e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ligji qe hyri ne fuqi, ja detajet e aksionit per shkelesit e Kodit Rrugor

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ligji qe hyri ne fuqi, ja detajet e aksionit per shkelesit e Kodit Rrugor
Policia rrugore ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm (e mërkurë) inspektimin e të gjitha akseve kombëtare në vendin tonë. Ka nisur kështu edhe aksioni policor për ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, i shoqëruar me masa më të rënda ndëshkimore. Për të pasur një tablo më të qartë të situatës, eshte realizuar një intervistë më drejtorin e Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtues Vullnet Topallin.

Sot është dita e parë e zbatimit të rregullave të reja të Kodit Rrugor. Ju lutem mund të na jepni ndonjë informacion më të detajuar lidhur me këtë?

Që në orët e para të mëngjesit, në të gjithë akset kombëtare të vendit tonë, janë dërguar forca të shumta të policisë rrugore. Gjatë këtyre ditëve të fundit kemi rakorduar punën me njësitë në të gjithë qarqet e vendit, në mënyrë që të gjithë rrugët të jenë të inspektuara për të vërejtur zbatimin e rregullave të reja.

I gjithë stafi drejtues i Policisë së Shtetit është i interesuar dhe preokupuar për zbatimin e rregullave të reja, në mënyrë që rrugët të jenë të sigurta si dhe të ulet apo eliminohet numri i aksidenteve.

Për të qenë sa më transparentë kemi ftuar dhe median lokale e atë kombëtare. Në këtë mënyrë, mendojmë të shmangim pretendimet e drejtuesve të mjeteve për gjobitje pa të drejtë. Transparenca e mediave do të jetë një provë e qartë e qëllimit të policisë, që konsiston në vënien para ligjit të atyre që shkelin rregullat dhe cënojnë sigurinë në rrugë dhe jetën e qytetarëve.

A mendoni se masat e reja do të ulin numrin e aksidenteve dhe do të krijojnë siguri në rrugët kombëtare?

Duhet të theksoj se Drejtoria e Policisë Rrugore ishte ajo që inicioi rishikimin e masave për shkelësit e Kodit Rrugor. Duke qenë se situata në rrugë po bëhej tejet e pasigurt për shkak të shkeljeve të kryera nga drejtuesit e papërgjegjshëm të automjeteve, konkluduam se vënia në zbatim e rregullave më të rrepta do të krijonte një gjendje më të sigurt. Për këto ndryshime që u kryen, patëm mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë që mbështesin Policinë e Shtetit.

Nga eksperienca në vendet e Europës dhe më gjerë, konstatuam se gjobat e mëdha dhe masat e rrepta ndëshkimore kanë sjellë një respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor. Dhe për pasojë, siguri në rrugë. Këto dhe të tjera që përmenda dhe pak më parë ishin arsyet që na shtynë të rishikonim kodin.

Si mund të reagojnë drejtuesit e automjeteve nga këto masa ndëshkimore, a keni ndonjë pritshmëri?

Qëllimi ynë është të zbatohet me përpikmëri Kodi Rrugor dhe të shmangim aksidentet dhe jo të vendosim sa më shumë gjoba. Pikërisht për të shmangur këtë, përpara se të niste zbatimi i kodit të ri, nisëm të bënim fushatë të gjerë në media dhe opinion publik. Në një farë mënyre, mendojmë se drejtuesit e automjeteve janë të informuar për ndryshimet e reja dhe janë sensibilizuar për masat që do të marrin nëse i shkelin rregullat. Pra, jemi përpjekur të bëjmë një parapritë, që të shmangim problemet që mund të hasin sot drejtuesit e mjeteve kur të përballen në akset rrugore me patrullat e policisë.

Cilat janë raportimet e para nga terreni?

Drejtoria e Policisë Rrugore po komunikon në vijimësi me të gjithë sektorët dhe patrullat në qarqe për të krijuar një ide të qartë të gjendjes. Deri më tani, janë raportuar disa raste të shkeljeve si dhe masave ndëshkimore të aplikuara. Por, duke qenë se janë ende orët e para të operacionit nuk mund të jap statistika të sakta. Në fund të ditës së sotme besoj se do të kemi të përpunuara të dhënat për të dalë në një shifër zyrtare.