e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Mafia greke vjedh ambasaden shqiptare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Mafia greke vjedh ambasaden shqiptare
Ambasada shqiptare në Greqi ka rënë pre e një grupi hajdutësh, të cilët kanë hyrë në territorin shqiptar në Athinë, duke vjedhur paratë në dy bankomatet, ku derdheshin kuotat e emigrantëve për t’u pajisur me pasaportë biometrike. Sasia e parave të vjedhura është e konsiderueshme, pavarësisht se nuk është bërë publike, ndërkohë që shqetësues mbetet fakti sesi ata kanë mundur të depërtojnë në territorin e ambasadës shqiptare, pasi kjo zonë nuk ruhet nga policia greke.

Vjedhja ka ndodhur gjatë natës në një lagje të Athinës, ndërkohë që kjo konfirmohet edhe nga vetë ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi. Duke folur për mediat, ambasadori ka shpjeguar se gjatë natës, persona ende të paidentifikuar nga policia, kanë kapërcyer murin rrethues, kanë hyrë në territorin e ambasadës dhe kanë vjedhur një sasi parash, që ndodheshin në dy bankomate brenda ndërtesës. “Vlen për t’u theksuar se nga hajdutët nuk është prekur asgjë tjetër”, ka deklaruar ambasadori. Sipas ambasadorit, bëhet fjalë për paratë e mbledhura nga emigrantët shqiptarë, që kanë aplikuar për pasaporta biometrike. Dervishi nuk dha një shifër të saktë të parave që mungojnë, por sipas tij, ishte “një sasi e konsiderueshme”. Ambasadori shqiptar në Athinë theksoi se “me këtë akt është cenuar territori i Republikës së Shqipërisë” dhe denoncoi faktin që “ambasada jonë në Athinë prej kohësh nuk ruhet nga forca të policisë greke”, gjë që këtë herë e ka lehtësuar veprimtarinë e vjedhësve.

Vjedhja është zbuluar mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që përfaqësuesit e trupit diplomatik të vendit tonë në Greqi, e kanë denoncuar këtë problem pranë policisë. Në orët e paradites, i gjithë territori është rrethuar nga policia greke, veprim i cili ka tërhequr edhe vëmendjen e emigrantëve shqiptarë. Disa prej tyre janë shprehur për mediat shqiptare se nga informacionet e mbledhura në vendin e ngjarjes vjedhja dyshohet se është kryer nga mafia greke. Dyshimet e para të policisë kanë të bëjnë me një grup të organizuar kriminal që vepron në zonë. Madje, ata mendohet se kanë pasur informacion të detajuar mbi sigurinë e ambasadës tonë në shtetin helen dhe kanë vepruar pa u hyrë ferrë në këmbë. Megjithatë, policia greke ka administruar disa pamje nga kamerat e sigurisë në zonë, duke ndërtuar disa të dhëna mbi personat që kanë hyrë në territorin shqiptar. Madje, policia greke është shprehur se ka shoqëruar persona të dyshuar, por ende nuk ka rënë në gjurmët e hajdutëve. Pas këtij incidenti të rëndë, duke pasur parasysh edhe kërkesat e mëparshme të trupit diplomatik shqiptar që ambasada jonë të ruhet nga forcat e rendit të Greqisë, policia ka vënë dje shërbime për sigurinë e saj, por nuk dihet nëse këto shërbime do të vijojnë gjatë gjithë kohës, apo janë thjesht për situatën aktuale.