e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ligji i ri, pushim nga pune pe nepunesit qe marrin pjese ne fushata elektorale

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ligji i ri, pushim nga pune pe nepunesit qe marrin pjese ne fushata elektorale
Punonjësit në administratën publike, nëse përfshihen në fushata zgjedhore, duhet të ndërpresin menjëherë marrëdhëniet e punës. Në një projektligj të ri për Nëpunësin Civil, që aktualisht është në proces diskutimi dhe pritet të hyjë në fuqi në vitin 2013, parashikohen sanksione të ashpra në rastet kur administrata publike përfshihet në fushatat zgjedhore. Në draftin e ri ka një nen të posaçëm i cili rregullon të drejtat politike të nëpunësit civil. ”Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike, përveçse gjatë ushtrimit të detyrës apo në kohën e punës. Sidoqoftë, nëpunësi civil duhet të përmbahet nga shprehja publike e bindjeve apo preferencave të tij politike. Në rastet e pjesëmarrjes në fushatë elektorale nëpunësi duhet të kërkojë pezullimin nga shërbimi civil” sanksionohet në projektligjin e ri në nenin 31 të tij.

Ndërsa në ligjin aktual lidhja e nëpunësit me politikën rregullohet vetëm me një fjali, në të cilën thuhet “Lejohet të jenë anëtarë të partive politike, por jo në organet qendrore ekzekutive”. Gjithashtu, projektligji i ri sanksionon qartë që nëpunësit e administratës që kandidojnë për deputet duhet të japin dorëheqjen, praktikë kjo që nuk ishte e përcaktuar në ligjin aktual. “Nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast nëpunësi detyrohet të kërkoje pezullimin nga detyra”, thuhet në dradftligjin e ri që Departamenti i Administratës Publike që ka përgatitur për miratim në qeveri.

Mospërdorimi i administratës publike për qëllime politike dhe fushata elektorale është një nga kërkesat themelore dhe kushtet që duhet të miratojë Shqipëria për integrim në Bashkim Europian. Ligji i ri tashmë sanksionon në formë të prerë që, nëse punonjësit e administratës përfshihen në fushata elektorale, ata menjëherë duhet të lënë vendin e punës. Këto sanksione janë programuar për të hyrë në fuqi në janar të vitit 2013. Ky është një vit elektoral dhe tashmë të detyruar me ligj të gjithë nëpunësit e administratës publike që synojnë Kuvendin duhet të lënë më parë vendin punës. Praktikat e deritanishme lejonin që nëpunësit e lartë, në të njëjtën kohë të ushtronin detyrën dhe të përfshiheshin në fushatat e zgjedhjeve parlamentare. Lënia e funksioneve ekzekutive ishte vetëm në moralin e tyre. Drafti i ri rregullon në mënyrë të detajuar marrëdhënien juridike ndërmjet shtetit dhe nëpunësit civil dhe përcakton rregullat për administrimin e shërbimit civil.

Ky ligj zbatohet për çdo nëpunës që ushtron një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur, apo njësi të qeverisjes vendore, me përjashtim të të zgjedhurve, ministrit dhe zëvendësministrit, funksionarit të emëruar nga Parlamenti apo Presidenti, gjyqtarit dhe prokurorit, ushtarakut të forcave të armatosura; personelit të shërbimit informativ shtetëror, personelit të njësive direkte të shërbimit dhe funksionarit të kabinetit. Ndërsa në procedurën e rekrutimit të punonjësve në administratë nuk janë bërë ndryshime thelbësorë në krahasim me procedurën aktuale. Sipas draftligjit të ri, pranimi në shërbimin civil bazohet në parimet e shanseve të barabarta, meritës, aftësisë profesionale e mosdiskriminimit dhe kryhet nëpërmjet një procesi përzgjedhës transparent e të drejtë.

