e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Makinat, qeveria zyrtarizon taksen e re

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Makinat, qeveria zyrtarizon taksen e re
Qeveria miratoi dje vendimin për përgjysmimin e taksës vjetore të makinave të përdorura. Ky është hapi i parë për zyrtarizimin e ligjit, i cili pritet të hyjë në rend dite për diskutim nga komisionet parlamentare me fillimin e javës. Kryeministri e cilësoi ndryshimin e djeshëm si një vendim të rëndësishëm për taksat kombëtare.

“Përgjysmimi i plotë i taksave për makinat e përdorura është një vendim shumë i rëndësishëm nga i cili përfitojnë ata që kanë më pak dhe mendoj se është një vendim shumë i drejtë”, theksoi Berisha. Ndryshimi parashikon përgjysmimin e taksës fikse për karburantin, nga 25 në 12.5 për naftën dhe nga 20 në 10 për benzinën. Formula e llogaritjes së taksës vjetore shumëzon cilindratën e motorit të makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit.

Përgjysmimi i kësaj të fundit sjell rrjedhimisht përgjysmimin e pagesës për çdo makinë. Ligji parashikon që makinat deri në tri vite nga data e prodhimit të mos paguajnë taksë. Gazeta boton sot bashkë me formulën edhe koeficientet për vjetërsinë jo vetëm për veturat, por edhe për autobusët dhe mjetet e rënda të transportit. Përgjysmimi i taksës vlen edhe për të gjitha mjetet e tjera, pasi në ligj nuk është parashikuar përjashtimi i tyre. Kështu, krahas veturave dhe furgonëve, përfitojnë edhe kamionët apo autobusët. Koeficientet e vjetërsisë së makinave fillojnë me 0.18 për vitin e katërt të prodhimit dhe rriten me 0.01 për çdo vit tjetër të vjetërsisë. Kjo deri në vitin e dhjetë. Më pas, koeficienti rritet me 0.04 për çdo vit mbi vitin e dhjetë të prodhimit. Për mjetet e rënda koeficienti është më i madh.

Kjo për shkak të kubaturës së madhe që kanë motorët e këtyre mjeteve dhe ndotjes që ato shkaktojnë. Koeficienti për autobusët nis me 0.2 dhe shtohet me 0.02 për çdo vit përdorimi pas vitit të katërt. Për tri vitet e para makinat e rënda janë përjashtuar nga taksa e mjeteve të përdorura. Për autobusët, për shkak dhe të shërbimit të tyre, koeficienti fillon me 0.07 dhe shtohet me 0.01 për çdo vit përdorimi pas vitit të katërt. Pas vitit të 15-të, koeficienti shtohet me 0.03, pasi qartësisht këto mjete kanë një amortizim dhe sjellin një ndotje më të madhe. Formula e llogaritjes së taksës është e njëjtë si për veturat, edhe për mjetet e tjera.