeni për ndoshta pas njëzet vjetësh”, – u shpreh Neven Sidor, arkitekti i studios Grimshaë Architects.

Sjellja e jurisë

Edhe pse u tha që nuk lejoheshin pozicionimet, një pjesë e shprehu hapur pëlqimin ndaj projektit të Grimshaë. Ata që mbështesnin Grimshaë flisnin hapur, ndërsa ata që parapëlqenin DAR Group parapëlqenin të komentonin “duke mbetur anonimë” meqë “është herët derisa të dalë rezultati”.

“Projekti më modern, më madhor… 25 milionë eurot? Jemi në kontakt”

“Është projekti më madhor dhe më domethënës për Tiranën moderne për 50 vitet e ardhshme, – tha kryetari i Bashkisë, duke shtuar se “do të vlejë për përmirësimin e trafikut, vendosjen e Tiranës në trajektoren e një qyteti të denjë mes vendeve evropiane” etj, etj. Po kur? Dhe Si? E pyetëm dje z.Basha lidhur me këto pritshmëri që të vijnë menjëherë në mend duke patur parasysh kakofoninë e “projekteve” dhe “strategjive” për Tiranën që shpesh kanë zëvendësuar njëra-tjetrën ende pa u vendosur tulla e parë.

Zoti Basha, kur mendohet të nisë zbatimi i projektit fitues?

Deri në nëntor do të bëhet studimi i detajuar teknik dhe pa vonuar mendojmë të nisë zbatimi i tij. Brenda këtij viti presim projektin e detajuar teknik, për vendosjen e shinave të trenit dhe shtyllave të tensionit të lartë.

Me ç’financime do të realizohet ky projekt? Studio thotë që shkon deri në 25 milionë euro?

Jemi në kontakt me partnerët tanë.

Me cilët partnerë?

Me partnerët tanë.

Tirana është një qytet që duket se më emergjente ka ndotjen e ajrit. Çfarë po bëni ju për këtë?

Ndotjen e ajrit e kemi në vëmendjen tonë dhe po shohim se si mund të ulim numrin e makinave që dalin çdo ditë në qytet.

“Në fund të fundit procesi gjenerohet nga vetë qyteti”

 Paolo Vimercati është një nga arkitektët e projektit fitues. E pyetëm dje për Shekullin se çfarë sillte ky projekt në një qytet si yni. Ai është entuziast për mundësinë teorike të ndërtimit dhe rindërtimit të Tiranës në hapësira shumë më të gjera se vende të tjera në Europë.

Pse menduat se fituat ju?

Ruajtëm shpirtin e qytetit. Që të gjejnë veten aty të gjitha shtresat e shoqërisë. Në një mënyrë të organizuar, kompakte, komplekse, fluide dhe elastike. Përgatitëm një simbiozë mes së shkuarës dhe së ardhmes.

Po për konkurrentët tuaj, ç’mendoni?

Kam qenë shumë herë në anën e humbësit dhe e di  ç’do të thotë.

Këtu ën Tiranë kemi dëgjuar shpesh projekte me kombësi të ndryshme. Projekti juaj çfarë sjell për Tiranën?

Në ndryshim nga qytete të tjera europiane, që janë thuajse të ndërtuara, Tirana ka hapësira të reja për t’u ndërtuar e rindërtuar. Në Europë mund të ndërtohen lagje të reja, por jo në përmasat e 1/5 së qytetit si ky projekt i Tiranës. Në Europë, sidomos në kryeqytete, por edhe më gjerë, nuk ke mundësi të bësh projekte kaq të mëdha, si ky që në 50 vjet mendon të përfshijë me banim 300-400 mijë njerëz. Vetëm Berlini në ribashkimin e tij ka njohur kësi mundësish dekadat e fundit. Por ne jemi vetëm drejtues të procesit, që në fund të fundit gjenerohet nga vetë qyteti.

Për ne, këmbësorët

Shumë mirë që Tiranës i shtohen projektet bashkëkohore, e sidomos nëse ato bëhen. Shumë mirë që ato mbartin gjelbërim dhe prani ujore në maksimumin e mundshëm të ndërthurjes së natyrës me qytetin.  Por, megjithë pemët që ka trashëguar Tirana, megjithë pemët që janë mbjellë këto dhjetë vjet e po mbillen ende, kjo bën pak vlerë kur makinat vijojnë të ngopin me blozë këmbësorët. Kjo blozë vjen nga ai lloj karburanti, të cilin mushkëritë e njëjta njerëzore nuk e thithin as në Bruksel, as në Romë, e as në Shkupin apo Beogradin fqinj. Kryeministri përmendi dje në konkursin për Bulevardin e Ri dhe Lumin e Tiranës se 40% e njerëzve në botë vdesin nga ndotja e mjedisit dhe ‘harroi’ të thotë se pikërisht në Tiranë sipas OBSH-së ka mbi 500 të vdekur në vit nga kanceri, me shkak kryesor ndotjen e mjedisit. Kur doli shifra e OBSH-së, u ndje përmirësimi, por vetëm për pak kohë. Rrugët e Tiranë qelben sërish nga makina të vjetra dhe karburant i keq. E kujt i janë dhimbsur aq shumë mushkëritë dhe jeta e shqiptarëve, sidomos të atyre që në varfëri lëvizin pa makina, që t’i ketë mbrojtur ata përtej demagogjive?

Ndoshta nuk është përgjegjëse direkt Bashkia e Tiranës për ndotjen e ajrit, por a nuk do të ishte mirë që ajo të nismonte një tavolinë të përbashkët, të bënte fort presion që të ndërhyhet fuqimisht në kontrollet e karburanteve dhe politikat e lidhura me makinat e amortizuara? Sa largpamëse duken këto megaprojekte të ndërtimeve për Tiranën, ndërkohë që ne këmbësorët e Tiranës, edhe pse kemi me shumicë pemë, po vdesim nga pak përditë nga bloza?