Procesi përzgjedhës bazohet në vlerësimin e aftësive profesionale të kandidatëve nëpërmjet një konkurrimi kombëtar, që përfshin një testim të shkruar, një testim me gojë dhe çdo formë tjetër të përshtatshme të verifikimit të aftësive si dhe vlerësimin e aftësisë profesionale të kandidatit. Në projektligjin e ri paga e nëpunësit civil përbëhet nga paga bazë e kategorisë, shtesa për klasën së cilës i përket pozicioni dhe shtesa për kushtet e punës. Kalimi në hap më të lartë page bazohet në vjetërsinë në shërbimin civil, rezultatet e vlerësimit të punës dhe përfundimin me sukses të veprimtarive të detyrueshme të trajnimit për çdo hap. Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore për strukturën dhe nivelet e pagave. Projektligji i ri sanksionon qartë që nëpunësit e administratës që kandidojnë për deputet duhet të japin dorëheqjen, praktikë kjo që nuk ishte e përcaktuar në ligjin aktual.

Vlerësimi për administratën si për klasën e parë

Një sistem notash jo numerike do të aplikohet për të gjithë punonjësit e administratës publike. Ky vlerësim do të shërbejë edhe për shpërblimet financiare

Vlerësimi i punonjësve të administratës publike me ligjin e ri do të bëhet me një sistem të ngjashëm notash si për nxënësit e klasës së parë, “mirë”, “shumë mirë”, “kënaqshëm” dhe “jokënaqshëm”. Ky vlerësim do të jetë i vlefshëm për përcaktimin e masës së shpërblimeve për rezultatet në punë. Vlerësimi i rezultateve në punë është procesi vjetor i verifikimit të realizimit të përgjithshëm të objektivave të përcaktuar në fillim të periudhës së vlerësimit, si dhe i aftësive apo dobësive të nëpunësit në kryerjen e detyrave. Vlerësimi i rezultateve në punë synon përmirësimin e aftësive profesionale të nëpunësit civil dhe të cilësisë së shërbimit. Ndërkohë që Këshilli i Ministrave miraton procedurën e detajuar të vlerësimit të rezultateve në punë dhe kompetencat për vlerësimin. Për të marrë një vlerësim sa më të lartë në funksionin e tij, nëpunësi civil ka të drejtën dhe detyrimin të përmirësojë aftësitë profesionale nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme të financuara nga fondet publike. Ndërsa Këshilli i Ministrave përcakton rregullat e trajnimit në shërbimin civil dhe krijon institucionin e trajnimit të specializuar për shërbimin civil. Nëpunësi civil ka të drejtën të konsultohet nëpërmjet sindikatave, apo përfaqësuesve të nëpunësve civilë të institucionit, në vendimmarrjen për aktet ligjore dhe nënligjore lidhur me marrëdhënien e shërbimit civil dhe kushtet e punës. Sindikata, ku nëpunësi është anëtar, apo përfaqësuesit e nëpunësve civilë të institucionit, ku nëpunësi civil ushtron detyrën, konsultohet në marrjen e çdo vendimi individual lidhur me një nëpunës civil të përfaqësuar prej saj. Nëpunësi civil ka të drejtën për pushime vjetore të paguara si dhe për pushime të tjera me apo pa pagesë. Këshilli i Ministrave miraton rregullat për kohëzgjatjen e punës dhe pushimit, për orët shtesë, kompensimin e tyre si dhe kompensimin e shpenzimeve të kryera për ushtrimin e detyrës jashtë vendit normal të punës. Gjithashtu, nëpunësi civil ka të drejtën të informohet mbi fillimin e çdo procedimi administrativ dhe çdo vendim përfundimtar që ka të bëjë me marrëdhëniet e tij të shërbimit civil. Nëpunësi ka të drejtë të inspektojë dosjen e tij të personelit dhe të kërkojë ndryshimin e të dhënave të saj. Ligji i jep të drejtë nëpunësit të ankohet në Komisionin e Shërbimit Civil, ndaj çdo veprimi apo mosveprimi, që cenon të drejtat dhe interesat e tij të ligjshme në marrëdhënien e shërbimit.

Vlerësimi për efekt page

“Mirë”
“Shumë mirë”
“Kënaqshëm”
“Jokënaqshëm”